Marrëveshja e Demarkacionit nuk ka ndryshuar, mirëpo ky është problemi!

Politika

Marrëveshja e Demarkacionit nuk ka ndryshuar, mirëpo ky është problemi!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 5 mars 2018 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Për të tretën herë radhazi, dështoi që hidhej në votim marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshja kjo që është nënshkruar nga PDK, AAK dhe LDK, me propozimin e kësaj të fundit.

Marrëveshja erdhi pas dështimit të seancës në herën e parë që të votohej demarkacioni, ku LDK-ja kundërshtonte versionin e Ramush Haradinajt, dhe dha një propozim për një marrëveshje tjetër.

Pas shumë sulmeve nga Haradinaj drejtuar deputetëve të LDK-së me një fjalor të ashpër, ai u detyrua që të nënshkruajë propozimin e LDK-së disa ditë më vonë.

Mirëpo, edhe pse u arrit kjo marrëveshje, mungesa e votave nga Lista Serbe, si dhe vota kundër e Lëvizjes Vetëvendosje, votimi për ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend dështoi edhe javën e kaluar.

Ndërsa, së fundi AAK akuzoi LDK-në për ndryshim të marrëveshjes, ku sipas AAK-së çështja e Demarkacionit mund të rikthehej në pikën zero.

 “Bota sot” ka kontaktuar me zyrtarë e deputetë nga këto tri parti që nënshkruan marrëveshjen, për të marrë përgjigje se a ka ndryshuar kjo marrëveshje dhe pse nuk po votohet.

Gecaj: Koalicioni qeverisës nuk i ka votat

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, tha se marrëveshja nuk ka ndryshuar, por fajtori që nuk po hidhet në votim kjo marrëveshje, është vetë koalicioni qeverisës pasi nuk i kanë votat, dhe Gecaj gjithashtu thotë se kjo qeveri është plotësisht e varur nga Lista Serbe.

“Koalicioni i përbërë nga PDK-AAK-NISMA dhe Lista Serbe,  nuk i ka votat për votimin e marrëveshjes së demarkacionit,  e tash po nxjerrin “kajde”, për ta hedhë fajin diku tjetër. Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk ka ndryshuar qëndrim nga marrëveshja që kemi propozuar dhe është nënshkruar nga PDK-ja dhe AAK-ja. Mendoj që arsyeja që nuk po votohet, është Lista Serbe, nga e cila është e varur plotësisht koalicioni qeverisës”, ka thënë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

E pranon pozita: Nuk i kemi votat

Image
Time Kadrijaj

Në anën tjetër deputetja nga AAK-ja, Time Kadrijaj, ka deklaruar se marrëveshja nuk ka ndryshuar dhe në momentin që sigurohen votat për votimin e marrëveshjes, atëherë do hidhet në votim.

“Marrëveshja për demarkacionin e nënshkruar nga partitë politike, nuk ka ndryshuar, është ashtu siç është akorduar kryeministri Ramush Haradinaj dhe nuk ndonjë marrëveshje tjetër, apo prishje të marrëveshjes. Momentin kur të sigurohen votat për votimin e marrëveshjes së demarkacionit, atëherë besoj që do hidhet në votim”, u shpreh Kadrijaj.

PDK: Marrëveshja nuk ka ndryshuar

Image
Fadil Beka

Ndërsa deputeti nga PDK-ja, Fadil Beka, është i sigurt që marrëveshja nuk është ndryshuar, mirëpo nuk e di se cila është arsyeja pse deri më tani nuk është hedhur në votim.

 “Unë nuk e di nëse ka ndonjë prapavijë mos votimi i marrëveshjes së demarkacionit për të tretën herë radhazi, mirëpo jam i sigurt që marrëveshja nuk ka ndryshim dhe besoj që në seancën e ardhshme do të votohet kjo marrëveshje për demarkacionin e nënshkruar nga PDK-ja, AAK-ja dhe LDK-ja, të paktën Partia Demokratike e Kosovës do ta votojë, aq sa di unë”, është shprehur Beka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat