“Përçarjet” brenda koalicionit, flasin nga AAK e NISMA

Politika

“Përçarjet” brenda koalicionit, flasin nga AAK e NISMA

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 mars 2018 Në ora: 07:28
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe zëvendësi i tij nga Nisma, Fatmir Limaj

Koalicionit qeverisës me përbërje të partive të ndryshme në brendësi,  kanë filluar t’i dalin “mospajtime” edhe në çështje e procese tjera.

Përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie ka qenë çështja e cila i ka ndarë në dysh partitë në koalicionin qeverisës.

Pas kësaj në media është raportuar për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi  dhe me këtë kanë filluar edhe kërcënimet nga partia e ministrit.

Nisma Socialdemokrate ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për gjendjen e arsimit në Kosovë, ndërkaq gjithashtu kanë “kërcënuar” Qeverinë  me largim.

Këto raportime kanë sjellë reagimin e Qeverisë, duke i quajtur të pavërtetat lajmet për shkarkimin e ministrit Bytyqi.

Të gjitha këto “akuza”  brenda koalicionit, analistët politikë i konsiderojnë si përçarje e tij, ndërsa partitë politike qeverisëse mohojnë një gjë të tillë.

Shala: Nuk ka përçarje

Deputeti nga radhët e Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë për “Bota sot” se raportimet për largim nga qeveria janë pjesë mediale dhe sipas tij, koalicioni nuk ka përçarje.

Image
Deputeti i Nismas Socialdemokrate, Haxhi Shala

“Të gjitha këto të cilat janë duke u thënë e janë duke u thurur janë  pjesë mediale, pra e mediave. Ne brenda koalicionit nuk kemi përçarje dhe gjithashtu  nuk kemi asnjë arsye që të kemi përçarje. Ajo çfarë ka bërë Ministri i Arsimit, është bërë nga Kryeministri i Kosovës dhe është normale që çdo qeveri  duhet të ndryshojë diçka dhe nuk ka nevojë  për shqetësim as tonin e as tuajin . Nuk ka përçarje brenda koalicionit”, ka pohuar Shala.

AAK mohon përçarjen

Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e Kryeministrit Haradinaj nuk kanë informata për mundësinë e largimit të Nisma-s nga koalicioni, gjersa kanë shtuar se nuk ka plasaritje të Qeverisë.

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka dhënë përgjigje të shkurtër kur është pyetur për “kërcënimet” e NISMA-s.

“Nuk kam asnjë lloj informate dhe nuk merrem  me këtë çështje fare”, ka thënë deputetja  Haxhiu.

Ndërkaq, ish- deputeti dhe tashmë anëtari i AAK-së, Lahi Brahimaj, nuk është në dijeni për ndonjë inciativë për shkarkimin e ministrit të Arsimit, gjersa ka shtuar për “Bota sot” se vendimet për formatim merren në pajtim të Qeverisë, Kryeministrit dhe partnerëve të koalicionit.

Image
Anëtari i AAK-së, Lahi Brahimaj

“Fillimisht unë nuk janë në dijeni që ka pasur ndonjë iniciativë për shkarkimin e Ministrit, përpos spekulimeve. Qeveria, kryeministri saj, partnerët e koalicionit i marrin vendimet perkitazi me prioritetet e koalicionit dhe zhvillimeve në sektorët e qeverisë. Nëse arsyetohet se është konform prioriteteve të këtij koalicioni një formatim i disa ministrave ashtu do të ndodhë, në të kundërt nuk mund të thuhet se ka plasaritje të qeverisë”, ka theksuar Brahimaj.

I pyetur nëse ka gjasa që Nisma të dalë nga koalicioni i tyre, Brahimaj ka thënë se vendimet i takojnë asaj, por ata janë bërë bashkë për t’i shtyrë temat që janë me rëndësi për vendin.

“Vendimet i takojnë asaj se si do të sillet në raport me partnerët e koalicionit. Jemi bërë bashkë për të shtyrë përpara tema me rëndësi për vendin dhe kështu do të duhej të sillemi”, ka shtuar Brahimaj.

Ndërsa, analistët politikë thonë ky koalicion nuk është dashur të bëhet që nga fillimi.

Skandalet e koalicionit

Analisti politik, Blerim Burjani ka përmendur “skandalet” e koalicionit që nga marrja e mandatit.

Sipas tij, qeverisja aktuale ka thelluar problemet në Kosovë.

“Kjo qeveri duhet të bie për shkak të plotë skandaleve, ajo ka humbur besimin deri më tash janë bërë 5 skandale të kundërligjshme dhe askush nuk është përgjegjur për këto skandale. Nuk mund të funksionojë kështu me skandale dhe probleme pa ndal, pa shkuar përpara në asnjë zgjidhje, as zhvillim ekonomik, e as kurrgjë, as mbrojtje shëndetësore, as reformë të skemave sociale të shumta, të dëmshme për zhvillimin ekonomik të shteti, me përplot probleme si ne paralajmërim dhe protesta të arsimit, shëndetësisë nuk mbahet me forcë, ska kurrgjë. Kjo qeveri as nuk bashkëpunon me intelgjencën e as me shoqërinë civile, e ndarë e huptë totalisht në kohë dhe hapësirë”, ka pohuar Burjani.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

Sipas tij, ky koalicion ka qenë i dëmshëm që nga fillimi, sepse nuk ka kapacitete për qeverisje.

“Nuk e di pse ende është kjo qeveri, unë kam thënë në start kur është bërë ky koalicion, ky koalicion mund të jetë i dëmshëm në secilin kuptim nuk duhet bërë fare, sepse s’kanë as kapacitete nuk është e lehtë të qeveriset me Kosovën edhe të mos marrë vesh në asnjë fushë, as në ekonomi, as në rend e ligj e as në asgjë. Kjo qeveri ka thelluar problemet me arsim me largimin e Agjencionin për Akreditim të Kosovës nga regjistri evropian i cilësisë. Marrin në bord të UP-së, njerëz që nuk kanë lidhje  me asgjë e më pak me shkollim të lartë. Falja e borxhit në mënyrë të kundërligjshme për kompanitë e ujit, e mos ta përmed rritjen e pagave në konflikt interesi. Mos zgjidhja e problemit të demarkacionit, nuk besoj që kjo qeveri do të shkojë deri në vjeshtë”, ka përfunduar Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat