Demarkacioni, lë në “harresë” formimin e Ushtrisë së Kosovës

Politika

Demarkacioni, lë në “harresë” formimin e Ushtrisë së Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 mars 2018 Në ora: 11:16
Ilustrim

Tashmë e vetmja çështje që po diskutohet dhe që po kërkohet zgjidhje për të ajo e shënjimit ë vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe si rrjedhojë e saj edhe liberalizimi i vizave. Megjithatë, pas këtyre, Kosovën e presin edhe shumë çështje tjera me rëndësi që duhet të zgjidhen nga krerët e shtetit.

Ushtria e Kosovës ka mbetur peng e çështjes së demarkacionit, derisa ka kohë që nuk po përmendet fare, edhe pse kjo qeveri kishte premtuar krijimin e shpejt të saj.

Vetë Presidenti i vendit Hashim Thaçi kishte premtuar formimin e ushtrisë qysh në kohën kur ishte kryeministër, e më pas edhe kur u bë President. Megjithatë ende nuk bëri diçka në këtë drejtim.

Por, kur Kosova do ta ketë ushtrinë e saj?

Flet Isa Xhemajalj

Lidhur me këtë, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Isa Xhemajlaj ka thënë për “Bota sot”, se këto dy çështje, demarkacioni dhe ushtria janë të ndara dhe nuk ndërlidhen me njëra tjetrën.

Ai thotë më tutje se demarkacioni ndjek rrugë të tjera nga ajo e ushtrisë.

Ai është shprehur se pala e Kosovës nuk ka marr premtime që pas zgjidhjes së demarkacionit do të ndodhë edhe formimi i ushtrisë.

Image
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Isa Xhemajlaj nga Nisma Social Demokrate

“Demarkacioni me Malin e Zi dhe formimi i ushtrisë janë dy tema të ndryshme dhe të ndara nga njëra tjetra. Demarkacioni dhe çëshje tjera janë obligime që pala kosovare ka marrë dhe duhet t’i kryej, por nuk ka marrë premtime se pas kryerjes së këtyre detyrave do të ketë beneficione  dhe përfitime si p.sh  formimin e ushtrisë, hyrjen në BE apo organizata tjera ndërkombëtare”, thekson ai për “Bota sot”.

Xhemajlaj  ka shtuar se demarkacioni dhe ushtria ndjekin rrugë dhe procedura të ndryshme.

“Kështu që demarkacioni ka rrugë dhe procedura tjera, ndërsa formimi i ushtrisë duhet të ndjek rrugë dhe procedura tjera. Pra janë çështje të ndara që nuk lidhen njëra me tjetrën”, përfundon Xhemajlaj.

Shkaku kryesor i krizave në Kosovë

Ndërkaq, Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” ka përmendur arsyet për mos ratifikimin e demarkacionit, formimin e ushtrisë e ligjet e tjera.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës, ose më saktë, shndërrimi i FSK-së në ushtri, ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe shumë ligje të tjera që zvarriten, nuk miratohen ose nuk paraqiten për miratim në Kuvendin e Kosovës kanë vetëm një shpjegim: Rolin shumë të madh, madje përcaktues, që Kushtetuta e Kosovës i ka dhënë deputetëve serbë dhe minoritarë”, thekson profesor Bytyçi.

Sipas tij, formimi i ushtrisë mund të bëhet vetëm me pjesëmarrjen e Listës Serbe dhe me votat e deputetëve të kësaj liste.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyqi

“Edhe pse deputetët shqiptarë kanë numrin e votave për ndryshime kushtetuese, ato janë të pavlefshme pa 2/3 e votave të minosriteteve, përfshi serbët e Kosovës. Kjo është arësyeja pse nuk formohet ushtria e Kosovës. Ushtria e çdo vendi është element subjekt, kushtetues. Për ndryshimin e saj në Kosovë duhet të dakordësohen serbët. Ata nuk bien dakord. Përdorin presione të ndryshme e të shumta. Demarkacioni mund të jetë presioni i radhës, por jo i vetmi, as i fundit. Asosacioni është presioni më i madh, ku serbët përpiqen të imponojnë vendimmarrjen në Kosovë”, thekson ai.

Profesor Bytyçi thotë se imponimi i vendimmarrjes dhe ndryshimeve kushtetuese nga ana e serbëve është shkaku kryesor i krizave që përjeton Kosova.

“Ky fakt tashmë i provuar bën që institucionet të mosfunksionojnë. Fatkeqësisht ka politikanë dhe forca politike që për interesat e tyre personale ose grupore i vijnë në ndihmë diversionit dhe obskurantizmit serb. Psh në rastin e demarkacionit kur nuk është e nevojshmme të votojnë serbët, nëse do të votonin deputetët shqiptarë. Këta politikanë duhet të kuptojnë se Beogradi dhe serbët në Kosovë duan ta bllokojnë shtetin institucionet e tij dhe të përligjin ankesat e tyre në BE se “Shqiptarët nuk janë të aftë të vetëqeveisen”, se “Kosova nuk mund të jetë multietnike, por duhen vendosur kufij etnikë”, se “zgjidhja për Kosovën nuk është pavarësia”, “thotë ai.

Ndër të tjera, profesor Bytyçi thotë se formimi i ushtrisë dhe ligji për demarkacionin me Malin e Zi nuk kanë një lidhje të drejtpërdrejtë por pjesëmarrja e serbëve në votimin e këtij ligji kushtëzohet me lloj-lloj arsyetimesh, të cilat shkojnë në dëm të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ushtria dhe Demarkacioni, dy çështje të ndara

Edhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë se themelimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Demarkacioni janë dy çështje të ndara.

“Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pa votimin e 2/3 të deputetëve minoritarë, nuk mund të votohet Ushtria e Kosovës. Qeveria e mëparshme e Kosovës ka mundur që krahas ligjit për Gjykatën Speciale, ta fusin edhe ligjin për themelimin e FAK-ut, sepse prej fillimit e kanë ditur që ”Lista Serbe” nuk do ta votojë Ushtrinë e Kosovës, pasi që këtë e kanë thënë gjithmonë haptas”, ka vlerësuar ai.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi

Krasniqi ka thënë se vetëm një presion ndërkombëtar do t’i bindte serbët të votojnë Ushtrinë e Kosovës.

“Kështu që vetëm ndonjë presion i madh ndërkombëtar do t’i detyronte serbët që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, por të cilët do ta kushtëzonin Qeverinë e Kosovës, me themelimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe”, përfundon Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat