Historia i la kokulur Shtabin e “Rognerit” para Jasharëve

Politika

Historia i la kokulur Shtabin e “Rognerit” para Jasharëve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 6 mars 2018 Në ora: 20:29
Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, Xhavit Haliti

“Është mirë që të merret parasysh letra e Adem Jasharit që e kishte dërguar në vitin 1997 tek ata që thirreshin në emër të luftës për ndihmën që kërkonte nga ta për shkak që ishte i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga po kjo klasë politike që sot është në pushtet, pra, e kam fjalën për vëllezërit Kelmendi, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Azem Sylën dhe Bujar Bukoshin", ka thënë Islami.

Në Kosovë ka nisur manifestimi tradicional tre-ditësh “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, në përkujtim të Adem Jasharit, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së, dhe familjes së tij.

Ky manifestim u mbajt edhe në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku u panë raporte të ftohura mes Hashim Thaçit dhe Rifat Jasharit, babait të komandantit Adem Jashari.

Ishte kryeministri Ramush Haradinaj ai që tentoi që sa dopak t’i afrojë mes vete Jasharin me Thaçin, në momentin e vendosjes së kurorave të luleve në obeliskun e komandantit Adem Jashari. Pas vendosjes së kurorës me lule, Rifati nuk vazhdoi të ecte përkrah presidentit.

Thaçi e dha edhe një reflektim se raportet mes tij dhe Jasharëve nuk qëndrojnë mirë. Gjatë fjalimit të tij, me gjysmë zëri e përshëndeti edhe këtë familje, madje nuk e përshëndeti me emër Rifatin, siç bëjnë zakonisht personalitetet tjera.

Këto raporte pasive mes familjes Jashari dhe krerëve të shtetit, i kanë komentuar për “Bota sot” njohës të çështjeve politike dhe njerëz që njohin nga afër familjen Jashari dhe krerët e shtetit në përgjithësi.

Image
Gazmend Islami

Islami: Është mirë që të merret parasysh letra e Adem Jasharit që e kishte dërguar në vitin 1997

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat dhe njëherit publicist i njohur, Gazmend Islami, thotë se  raportet mes Jasharëve dhe krerëve të shtetit, mund t’i tregojë më së miri letra e Adem Jasharit drejtuar të ashtuquajturit ish shtabi i “Rognerit”, të cilët e lanë vetëm në momentet më të vështira të komandantit Jashari dhe familjes së tij.

“ Është mirë që të merret parasysh letra e Adem Jasharit që e kishte dërguar në vitin 1997 tek ata që thirreshin në emër të luftës për ndihmën që kërkonte nga ta për shkak që ishte i dëshpëruar dhe i zhgënjyer nga po kjo klasë politike që sot është në pushtet, pra, e kam fjalën për vëllezërit Kelmendi, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Azem Sylën dhe Bujar Bukoshin. Këta të fundit e sakrifikuan dhe e lanë Adem Jasharin në çastet e fundit të jetës, pa ndihma, pa fishekë dhe pa asnjë armatim. Pra, për këtë arsye, familja Jashari kurrë nuk do t’i harrojë të këqijat që iu kanë bërë nga ish i ashtuquajturi shtabi i “Rognerit”, të cilët nuk i kanë ndihmuar familjes Jashari në momentet kur kishte nevojë më së shumti”,- u shpreh Islami.

Ai përmend edhe disa arsye të tjera që raportet e Jasharëve dhe krerëve të shtetit, nuk qëndrojnë mirë as sot, ku njëra ndër to sipas Islamit, është që Adem Jashari nuk e kishte lënë asnjëherë Thaçin të hynte në Drenicë, pasi kishte kuptuar se Thaçi kishte interesa personale që nuk ishin në të mirën e shtetit.

“Ka edhe shumë arsye të tjera sepse familja Jashari e dinë mirë se Adem Jashari kishte orientim të djathtë. Adem Jashari asnjëherë nuk kishte pranuar të jetë pjesë e këtyre njerëzve që sot janë në pushtet. Adem Jashari nuk e kishte lënë asnjëherë Hashim Thaçin të hynte në Drenicë, por edhe disa të tjerë për arsye se e kishte kuptuar që Hashim Thaçi kishte interesa personale që nuk ishin në të mirën e vendit dhe këtë e dinë më së miri familja e Adem Jasharit.”-tha ai.

“Asnjëri pjesëtar i shtabit të “Rognerit”, nuk kishte qenë mik me Adem Jasharin”

Islami thotë se familja Jashari asnjëherë nuk do t’i pranoj kurrë këta persona përderisa janë në krye të shtetit.

“Mos të harrojmë se asnjëri pjesëtar i shtabit të “Rognerit”, nuk kishte qenë mik me Adem Jasharin. Familja Jashari asnjëherë nuk do t’i pranojë kurrë këta persona dhe përderisa në krye të shtetit do të jetë Thaçi me klikën e tij, ata do të qëndrojnë gjithmonë indiferent ndaj institucioneve të vendit”,-përfundoi Islami për “Bota sot”.

Image
Naim Miftari

Ndërkaq, ish-pjesëtari i UÇK-së, Naim Miftari, që e njeh nga afër Thaçin pasi një kohë ishte edhe ish-anëtar i SHIK-ut, thotë për “Bota sot” se familja Jashari nuk ka raporte të mira me krerët e shtetit, pasi ata sipas Miftarit kanë pritur më shumë nga ky shtet që sakrifikuan familjen për të.

“Familja Jashari që në fakt është simbol i sakrificës, i luftës dhe lirisë, nuk janë të kënaqur me arritjet shtetërore ku pushteti deri  gjerë sot përdoret vetëm për tu pasuruar liderët shtetëror. Familja Jashari e din shumë mirë se kjo që jemi sot si shtet, nuk është amaneti i dëshmoreve dhe kjo lloj politik-bërje i ka shkelur të gjitha amanetet e dëshmorëve dhe sakrificës popullore gjerë më sot, pasi këto nuk janë ëndrrat tona për një shtet të fortë dhe të drejt, por janë makthe ku të shkel dhe të shet shqiptari i veshur me petkun politikanit,  plus e thërrasin veten patriot dhe bashkëluftëtar të familjes Jashari”,-thotë Miftari.

Miftari: Familja Jashari u la e vetme

Ai thotë, se Hashim Thaçi herët apo vonë do të jap llogari për vdekjen e Adem Jasharit dhe familjes së tij, pasi sipas Miftarit, familja Jashari u la e vetme të përballet kundër serbëve dhe Jasharët nuk morën asnjë ndihmë duke mbetur pa armatim.

 “Jam shumë i sigurt se po të ishin gjallë sot Adem Jashari, Zahiri, Salihu, Muja, Fehmija etj, këta politikanë tanë do ishin diku në azil jashtë Kosovës ose me siguri do ishin në burg. Familja Jashari u la e vetme të përballet me makinerinë vrastare Serbe dhe kjo familje para flijimit u la pa armatime të fuqishme,u la pa mbështetje financiare, ku vetëm grupi i Salih Qekut tentoj dhe i ndihmoi materialisht kur të tjerët e injoruan, kjo familje u etiketua një kohë (1991-1998) qëllimisht si bashkëpunëtor të UDB-së dhe u etiketua pikërisht nga vetë bashkëpunëtorët real të UDB-së, që sot i kemi në pushtet dhe shumica janë edhe milionerë. Edhe milioner i korruptuar edhe bashkëluftëtarë i Adem Jasharit e bashkëluftëtarë të dëshmorëve tjerë, nuk shkon, dëshmorët tanë nuk dhanë jetën për miliona. Hashim Thaçi herët a vonë ka për të jep llogari personale dhe klanore për vrasjen e Adem Jasharit dhe familjes Jashari por edhe llogari për konspiracione, vrasje tjera dhe tradhtia të shumta që ju bënë pas shpinës së UÇK-së”,- përfundon Naim Miftari.

Image
Nexhat Haziri

Keqpërdorimi i sakrificës së familjes Jashari

Në anën tjetër, njohësi  i çështjeve politike, Nexhat Haziri, thotë se ky reflektim i familjes Jashari ndaj krerëve të shtetit është i duhur në momentet e fundit, duke shtuar se Thaçi me disa lider të tjerë në skenën politike sot, manipuluan dhe keqpërdorën imazhin e familjes Jashari për interesa të tyre personale të pas luftës.

“Mendoj se është një reflektim i duhur në momentin e fundit e familjes Jashari në raport me presidentin Thaçi por edhe me disa lider të tjerë, që reputacionin dhe sakrificën kësaj familje për lirinë e Kosovës, dhe vetë personalitetin, luftën e Komandantit legjendar Adem Jashari e keqpërdorën dhe e manipuluan për interesat e tyre personale e klanore të formave kriminale. Kujtojmë se si Hashim Thaçi dhe PDK-ja, përdornin figurën e komandantit legjendar Adem Jashari si maskotë në tubime të zgjedhjeve elektorale të cilat  manipulonin dhe dhunonin vullnetin e qytetarëve, po ashtu janë raste të njohura kurë është i kërkuar haraq në emër të familjes Jashari, pra me një fjalë Hashim Thaçi dhe karamilla kriminale e PDK-së, kanë tentuar që duke u fshehur prapa kësaj familje të respektuar dhe duke mbajtur para hundëve fotografinë e legjendarit Adem Jashari si një trofe sporti, ti fshehin veprimet dhe të bëmat e tyre në gjithë këtë periudhë të qeverisjes së tyre, por edhe në gjithë periudhën e pasluftës”-thekson Haziri.

Ai thotë se PDK-së dhe klanit “Pronto”, iu doli në fushë respekti i tyre ndaj familjes Jashari, në momentin që u ku dëgjohen duke i fyer Jasharët në bisedat telefonike.

“Se sa kishin respekt lidershipi I PDK-së,për Familjen Jashari dhe komandantin Legjendar Adem Jashari, opinioni e mësoi edhe nga afera “PRONTO” ku fyhej kjo familje dhe vet Adem Jashari. Andaj më në fund familja Jashari i hapi sytë dhe ua mbylli derën këtyre mashtruesve dhe që natyrisht ky refuzim u manifestua edhe në këtë vit jubilar të Epopesë së UÇK-së”,-përfundoi Haziri për “Bota sot”.

Gazeta ka dërguar pyetje në Presidencë lidhur me këtë cështje mirëpo, këta të fundit nuk janë përgjigjur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat