Lufta e familjes Jashari unifikoi dhe i dha forcë për çlirim popullit të Kosovës

Politika

Lufta e familjes Jashari unifikoi dhe i dha forcë për çlirim popullit të Kosovës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 mars 2018 Në ora: 23:36
Prekaz

Një simbol i rrallë lavdie, janë gjurmët e një kulle, brenda së cilës të gjakosura u vunë themelet e lirisë. Kulla e Jasharajve në Prekaz, vazhdon të pres vizitorë të shumtë, të cilët njoftohen me vendin ku një familje e tërë, i madh e i vogël luftuan deri në momentin e fundit të jetës së tyre me ata që padrejtësisht donin ta përvetësonin tokën e të parëve. Këto ditë është duke u shënuar 20 vjetori i Epopesë së UÇK-së dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. Kjo konsiderohet si koha më e përshtatshme, kur populli i Kosovës duhet të reflektojë për atë që ishte dikur dhe atë se si është bërë sot.

20 vite pas rënies heroike të familjes Jashari, historia që ata vunë në themelet e Kosovës, vazhdon të jetë shpresë për një të ardhme më të mirë dhe për një shtet më demokratik. Marsi si asnjëherë më parë kujtohet për gadishmerinë e familjes së Adem Jasharit dhe sakrificën që ata kanë bërë për vendin, duke bërë kështu që edhe 20 vite pas të përkulemi për kujtimin për ta dhe jetën e tyre të dhënë për atdhe.

Ditët e fillim marsit për familjen Jashari, vazhdojnë të mbesin kujtesë e paharrueshme e luftës çlirimtare që ajo bëri pa kursyer asgjë për Kosovën.

Image
Faton Abdullahu

Përmasë unike e flijimit

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për “Bota sot”, se nëse në historinë tonë shumë shpesh kemi mbetur vetëm dhe kemi përjetuar padrejtësi, gatishmëria për tu flijuar për Kosovë, si kjo e Adem Jasharit dhe familjes Jashari dhe mençuria si duhet punuar për liri e demokraci e Ibrahim Rugovës, na kanë bërë të kuptohemi më mirë dhe më drejtë nga të gjithë dhe mbi të gjitha të kemi shumë miq të cilët nuk na lanë vetë, por na ndihmuan shumë dhe vazhdimisht.

“Jemi shtet i ri, por, përkushtimin dhe flijimin për atdhe dhe për liri e kemi të vjetër dhe të vazhdueshme sa vetë robëria. Përmasa e flijimit të heroit Adem Jashari dhe familjes se tij, është rast shumë unik në historinë e përbotshme. Rast që e mbush historinë tonë me lavdi të përhershme, kurse historinë e përbotshme me shembull se si luftohet e flijohet për liri. Kur sot ne përkulemi para varrit të heroit legjendar Adem Jashari, ne obligohemi para qytetarëve tanë dhe të ardhmes tonë që të vazhdojmë të begatojmë miqësinë tonë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe me vendet e botës demokratike” ka thënë Abdullahu.

Lufta e shenjtë e familjes Jashari në Prekaz çdo mars përkujtohet e vlerësohet lartë për kontributin e veçantë që ata dhanë në çlirimin e Kosovës. Adem Jashari bashkë më gjithë familjen u flijuan për Kosovën ashtu siç ata jetuan dhe vepruan gjithë jetën e tyre. Sot në ditët e marsit ata kujtohen si asnjëherë më parë dhe që të gjithë luten që punojmë për një shtet demokratik ku sundon ligji, e që ishte dëshira.

Image
Besa Gaxherri

Gaxherri: Dëshmorëve të Familjes Jashari do ju përkulemi gjithmonë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe veprimtarja e çështjes kombëtare të Kosovës Besa Gaxherri, ka thënë për “Bota sot” se kontributi dhe rënia e Komandantit Adem Jashari më familje për lirinë e popullit dhe vendit të tij,  është vepër unikate, e cila para njëzet viteve bëri jehonë në boten e qytetëruar e demokratike.

“Pa dyshim ato ditë para njëzet viteve asnjë shqiptar nuk do i harron. Lufta e familjes Jashari e mbyllur në kullën e tyre duke mbrojtur pragun e shtëpisë unifikoi dhe i dha forcë e shpresë popullit për të vazhduar luftën për çlirim. Dëshmorëve të Familjes Jashari do ju përkulemi gjithmonë me respekt për sakrificën sublime. Amaneti i Adem Jasharit ishte që Kosova të jetë një shtet demokratik i zhvilluar e në shërbim të popullit e jo te disa individëve siç është realiteti fatkeqësisht në Kosovë” ka thënë Gaxherri.

Sipas saj, vendi i ka borxh Presidentit historik Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari e të gjithë dëshmoreve të rënë për Kosovën, që të punojmë ditë e natë për një shtet demokratik ku sundon ligji e mirëqenia për të gjithë. Lavdi për jetë e mot për familjen dhe komandantin Adem Jashari.

Image
Haki Abazi

Abazi: Rezistenca e familjes Jashari shpëtoi Kosovën

Edhe analisti politik Haki Abazi, ka thënë se periudha e luftës në Kosovë kur është sulmuar Familja Jashari, është një ndër fazat me delikate dhe kulminante të fushatës se pastrimit etnik dhe doktrinës ushtarake serbe të përdorimit të strategjisë për "tokën e djegur".

“Në qëllimin e Millosviçit, angazhimi i gjithë forcës policore, ushtarake dhe paraushtarake për të sulmuar në shtëpinë private të Jasharajve ka qenë për të demonstruar determinimin e realizimit të qëllimit të zbrazjes së Kosovës. Rezistenca, heroizmi dhe sakrifica që bëri familja Jashari e shpëtuan Kosovën duke e bërë që moblizimi nga të gjitha anët edhe në Kosovë por edhe jashtë saj të parandalonin qëllimin e Milloseviçit dhe njerëzve të tij të bëjnë atë që ata e quanin skenar i njëjtë që serbët kishin bërë në Drenice dhe Kosovë në përfundim të luftës se dytë botërore. Përfundimisht Kosova dhe populli shqiptar duhet vendosur ketë ngjarje të kobshme për familjen Jasharaj në qendër të historisë dhe krenarisë dhe një ndër momentet kthesë në bërjen e shtetit dhe lirisë se popullit të saj” ka thenë Abazi.

Kurse, për publicistin Mentor Tahiri, heroizmi dhe flijimi i familjes Jashari për lirinë e Kosovës, është rasti më emblematik në nivel botëror i sakrificës që mund të bëjë njeriu.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Prekazi po “keqpërdoret” politikisht

Tahiri thotë, se ajo ngjarje përfundimisht ndryshoi historinë e Kosovës dhe bëri të pamundur çfarëdo hallke të relacioneve Kosovë-Serbi në kuadër të të cilave Kosova ende do të ishte pjesë e Serbisë.

“Tani kanë kaluar 20 vite. Duket qartë se ka një manipulim me figurën e Komandantit Legjendarë. Haptazi po përdoret për poenë politik në garën e skenës politike kosovare se kush është më patriot se tjetri. Kjo është një shkelje e rëndë dhe mungesë respekti ndaj figurës së Komandantit legjendar. Në vend se Prekazi sot të jetë vend pelegrinazhi për të kujtuar sakrificës e familjes Jashari, ai sot jo rrallë herë po bëhet “amfiteatër” në të cilin po mbahen fjalime politike për marrjen përsipër të meritave lidhur me luftën”, është shprehur ai.

 

Ditët e lavdishme të 5, 6, 7 marsit

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998,  Prekazi u sulmua sërish nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Një rrethim i dytë u bë për të pamundësuar çdo shpëtim jete. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy net.

Në këtë betejë të lavdishme ranë heroikisht: Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit, Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit, Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit, Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit, Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit, Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit, Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit, Hamëz Shabani Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit, Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit, Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit, Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit, Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit, Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit, Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit, Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit, Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit, Adem Shaban Jashari (42), Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit, Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit, Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat