Milaim Zeka akuzon PDK-në për kapjen e shtetit

Politika

Milaim Zeka akuzon PDK-në për kapjen e shtetit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 mars 2018 Në ora: 07:30
Milaim Zeka

“Se di prej kujt s’është i kapur ky shtet, vetëm kush s’ka mund me e kap. Ky është shtet që është ndërtuar në baza private, i ndërtuar prej PDK-së. Mendoj që pa shkuar PDK në opozitë, minimum 10 vjet, shteti nuk ç’kapet”, ka deklaruar Milaim Zeka për “Bota sot”.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit është një nga dy kushtet kryesore, përveç Demarkacionit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar së fundmi, se pas ratifikimit të demarkacionit, do të punohet për ç’kapjen e shtetit.

“Pas demarkacionit, ajo që do të bëjmë nesër është se do të punojmë për ç’kapjen e shtetit nga bandat”, ka ai.

I pari i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se ç’kapjen e shtetit duhet ta bëjnë të gjithë së bashku, duke nisur nga rendi, ligji, luftimi i bandave kriminale dhe i atyre që tentuan të vjedhin të ardhmen e Kosovës.

Ç’kapja e shtetit,  sipas Limajt, duhet të bëhet në çdo institucion, ku ai tha se duan që asnjë qytetari mos t’i bëhet asgjë e padrejtë dhe në Kosovë të sundojë ligji që mbron qytetarët.

“Ne kemi thënë para katër viteve, që me fitoren e Nismës Socialdemokrate fiton Kosova. Besoj që mjaftueshëm për këto katër vite, e sidomos për këta 5 muaj me qeverisje, ka dëshmuar se aty ku shpalos ide dhe vizion Nisma Socialdemokrate, aty ku ndjehet politika e Nisma Socialdemokrate. Aty ku lufton fuqishëm për politika Nisma për Kosovë, fiton Kosova. Rastet e fundit të ideve tona, tregojnë më së miri që ato ide e çojnë Kosovën drejt fitores dhe e zhbllokojnë kriza dhe situata në të cilat kanë qenë vendi. Prandaj, me plot kuptimin e fjalës e themi, me fitoren e Nismës Socialdemokrate gjithmonë ka me fituar Republika e Kosovës, se ne kurrë interesin partiak nuk e nxjerrim para interesit të vendit tonë Kosovës”, ka deklaruar Fatmir Limaj.

Zeka: PDK të shkojë në opozitë që të ç’kapet shteti

Se sa është e mundshme një gjë e tillë dhe se nga kush është i kapur shteti, për gazetën “Bota sot”, deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka thënë se varet nga vullneti i qytetarëve dhe mediave, të cilat i sheh si të fuqishme për ta luftuar korrupsionin.

“Varet nga vullneti i qytetarëve, gazetarëve. Unë mendoj se pas qeverisë, mediat janë institucionet më të forta. E dyta, pjesa dërmuese e gazetarëve punojnë pa kontrata, me rroga diskriminuese, prandaj nuk luftohet korrupsioni në këtë mënyrë siç e kemi nisur. Nuk jam hiq optimist. Prej politikanëve ata që janë të pastër para Zotit dhe ndërgjegjes së vet, mundet, por problemi është që krimi dhe korrupsioni më i theksuar është në prokurori, gjykata edhe në hetuesi/polici. Politikanët duhet të përgjigjen para prokurorit, politikanët sjellin ligje por korrupsionin e lufton sistemi i drejtësisë jo politikanët”, është shprehur Zeka.

Ndërsa, sa i përket asaj se kush e ka kapur shtetin, deputeti i Nismës thotë se PDK-ja, e cila duhet të shkojë në opozitë që shteti të ç’kapet.

“Se di prej kujt s’është i kapur ky shtet, vetëm kush s’ka mund me e kap. Ky është shtet që është ndërtuar në baza private, i ndërtuar prej PDK-së. Mendoj që pa shkuar PDK në opozitë, minimum 10 vjet, shteti nuk ç’kapet”, ka deklaruar Milaim Zeka për “Bota sot”.

Deklarata e Limajt për poena politike

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti deklaratën e Limajt e konsideron të pasinqertë dhe për poena politike.

Image
Faton Mehmeti

“Deklarata e Limajt është e pasinqertë dhe njëkohësisht e pandershme. E pasinqertë pasi vet Limaj është pjesë e sistemit që ka kapur shtetin, ndërsa e pandershme pasi deri dje Limaj ishte pjesë e PDK-së e cila e ka kapur shtetin. Andaj, kjo deklaratë më tepër është për poena politike, se sa orientim politik që ka Limaj dhe partia e tij. Nuk besoj fare në deklaratat e Limajt, më duken të pasinqerta dhe konsum politik. Limaj është ndër krerët kryesorë të ç’kapjes së shtetit, i zhytur në korrupsion. Aferat e shumta sa ishte ministër e përgënjeshtrojnë atë çfarë Fatmiri thotë. Për më tepër është e trishtueshme kur një zv.kryeministër flet për ç’kapje të shtetit, duke dëshmuar në çfarë niveli ka rënë shteti. Andaj, deklarata të tilla janë pasqyrim i një realitetit për të cilin ka kontribuar edhe vet Limaj”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

Burjani: Shteti i kapur nga Qeveria PAN

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani vlerëson se shteti është i kapur nga Qeveria PAN, derisa përmend vendime që janë marrë nga ajo.

“Shteti është kapur nga Qeveria PAN, kanë bërë shkarkime, kanë dërguar njerëz të paedukuar as profesorë, as kurrgjë në Këshillin Drejtues të UP-së. A s’është ky argument i fuqishëm se kush e ka kapur shtetin. Pastaj vendimet arbitrare të mandatarit, prej vendime katër vendime skandaloze dhe të kundërligjshme, kurrgjë s’po ndodhë. Çka mund të ndodhë me vendime tjera që pritet të nxjerrin, rreth 25 ambasadorë do të tërhiqen nga ambasadat aktuale të Kosovës dhe do të zëvendësohen me familjarë dhe analfabetë por nuk duhet të harrohet se tash beteja e madhe e këtyre njerëzve është kënd me zgjedhë drejtor poste për shkak se s’ka marrëveshje, ia kanë vazhduar drejtorit aktual mandatin edhe për tre muaj, pra kush po e kap shtetin. Qytetarët janë të befasuar me këto gjëra dhe mbrapshti që priten të rriten dhe të paraqiten edhe probleme shumë më të mëdha në të ardhmen”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, e konsideron hipokrizi deklaratën e Liamjt, për çka thotë se dëshiron të hedhet mjegull.

“Deklarata e kreut të NISMA-s, njëherësh z/kryeministrit të qeverisë, Fatmir Limaj për të ashtuquajturën “ç’kapja e shtetit “ përveçse është hipokrizi e tij është po ashtu në funksion të “hedhjes së mjegullës” dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit vendor nga situata e pa shpresë në të cilën gjendet vendi si rezultat i një keqqeverisje të koalicionit PANA. Është interesante të pyetet vetë Limaj se nga kush do e bëjë këtë “ç’kapja e shtetit “, a është ç’kapja e shtetit “, punësimi i djalit të tij në njërën nga ministritë që udhëhiqet nga NISMA. Pra kapja e shtetit nga strukturat e para politikës që janë segmente të partive politike në pushtet, sidomos nga PDK-ja, pjesë e kësaj kapje është edhe vet Limaj, jo vetëm tani por që një kohë të gjatë”, është shprehur Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, kapje edhe nga AAK, me kryeministër Haradinaj, për emërimet e njerëzve të tyre.

“Po ashtu shohim edhe një grykësi të AAK-së dhe vetë kryeministrit Haradinaj, me emërime pa asnjë kriter profesional apo etik, përveç muskujve, të njerëzve të saj apo të tij në borde të agjensioneve dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë në vend. Kjo deklaratë e Limajt, më tingëllon sikur një pakënaqësi me “hisen e tij” në këtë kapje mafioze që i është bërë vendit dhe synim ka për ta zgjeruar “hisen” e vet të kapjes së shtetit, duke ç’kapur ndonjë copë nga ajo e bashkëpunëtorëve të dikurshëm të tij, rivalëve të sotëm dhe në të njëjtën kohë partnerëve të tij qeverisës, pra kjo është një luftë për ç’kapje nga pala tjetër për ta kapur vet. Nuk mund ta bëjnë “ç’kapjen e shtetit” ata që ka kohë që e kanë kapur dhe zhvatur milionat e buxhetit të këtij shteti. kanë manipuluar dhe keqpërdorur në format më kriminale gjithë çfarë kanë mundur e ditur, për të ndërtuar piramida të pasurisë së tyre marramendëse”, ka deklaruar Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat