Vetëvendosje i kundërpërgjigjet Veselit: SHIK-ut te ne i has sharra në gozhdë - Bota Sot
Vetëvendosje i kundërpërgjigjet Veselit: SHIK-ut te ne i has sharra në gozhdë

Politika

E hënë, 24 shtator 2018

Vetëvendosje i kundërpërgjigjet Veselit: SHIK-ut te ne i has sharra në gozhdë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 mars 2018 Në ora: 11:43
Albin Kurti dhe Kadri Veseli

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër marrëveshjes së demarkacionit, përkundër deklaratës së kryeparlamentarit që VV-ja do t’i bashkohet në vota.

Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur qëndrim të prerë që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi të mos ratifikohet në këtë verison. Mirëpo, kryeparlamentari Kadri Veseli në një deklaratë të dhënë  ditë më parë, ka thënë se janë intensifikuar takimet me deputetët që gjatë kësaj jave të mbahet seanca në mënyrë që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.

Veseli ka shprehur bindjen se gjatë kësaj jave, votës pro demarkimit të kufirit do t’i bashkohen edhe deputetët nga Vetëvendosje.

‘Ka unitet, pavarësisht se ka pasur disa deklarime nga marrëveshja e fundit në mes të LDK’së dhe AAK’së. Unë besoj më shumë tek reflektimi që është te interesi i qytetarëve, Besoj te pjekuria politike e dy subjekteve dhe unë jam shumë i sigurt se brenda javës së ardhshme takimet të cilat do t’i kemi intensiv të gjithë bashkërisht do të tejkalojmë edhe një situatë të keqkuptimit. Ajo që është kryesore, mesazhi është ky: Jemi vonuar mjaft. Nuk është në interesin e qytetarëve që të vonohemi më tej”, tha Veseli për televizionin publik të Kosovës.

Image
Albulena Haxhiu

Flasin nga Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje këto deklarata i quan propagandë, duke thënë se asnjë deputet i tyre nuk do ta votojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

 “Këto janë veç propaganda. Demarkacioni nuk ishte temë dhe ne nuk e kemi në dorë se kur do të procedohet në Kuvend.Asnjëri deputet nuk do ta përkrah këtë marrëveshje. Nuk mund të jesh deputet i Vetëvendosjes dhe ta çosh dorën lartë për ta votuar demarkacionin”,  ka thënë deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.

Edhe, deputeti  Xhelal Sveçla ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër demarkacionit, duke shtuar se nuk ka deputet të VV-së që do ta votonte atë.

Sveçla në një deklaratë dhënë gazetës “Bota sot”, deklaratën e Veselit e konsideron presion, gjersa ka shtuar se ai dhe të tjerët mendojnë se deputetët me presion mund të blihen.

Image
Xhelal Sveçla

“Sa i përket këtij demarkacioni, vota e Vetëvendosjes është e qartë dhe s’ka vend për diskutim. Këso formash presioni si kjo deklaratë dhe as format e tjera nuk i kanë dhënë kurr rezultat SHIK-ut dhe as shërbëtorëve të tyre në raport me Vetëvendosjen. Nuk ka deputet të Vetëvendosjes që do të votonte, në asnjë situatë, për faljen e territorit të Republikës. Tash, pse Kadri Veseli dhe të ngjajshmit besojnë që deputetët mund të bijnë pre e presionit ose të blihen, kallxon vetëm për veprimtarinë e tyre dhe mënyrën e marrjes e mbajtjes së pushtetit por si gjithmonë, SHIK-ut te ne i has sharra në gozhdë”, ka pohuar Sveçla.

Në seancën e mbajtur javën e kaluar për demarkacion, janë parë deputetë të pozitës, por edhe Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, duke diskutuar me deputetët e dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke sjellë kështu “dilema” se këta të fundit do të mund të ndryshonin mendje për demarkacion.

“Bota sot” ka kontaktuar disa prej deputetëve të cilët kanë dhënë dorëheqje nga VV-ja, mirëpo këta të fundit kanë hezituar të prononcohen.

Ndërkaq, analistët politikë nuk besojnë që mund të ketë ndryshim qëndrimesh, por mund të ketë ndonjë fraksion nga ana e deputetëve të dorëhequr të VV-së.

Sipas tyre, secili deputet do të mbahet mend për servilitet dhe nënshtrim ndaj presionëve të padrejta e aspak produktive të atyre që janë përgjegjës për këtë marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën.

Image
Arbër Gashi

Demarkacioni zgjidhet javën e ardhshme

Analisti politik, Arbër Gashi, nuk beson që çështja e demarkacionit mund të përfundojë javën e ardhshme.

Gashi ka shtuar se deputetët të cilët do të votojnë do të mbahen mend për këtë marrëveshje.

“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të përfundojë javën e ardhshme dhe këtë e di mirë edhe Kadri Veseli. Unë besoj se pas ratifikimit të mundshëm në Kuvendin e Kosovës, emri i secilit deputet do të mbahet mend për servilitet dhe nënshtrim ndaj presionëve të padrejta e aspak produktive të atyre që janë përgjegjës për këtë marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën”, ka theksuar Gashi.

Image
Nexhat Haziri

Veseli mbështetet të Lista Serbe

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot” se deklarata e Veselit për ratifikimin e demarkacionit gjatë javës së ardhshme mbështetet tek deputetët e Listës serbe.

Sipas Hazirit, nëse Lista serbe voton pro demarkacionit, pastaj duhet parë çfarë pazari ka bërë koalicioni qeverisës me ata për shkëmbim votash.

“Nuk besoj se LV-ja të ketë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të demarkacionit të kufrit me Malin e Zi, ndoshta ndonjë nga fraksioni i deputetëve të dorëhequr nga LV-ja, edhe mund të ketë ndryshuar mendim. Por, mendoj se deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli se javën e ardhshme pritet të votohet demarkacioni, kujtoj se më shumë mbështetet në deputetët e Listës Serbe, pasi zgjedhjet lokale në Serbi tani vetëm sa kanë përfunduar, dhe mendoj se këta deputetë serbë në kuvendin e Kosovës me lejen e presidentit serb Vuqiq, do të mund të votojnë pro demarkacionit me Malin e Zi. Kjo tregon se koalicioni qeverisës në Kosovë varet shumë nga Lista Serbe, dhe vendimet e mëdha dhe të rëndësishme për vendin nuk mund t’i marrin pa miratimin edhe të Vuqiqit. Për më tej në rast se Lista Serbe voton pro demarkacionit, atëherë duhet të shohim se çfarë pazari ka pasur në mes koalicionit PANA dhe Listës Serbe në shkëmbim të kësaj vote”, ka pohuar Haziri.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test