Haradinaj: Po t’i kishim votat, sot do ta thirrnim seancën për demarkacionin

Politika

Haradinaj: Po t’i kishim votat, sot do ta thirrnim seancën për demarkacionin

Më: 7 mars 2018 Në ora: 12:55
Ramush Haradinaj

Meqenëse deklaruan se gjatë kësaj jave do të jetë seanca për demarkacionin, ende nuk dihet se a do të mbahet gjatë javës apo jo.

E kjo pasi që partitë në koalicion pohojnë se ende nuk kanë siguruar votat për votimin e demarkacionit. 

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj thotë se janë në diskutim për datën e mbajtjes së seancës e cila mund të mbahet këtë javë apo në fillim të javës tjetër.  Por thotë se ende nuk i kanë siguruar votat për demarkacionin, se po t’i siguronin ato,  do ta thërrisnin menjëherë seancën.

Haradinaj: Seanca këtë javë apo në fillim të javës tjetër, s’i kemi ende votat

“Jemi në diskutim për datën. Pra për ditën e seancës  dhe në diskutime të brendshme, me u bashku votat, se janë dy të tretat.  Se nuk është një proces i lehtë. Besoj që jemi në ato përgatitjet finale. Mund të ndodh në fund të kësaj jave. Eventualisht në fillim të javës tjetër. Por nuk do të shtyhet më shumë...Jemi në komunikim dhe me Listën Serbe dhe me deputetët tjerë të partive politike shqiptare, me komunitetet por ende nuk është definitive 2/3. Për ata jemi duke punuar që t’i kemi 2/3. Sikur t’i kishim sot të garantuara 2/3, sot do ta thirrshim seancën. Por meqenëse ende si kemi 2/3, pra koalicioni qeverisës, partitë shqiptare, komitetet jo serbe e kanë dhënë votën. Lista serbe ende jo. Pastaj kemi LDK që është deklaruar pro. I ka dhe disa detaje që duhet me i pastru me ta. Shpresoj që do të kemi dhe deputet të tjerë shqiptar që do ta japin votën”, tha ai.

Ndërsa nuk flet për kushtet e mundshme të Listës serbe në këmbim të votës për demarkacionin. Por pohon se janë në diskutim me ta, por ende s’kanë dakordim për votë.

Haradinaj: Ende s’kemi dakordim me Listën Serbe

“Në diskutim e sipër ka plot tema që trajtohen, që po diskutohen. Mirëpo ende nuk kemi një dakordim për votë“, tha ai.

Edhe deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra , thotë se do të ishte shumë e rëndësishme që çështja e demarkacionit të përmbyllej këtë javë, por ende nuk ka një qartësi rreth mbajtjes së seancës.  Deliu shpreson që ky proces do të përmbyllet shpejtë, ndryshe  thotë se rrezikojnë t’i humbin afatet kohore.

Deliu:  Ende s’kemi qartësi për mbajtjen e seancës

“Ashtu siç jeni të informuar, ne jemi në pritje, pavarësisht që ende nuk ka definitive një datë të caktuar. Ne jemi në pritje që do të ketë diçka të re brenda kësaj jave. Do të thotë ende diskutimet janë duke vazhduar dhe po presim që në afatet e caktuara kohore, ashtu siç është paralajmëruar të kemi një seancë këtë javë do të ishte e mirëseardhur. Do të ishte tejet e rëndësishme që ne ta përmbyllim këtë javë marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e ZI. Mirëpo përderisa negociatat dhe bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit dhe Listës serbska janë duke vazhduar, atëherë ne ende nuk kemi një qartësi lidhur me mbajtjen e seancës. Besoj që kryesia e kuvendit shpejtë do të informojë lidhur me mbarëvajtjen  e seancës dhe kohen e saktë kur ne do të mblidhemi si Kuvend”, tha ajo. .

E deputeti i Nismës Bilall Sherifi thotë se ende nuk di asgjë, rreth mbajtjes së seancës për demarkacionin dhe as për kërkesat e listës.

Sherifi: Ende nuk dimë asgjë

“Ende asgjë nuk dimë. Ajo që unë mund të them këtu, që deputetët e Nismës për Kosovën pas marrëveshjes mes dy shteteve, që është nënshkruar në nivel të presidentëve, pas përpjekjeve të z. Limaj për të arritur tek ky konsensus mes partive politike dhe marrëveshjes me Malin e zi, Nisma tashmë është e gatshme të votojë. Për të gjitha tjerat duhet t’i pyetni partitë veç e veç. Pyesni dhe listën serbe. S’mund të flas në emër të tyre...Koalicionin e ka lidh z. Haradinaj, z  Veseli me listën serbe dhe z. Limaj. Iu sugjeroj që për këtë çështje t’i pyesni ata, sepse i tejkalon kapacitetet dhe informacionet që mund t’i kenë deputetët”, tha Sherifi.

KosovaPress ka tentuar që të marrë një deklaratë nga zyrtarë të Listës Serbe por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Tri herë është tentuar që të mbahet seanca ku në votim do të qitej ratitifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat