Hashimi, Kadriu dhe Ramushi duhet të skuqën kur vizitojnë varrin e Adem Jasharit

Politika

Hashimi, Kadriu dhe Ramushi duhet të skuqën kur vizitojnë varrin e Adem Jasharit

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 7 mars 2018 Në ora: 18:13
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Sërish vjen marsi i Adem Jasharit, marsi i luftës çlirimtare të Familjes Jashari. Në këtë 20 vjetor, fatkeqësisht Kosova nuk është aty ku Ademi dhe të gjithë të rënët e dëshironin dhe për çka dhanë jetën. Fatkeqësia për Kosovën, dhe për ironi sot në pushtet janë ata që thirreshin në emër të familjes Jashari, ata që shtyheshin me bërryla se kush e kishte më shokë Ademin.

Nuk u desh shumë kohë që të binin maskat, ata që u munduan me gisht të mbulonin diellin dhe nuk munden dot, vetëm sa u shfaqën qesharak dhe të mjerë.  Disa nga ta edhe ishin bashkëpunëtor të Serbisë, siç është mësuar me vonë nga një ish komandant i policisë serbe, i cili pati deklaruar se i dinin lëvizjet e Ademit, se kishin brenda shokëve të tij spiun. Gjithsesi shfrytëzuan mjegullnajën e pasluftës për të marr pushtet dhe për të bërë jetë luksi në kurriz të qytetarëve. Mirësia e heshtjes së familjes Jashari arriti të manifestonte një lloj përkrahje për Hashimin me shokët e tij. Por nuk shkoi shumë gjatë, familja Jashari filloi të flas. Foli me veprime, me mençuri dhe pa bërë ekzagjerime. Filloi të injoronte “shokët“ e Ademit, në krye me Thaçin dhe oligarkët e tij.

Baci Rifat e di shume mirë se kush është Hashimi e Kadriu, dhe servilët që iu shkojnë pas. Prandaj, heshtjes po i vinte fundi. Refuzimi i pritjeve për ta në Kullën e Jasharajve, ishte mesazhi më i mirë që kjo familje iu dha atyre që përfitonin me emër të tyre.  Edhe sikur fare mos të reagonte familja Jashari ndaj  tyre, do ishte shumë e kolljat të kuptoje se Hashimi me Kadriun nuk do të mund të kishin qenë shokë të Ademit. Idealet e tyre për Kosovën nuk përputhën askund, derisa Ademi flijoji tërë familjen dhe ra vetë si hero duke mbrojtur atdheun, Hashimi  me Kadriun ditë e natë punojnë dhe veprojnë kundër atdheut. Asnjë veprim nuk e kane bërë për atdheun, për të mirën e tij.

Përkundrazi, kanë vjedhur atdheun, kanë falur tokë fqinjëve, kanë legalizuar Serbinë brenda Kosovës për më tepër iu kanë vrarë ëndrrat qytetarëve të vendit. Derisa Ademi iu fali ëndrrën qytetarëve se këtu duhet luftuar dhe punuar, Hashimi me Kadriun e Ramushin ua vranë këtë ëndërr. E si mund të ishin këta shokët e Ademit, absulotisht jo. Dhe s`ka si të ndodhë ndryshe, pos që familja Jashari të distancohet nga kjo klasë politike, e cila ka vepruar kundër idealeve të Ademit dhe atyre që ranë për të mos vdekur kurrë. Duket se çdo ditë e më shumë po dalin ne pah intrigat që “shokët” ia bënë Ademit.

Pak ditë më parë djali i Hamzës, Bekimi tani kryetar i komunës së Skenderajt akuzoj Sami Lushtakun që e ka lënë në baltë Ademin dhe Hamzën. Derisa në akademinë ushtarake që u mbajt për të shënuar 20 vjetorin e rënies se Ademit dhe të tjerëve, baci Rifat injoroi Hashimin, Kadriun dhe Ramushin, duke mos i përmendur fare në fjalimin e tij, për më tepër edhe duke qëndruar në distancë me ta. Një mospërfillje e tillë vjen pas një dëshpeëimi të madh, të cilin jo vetëm familja Jashari por tërë qytetarët e Kosovës e kanë. Vizita tek varri Ademit për liderët e sotëm politikë është më tepër konsum politik, se sa nder dhe respekt që i bëhet kësaj familje dhe vetë komandantit. Nëse do kishin pakëz moral dhe anë njerëzore, Thaçi me Kadriun dhe Ramushin duhet të kërkojnë falje tek varri i Ademit, që për këto 20 vjet e përmendën emrin  dhe asnjëherë amanetin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat