Zyrtare: Kosova në agjendë për t'u pranuar në INTERPOL

Politika

Zyrtare: Kosova në agjendë për t'u pranuar në INTERPOL

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 8 mars 2018 Në ora: 22:07
INTERPOL

Procesi i anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në asamblenë e përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë- Interpol siç duket nuk është i lehtë.

Ky proces ka filluar dy vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përderisa Kosova ende është duke tentuar të anëtarësohet, Serbia dhe Rusia po lobojnë që Kosova të mos futet as në agjendë. 

Më 21 shtator, disa ditë para se të vendosej për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte dalë me një deklaratë ku thoshte se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar dhe kësisoj mori vendim që ta shtyjë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol deri në takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

Ndërsa, së fundi zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova tanimë është në agjendë për t’u pranuar në INTERPOL.

“Kosova në agjendë për t'u pranuar në INTERPOL. Kjo është shenja e parë se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL, për çka ne kemi punuar shumë”, ka thënë Pacolli.

Beteja në mes Kosovës dhe Serbisë

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, ka konfirmuar për gazetën ‘’Bota sot’’ se janë duke punuar intensivisht për këtë çështje.

Image
Isa Xhemajlaj

Isa Xhemajlaj, zëvendësministër nga MPB, ka thënë se aktualisht në mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar një betejë për këtë çështje.

‘’Sa i përket anës së Qeverisë dhe Ministrisë ne i kemi proceduar ato. Ministri është duke biseduar intensivisht për këtë çështje. Sa i përket çështjes së pengimit të Serbisë dhe Rusisë në anëtarësimin e Kosovës në Interpol ministria është duke u marrë intensivisht. Grupi serb është shumë i fuqishëm e veçanërisht kemi problem jo vetëm Serbia që e ka ndikimin në ato vende që me e njoftë Kosovën si shtet dhe janë pjesë të Bashkimit Evropian dhe po ka pengesa. Andaj nuk mundemi me mohu faktin se Serbia po e pengon shumë Kosovën në këtë procedurë dhe këtu është një lloj beteje që po zhvillohet në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Xhemjlaj.

Tomë Gashi tregon sfidat

Image
Tomë Gashi

Ndërkaq, sipas avokatit Tomë Gashi, Kosova ka kapacitet të jetë pjesë e Interpolit por anëtarësimi do të ishte më i lehtë nëse policia e Kosovës do të ishte më pak e politizuar.

‘’Kosova ka kapacitet te jetë pjesë e Interpolit, dhe kjo është dëshmuar shumë herë me raste të arrestimeve me fletëarreste ndërkombëtare që i ka realizu Kosova në interes të Interpolit. Por, këto raste nuk kanë qenë të niveleve të larta dhe nuk kanë as rrezikshmëri të lartë për policinë e Kosovës, dhe për shtetin e Kosovës. Problemi është më tepër politik, se sa operacional. Se si do të veproj policia e Kosovës kur mund të vjen ndonjë fletëarrest për figura të larta politike dhe shtetërore të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Më tutje, avokati Gashi ka përmendur sfidat që sipas tij mund t’i dalin Kosovës.

“Kur Interpoli mund të kërkoj arrestimin e ndonjë figure të fuqishme në Kosovë për çfarëdo vepre penale të pretenduar nga ndonjë shtet dhe të kërkuar nga Interpoli a do të veproj policia e Kosovës si polici e pa varur apo jo kjo është pjesa ma e vështirë e të qenurit anëtar i Interpolit. Dhe si do të veproj Kosova në raport me fletëarreste të Serbisë për çfarëdo vepre ku duhet arrestu shqiptarë në favor të Serbisë, jo vetëm për vepra politikisht të motivuara. Këto janë sfidat që i pret Kosova me rastin e pranimit në Interpol. Sa më pak polici të politizuar, aq më afër Interpolit jemi’’, përfundon Gashi.

Shpresa për anëtarësim

Image
Hajrullah Tërnava

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava mbanë shpresë se Kosova do të anëtarësohet në mekanizmin më të madh policor në botë.

‘’Meqë Kosovës deri më tani ia kanë njohur pavarësinë e saj 116 shtete të botës, Interpoli si institucion ndërkombëtar për luftimin e krimeve në përgjithësi, i krijuar me të vetmin qëllim për bashkëpunim dhe luftimin e krimit si dukuri e luftimit të tij, e që krimi në botë nuk njeh kufij. Sikur që Kosova ka interesa që të anëtarësohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare sikur që janë INTERPOOL-i, UNECO e shumë të tjera, dhe këtë të drejt e kanë vetëm shtetet e pavarura, dhe vetë anëtarësimi në këto institucione është për të mirën e vetë shteteve të OKB-së, sepse me këtë anëtarësim të gjithë anëtarët në mënyrë ligjore janë të obliguar sipas ligjeve ndërkombëtare t’i kontribuojnë të mirave të përbashkëta në këtë rast luftimit të krimit në përgjithësi dhe drejtë për së drejti në mënyrë permanente dhe sa më të shpejt që e kërkon koha. Kosova me institucionet e saja e sidomos MPB-në me njësitë e saja për luftimin e krimit i plotëson dhe është e pregatitur për anëtarësim të përhershëm në Interpol, dhe me vetë faktin e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, i kontribuon shumë luftimit të krimit në përgjithësi si atij vendor edhe atij ndërkombëtar. Me këtë anëtarësim Kosova e konfirmon në një aspekt edhe pavarësinë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës”, është shprehur Tërnava.

Kujtojmë se Asambleja e përgjithshme e Interpolit, këtë vit  do të mbahet në nëntor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku Kosova do ta ketë rastin që të aplikojë për anëtarësim në Interpol.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat