Lepaja: Ndoshta Shpend Ahmeti nuk është larguar përfundimisht nga Vetëvendosje

Politika

Lepaja: Ndoshta Shpend Ahmeti nuk është larguar përfundimisht nga Vetëvendosje

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 mars 2018 Në ora: 22:30
Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas kësaj pati reagime të shumta, e tri parti, LDK, Nisma dhe Alternativa janë shprehur të gatshme që ta mirëpresin në parti atë, nëse ai dëshiron të bashkohet me njërën nga këto.

Lidhur me gjithë këtë, analisti politik Fadil Lepaja, në një prononcimin për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Shpend Ahmeti nuk duhet të ngutet që t’i bashkohet ndonjë partie.

“Mendoj se Shpend Ahmeti, njëherë nuk ka nevojë të ngutet, për tu bashkuar me ndonjë parti tjetër. Unë mendoj që si asnjëjës do të përpiqet të ndikojë që Vetëvendosje të bashkojë të dy krahët, në një formulë fituese edhe pse kjo duket e vështirë. Unë konfliktin në Vetëvendosje e kam quajt konflikt ne mes idealistëve/revolucionarëve që synojnë të ndërrojnë shoqërinë dhe pragmatikëve që synojnë pushtetin dhe ndërrimet përmes pushtetit. Është vështirë të besohet se ata do të kenë kapacitete për të ndryshuar qeverisjen duke u bashkuar me ata që janë duke qeverisur tani”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, VV si e vetme e ka vështirë të ndërrojë shoqërinë pa një lëvizje më të gjerë.

Image
Fadil Lepaja

“Po ashtu, duke u nisur nga fuqia e Vetëvendosjes revolucionare, e cila e vetme vështirë të kalojë 15-20 deputet, do të jetë vështirë të ndërrojë shoqërinë, pa një lëvizje më të gjerë, si ajo që e kishte krijuar para zgjedhjeve të fundit. Mendoj se Shpendi këtë synim kishte dhe prandaj nuk dha dorëheqje deri në këtë moment”, vlerëson ai për ”Bota sot”.

Sipas tij, Ahmeti nuk ka dashur të identifikohet me asnjërin grup dhe për këtë ka dhënë dorëheqje, derisa këtë e vlerëson si thirrje për reflektim për të dyja grupet.

“Me dorëheqjen e tij, ai nuk do të identifikohet me asnjërin grup dhe që asnjëri grup të mos e përdorë atë si dëshmi suksesi të politikës për Prishtinën. Prandaj, dorëheqjen e Shpendit e shoh si një thirrje që dy palët të reflektojnë dhe të mendojnë pasojat, pa llogaritur në të”, është shprehur më tej Fadil Lepaja.

Ai vlerëson se dorëheqja e Shpend Ahmetit është rasti i fundit për të përafruar pikëpamjet dhe që VV të mbetet partia e parë në vend.

“Mendoj, se kjo dorëheqje është rasti i fundit për të përafruar pikëpamjet dhe nëse të rebeluarit nuk janë instrumente në dorë të të tjerëve, mendoj se mund të gjendet opsion që Vetëvendosjen ta mbajë partinë e parë në vend, duke i synuar qëllimet e njëjta me metoda të kombinuara, nga të dy grupet”, ka përfunduar për “Bota sot” Fadil Lepaja.

Përpos Shpend Ahmetit, nga Lëvizja Vetëvendosje që nga fundi i vitit të kaluar ka pasur dorëheqje të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat