Si të parandalohet fushata e egër e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës?

Politika

Si të parandalohet fushata e egër e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 mars 2018 Në ora: 08:14
Foto ilustrim

“Gjasat janë të mëdha që ashtu siç ka pretendua Daçiqi, tërheqjet e njohjes të vazhdojnë dhe në këtë mënyrë ta dëmtoj imazhin e Kosovës tek vendet anëtare të OKB-së. Hapi i parë që duhet të bëhet që kjo kundër-diplomaci e Serbisë të ndalet, është ndryshimi komplet i tërë klasës diplomatike dhe qeverisëse të Kosovës, pastaj nga njerëz të ditur dhe shtetarë të ndërtohen strategji dhe taktika diplomatike nëpërmjet fuqisë së butë dhe shfrytëzimit të sponsorizueve të shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Kuqi.

Që nga shpallja e pavarësisë,  Serbia vazhdimisht ka lobuar tek shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të mos e bëjnë një gjë të tillë.

20 vite pas luftës, të cilën e bëri egërsisht në Kosovë, duke mos kursyer jetët e fëmijëve, grave e pleqve, Serbia ka nisur një fushatë po ashtu të egër kundër njohjeve të shtetit të Kosovës. Serbia ka shkuar aq larg, sa që po kërkon që të tërhiqen njohjet e arritura.

Për më tepër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se numri i vendeve që kanë njohur Kosovën do të jetë nën njëqind dhe se ky proces nuk ka përfunduar,  e ka vende që po rishqyrtojnë vendimet për njohjen e Kosovës.

Image
Gjergj Dedaj

Dedaj: Po punojmë në afirmimin e shtetit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj,  ka thënë për “Bota sot” se organet udhëheqëse të Kosovës po punojnë vazhdimisht në afirmimin e mëtejme të pavarësisë se Kosovës.

“Institucionet e Kosovës, Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe subjektet politike të cilat kanë qasje në partitë simotra evropiane dhe ndërkombëtare gjithnjë në kontinuitet punojnë në afirmimin e mëtejme të pavarësisë se Kosovës, posaçërisht të pesë vendet anëtare të BE, të cilat ende se kanë njohur Kosovën, por edhe të vendet tjera të cilat hezitojnë ta njohin realitetin e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Dedaj për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se ky është një proces, i cili ka edhe vështirësitë e veta, ngase disa vende i kanë "Kosovat e tyre" brenda tyre, lëvizjet për pavarësi por edhe problemet e theksuara politike, krizave, konflikteve dhe luftërave në të cilat ballafaqohen shtetet dhe rajonet në botë.

“Pavarësia e Kosovës nuk është çështje e Serbisë fqinje, e cila në dekadat e fundit bëri edhe gjenocid në Kosovë për të pamundësuar pavarësinë e Kosovës. Fatkeqësisht politika bizantine serbe me ironi trajton dhe komenton pavarësinë e Kosovës me të cilën një ditë do të ballafaqohet dhe do të jetë e detyruar ta njohë. Përrallat e Ivica Daqiqit, se do ta zbresë numrin e njohjeve të Kosovës nën 100, janë dëshira të tij të sëmura dhe ambicie të një neodiktatori i cili ka vështirësi të ballafaqohet me të vërteten dhe shtetin e Kosovës. Po te pyetet Daçiqi njohjet e Kosovës do të ishin zero por edhe ai e din se kjo është çështje e mbyllur dhe i sugjeroje ta vejë në agjendën e tij sa me parë njohjen e Republikës se Kosovës dhe ti kontribuoj paqes, sigurisë, stabilitetit dhe perspektives euroatlantike të Ballkanit Perëndimor” ka potencuar ai.

Image
Selim Daku

Daku: Në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston elementi i tërheqjes së njohjes

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe me ndërmjetësim të BE-së në kuadër të dialogut që zhvillohet në bruksel.

“Njëra nga to përmban edhe elementet që Serbia nuk duhet të pengoj Kosovën në arenën ndërkombëtare, qoftë në ndërtimin e raporteve me subjekte ndërkombëtare qoftë edhe anëtarësimin në mekanizma dhe organizata ndërkombëtare. Natyrisht, Serbia e bënë të kundërtën”, ka thënë Daku.

Gjithashtu, ai ka shtuar se Kosova duhet të njoftoj vendet që kanë njohur atë për fushatën e egër dhe të pamoralshme serbe ndaj Kosovës.

“Ne e dimë që në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston elementi i tërheqjes së njohjes prandaj veprime e lajme të tilla bëhen më shumë për konsum të brendshëm politik në serbi.  Sjellja e Daçiqit, në arenën ndërkombëtare paraqet edhe personalitetin e tij prej politikani, për të cilin konsideroj që mjerë populli serb që e ka”, ka theksuar Daku për “Bota sot”.

Image
Gurakuq Kuqi

Ndërsa, politologu Gurakuq Kuqi ka thënë se Kosova nuk ka asnjë aftësi as diplomatike e as kuadro në pushtet apo në institucionet përkatëse institucionale që të sjellë, krijojë apo të mbrojë njohjet diplomatike.

“Andaj nuk mund të bëjë asgjë qeverisja në Kosovë pasi ata vetë nuk e kuptojnë diplomacinë dhe e shohin vetëm si një vend pune për militant dhe zhvatje pa u lodhur për mbrojtjen e interesave shtetërore, sepse kanë hasur edhe para një populli ku një pjesë fle dhe një pjesë janë ushtarë të oligarkisë funksionale brenda demokracisë formale. Njohjet e Kosovës i ndajmë në dy kategori, njohjet kualitative të cilat vijnë dhe janë siguruar nga aleatë, miqtë dhe ndërtuesit e shtetit të Kosovës, dhe njohjet fiktive, të cilat janë marrë nga kanale të ndryshme, madje me dyshime edhe për blerje të disa njohjeve nga shtete kaotike”, ka thënë ai.

Kuqi tregon se si mund të ndalet kundër-diplomacia

Ndërsa, për kategorinë e dytë të njohjeve, Kuqi ka thënë se tani vetëm se kanë filluar të tërhiqen me një kundër-çmim më të lartë që u ofron shteti i Serbisë.

“Dhe gjasat janë të mëdha që ashtu siç ka pretendua Daçiqi, tërheqjet e njohjes të vazhdojnë dhe në këtë mënyrë ta dëmtoj imazhin e Kosovës tek vendet anëtare të OKB-së. Hapi i parë që duhet të bëhet që kjo kundër-diplomaci e Serbisë të ndalet, është ndryshimi komplet i tërë klasës diplomatike dhe qeverisëse të Kosovës, pastaj nga njerëz të ditur dhe shtetarë të ndërtohen strategji dhe taktika diplomatike nëpërmjet fuqisë së butë dhe shfrytëzimit të sponsorizueve të shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar Kuqi.

Në fund, ai ka shtuar se një gjë të tillë nuk mund ta presim, oligarkia asnjëherë me vullnetin e tyre nuk e lëshojnë pushtetin, dhe madje shfrytëzojnë demokracinë për të ricikluar dhe fuqizuar pushtetin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat