Largimi i Ahmetit, Shahu tregon se çfarë do të ndodhë me Vetëvendosjen

Politika

Largimi i Ahmetit, Shahu tregon se çfarë do të ndodhë me Vetëvendosjen

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 mars 2018 Në ora: 16:26
Shpend Ahmeti

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Lëvizjen Vetëvendosje filluan dorëheqjet nga anëtarë të saj. E së fundmi, nga kjo parti dha dorëheqje kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ishte ndër më të votuar në zgjedhjet e fundit.

E për të, partitë politike, LDK, Nisma dhe Alternativa janë shprehur të gatshme ta pranojnë atë pjesë të tyre, nëse ai dëshiron tu bashkohet.

Lidhur me dorëheqjen e tij, analisti politik Rexhep Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se nuk është bërë hata që është dorëhequr Shpend Ahmeti dhe se dorëheqja e tij ështëpresion nga dorëheqjet e mëparshme dhe ato që nuk kanë ndodhur ende.

“Dorëheqja e Shpend Ahmetit nga VV pason dorëheqjet e mëparshme dhe dorëheqja e Shpendit është presion nga dorëheqjet e mëparshme dhe presion ndaj atyre që nuk janë dorëhequr ende. Ngaqë është kryetar i Prishtinës kuptohet në kurse dhe e lakmojnë partitë e tjera por ajo ka notuar në të njëjtat ujëra si të tjerët në VV, ka skuqur duart si të tjerët për politikat e VV-së. Nuk ka ndodhur asnjë hata pse u dorëhoq Shpendi, i cili po sheh kalin tjetër që ta shalojë nëse ai mendon që të rrijë ende në politikë. Nëse jo, atëherë nuk po lyp kalë tjetër”, është shprehur Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Ahmeti ia ka shijuar ëmbëlsinë pushtetit dhe do të hyjë në ndonjë parti.

“Besoj se ia ka shiju ëmbëlsinë karriges së pushtetit dhe do të lypë të hyjë në ndonjë parti tjetër dhe partitë me kupta të ulëta janë gati ta gradojnë duke menduar se ai ka rreth vetes disa vota për shkak të nderëve që ka bërë dhe raporteve që ia ka mundësuar pushteti i kryetarit”, vlerëson ai.

Ndërsa, sa i përket suksesit që do të ketë VV, duke qenë se ishte e tillë në zgjedhjet e fundit, Shahu mendon se VV nuk do të shuhet, por do t’i zbehet shkëlqimi dhe nuk do të ketë ngritje.

“VV nuk do të shuhet por rrëzëllima do t’i zbehet dalëngadalë për shkak të historive të palavdishme të dorëheqjeve, të organizimit të brendshëm, të përgojuar. Nuk besoj se ka e do të ketë ngritje të VV-së, ndonëse në elektoratin shqiptar çështja e votimeve nuk merret seriozisht dhe gjëja që shitet me lirë është vota, më lirë se një pulë”, ka deklaruar për “Bota sot”, analisti Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat