Bajrami: Përjashtimi nga EQAR shkakton kaos në arsimin e lartë

Politika

Bajrami: Përjashtimi nga EQAR shkakton kaos në arsimin e lartë

SUZANA RUGOVA Nga SUZANA RUGOVA Më 9 mars 2018 Në ora: 21:40
Ministria e Arsimit, Shkences dhe Teknologjise

Vendimi për përjashtimin e Kosovës nga EQAR-i është marrë pasi që kjo organizatë ka konstatuar se ndaj AKA-së pati ndërhyrje politike, përkatësisht munguan prova se ndaj ndonjë anëtari të Bordit po zhvillohen hetime për keqpërdorime. Vendimi i EQAR-it erdhi pas suspendimit të Bordit të AKA-së nga Ministri i Arsimit të Kosovës, vendim ky që ndodhi me kërkesën direkte të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në lidhje me këtë çështje, Kushtrim Bajrami nga Qendra për Arsim e Kosovës, në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’, thotë se ndërhyrja e Qeverisë në një institucion të pavarur siç është AKA është e papranueshme.

Image
Kushtrim Bajrami

‘’EQAR ka përjashtuar AKA nga Regjistri me arsyetimin se AKA nuk e plotëson më standardin 3.3. lidhur me aftësinë për të vepruar e pavarur. Ky standard kërkon që agjencitë anëtare të akreditimit të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome, duke mbajtur përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe rezultatet e këtyre veprimeve, duke qenë të pandikuar nga ndikimi i politikës. Preteksti i marrjes së këtij vendimi për përjashtim ka qenë vendimi i MASHT për shkarkimin arbitrar të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Cilësisë (përfshirë ndërkombëtarët) dhe ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së AKA-së. Pra, përjashtimi nga EQAR ka ndodhur për shkak të ndërhyrjes së Qeverisë në punën e një organi të pavarur, që është e papranueshme për një institucion prestigjioz si EQAR. Për më tepër, në vendimin e EQAR, shprehen dyshime se procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të KKC ka qenë jo transparent dhe jo në funksion të sigurimit të autonomisë së veprimit të AKA’’, ka thënë Bajrami.

Për më tepër, Bajrami vlerëson se ndikimi i ushtruar nga Qeveria, e lë fajtore këtë të fundit për përjashtimin e AKA-së nga EQAR-i. Sipas tij, nëse Agjencia nuk funksionalizohet brenda një periudhe të shkurtër arsimi i lartë në Kosovë rrezikon të hyn në gjendje kaosi.

‘’ Pa dyshim që fajtor kryesor për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimi nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është Qeveria e Kosovës e cila kishte zgjedhur një mënyrë jashtëzakonisht arbitrare, të pamenduar, dhe të bazuar në force. Duhet cekur, që këtij vendimi të kreut të MASHT i kishte paraprirë një kërkesë e paprecedent nga Kryeministri i Kosovës dhe me aludimet e paargumentuara që ka pasur “parregullësi serioze” të cilat janë shndërruar në “objekt të diskutimit publik”. Shqetësues është fakti që një veprim i tillë për shkarkimin ka ardhur në një periudhë kur AKA kishte treguar një përkushtim në rritje, ndonëse jo të kënaqshëm, për t’i adresuar problemet e cilësisë në arsimin e lartë, që ka rezultuar me zvogëlimin e numrit të programeve të akredituara nga 468 (në vitin 2014/15) në 344 (në vitin 2017/18). Po ashtu, duhet theksuar se AKA i ishte kundërvënë me vendosmëri përpjekjeve për të regjistruar si bartës të programeve persona nga Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët vazhdojnë të jetojnë dhe punojnë në institucionet e këtyre dy vendeve fqinje. Përkundër suksesit fillestar, Bordi i AKA-së u shkarkua. Mendoj që tani duhet që të gjitha përpjekjet të përqendrohen në funksionalizimin sa më të shpejtë të AKA-së, meqenëse pa ratifikimin e Bordit të ri, nuk mund të ketë çfarëdo veprimi juridik për të apeluar vendimin e EQAR, e po ashtu rrezikojmë edhe përjashtimin nga ENQA ( Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë) e cila ka paralajmëruar procesin e vlerësimit të jashtëzakonshëm të AKA, edhe pse anëtarësia në këtë asociacion është valide deri në maj të vitit 2019. ENQA është themeluese dhe është e përfaqësuar në EQAR, prandaj një veprim i koordinuar i këtyre dy mekanizmave është i pritshëm. Nëse Agjencia nuk funksionalizohet brenda një periudhe të shkurtër (një muaji) arsimi i lartë në Kosovë rrezikon të hyn në gjendje kaosi, pasi shumë institucione të arsimit të lartë dhe programe studimi mbeten pa akreditim dhe të mos jenë në gjendje të regjistrojnë studentë të rinj’’ përfundon Bajrami.

Deri më tash nuk janë dhënë kurrëfarë dëshmishë për arsyeshmërinë e vendimit. E gjitha që është thënë me rastin e suspendimit është se “ka informacione sekrete për keqpërdorime”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat