Ngecja e Prokurorisë Speciale dhe burgosja e veteranëve të rrejshëm!

Politika

Ngecja e Prokurorisë Speciale dhe burgosja e veteranëve të rrejshëm!

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 10 mars 2018 Në ora: 22:04
ilustrim

Hetimi për ata që manipuluan më listat e veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ende vazhdon të jetë në fazën fillestare. Deri më tani nuk bëhet asgjë e ditur se kush është duke u hetuar për ketë nga Prokuroria.

Ndërsa, numri i atyre që po përfitojnë pension si luftëtar nga shteti është mjaft i lartë, edhe pse sipas përfaqësuesve të atyre që vetë krijuan listat as gjysma e tyre nuk kanë qenë në luftë.

Fryrja e Listave të veteranëve të ish Ushtarëve të UCK-së ka bërë që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tash e një kohë të fillojë hetimet për personat që kanë bërë keqpërdorime.

Por sa kanë ecur këto hetime deri më tani?

Image
Hekrem Lutfiu

Hekrem Lutfiu, zëdhënës tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë për “Bota sot” se Prokuroria nuk mund të jap asnjë përgjigje pasi që Prokuroria ende është në fazën e hetimeve.

“E inkurajojmë secilin që është i gatshëm të dëshmoj, për cilindo qoftë, lidhur me ndonjë dyshim për ndonjë vepër penale, po ashtu, ftojmë të lajmërohen në çdo kohë në Prokurori. Po ashtu, Prokuroria e inkurajon secilin që ka informacione, din diçka, ka parë ose dëgjuar për këto keqpërdorime që të lajmërohet në Prokurori”, ka thënë për “Bota sot” Hekrem Lutfiu.

Prokuroria interviston Qeriqin

Kurse, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, ditë më parë ka thënë se në një bisedë me hetues të Prokurorisë së Shtetit, Qeriqi tha se u ka ofruar atyre mënyrë më të lehtë për të zbuluar se kush ka qenë e kush jo në luftë.

Image
Xhevdet Qeriqi

I kontaktuar nga “Bota Sot”, Qeriqi, ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë informacion se deri ku kanë shkuar hetimet e nisura nga Prokuroria e Kosovës për futjen e njerëzve në listat e veteraneve edhe pse s’kanë qenë pjesëmarrës në luftë.

“Po tu them të drejtën nuk kam asnjë informacion deri ku kanë shkuar hetimet nga organet kompetente të shtetit. Krejt çka mund të ju them rreth kësaj çështje. Para disa muajsh kam pasur një takim të rastësishëm me hetues të prokurorisë të republikës të Kosovës, ata më kanë njoftuar se kanë filluar hetimet rreth fryrjes të listave të veteranëve nga ana e komisionit qeveritar, po ashtu më kanë kërkuar tu tregoj se cila është forma më e lehtë për ti zhvilluar hetimet dhe unë u kam thënë se nëse janë të interesuar që ti pastrojnë këto lista duhet të merren për bazë Arkiva e Shtabit të përgjithshëm të TMK-së, arkiva e shoqatave të dalura nga lufta  si dhe arkiva e organizatës ndërkombëtare IOM, aty janë listat e sakta të luftëtareve të UÇK-së”, ka thënë Qeriqi.

Qeriqi ka konfirmuar që është intervistuar nga hetues të Prokurorisë Speciale.

“Se kush po e pengon këtë proces dhe këtë hetim nuk kam informacione mirëpo një gjë mund tu them se ky komision  qeveritar, i cili është marrë me verifikimi e veteranëve e ka dëmtuar dëmtuar imazhin e luftëtarit të vërtet të UÇK-së. Kam marrë një telefonatë nga hetuesit e prokurorisë të republikës të Kosovës, hetues këta që po merren me listat e veteranëve ku kam qenë më datë 08.03.2018,për tu takuar me ta, në cilësinë e bashkëpunimit”, ka përfunduar Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së.

Selimi: Dikush duhet të shkojë në burg

Kurse sipas ish Komandantit të UÇK-së, tash  deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, listat e veteranëve janë trefishuar.

Image
Rexhep Selimi

“Duke e rezultuar, pamohueshëm tashmë, që janë fryrë listat e veteraneve të Luftës se UCK-së deri në trefishim, si dhe duke e ditur që cilido falsifikim i dokumentave apo dëshmi e rrejshme është vepër e dënueshme më ligj, atëherë i bie që prokuroria do të duhej të merrej më hapjen e 40.000 rasteve për hetim të kryerjes se veprës penale. Përderisa për gjithë ketë proces ka  njerëz që kanë qenë të ngarkuar nga Qeveria për verifikimin e listave në të gjitha nivelet, atëherë të njëjtit duhet të ngarkohen më përgjegjësi. Po ashtu edhe të identifikohen të gjithë ata që nën përgjegjësinë e tyre kanë bërë shkelje të ligjit duke pranuar më vetëdije dhe duke falsifikuar dëshmi e dokumente të rrejshme. Duke filluar nga personat përgjegjës në nivele të larta e deri të cilido individ që ka falsifikuar dhe ka dëshmuar rrejshëm, duhet që të jetë objekt hetimi dhe të vihen para drejtësisë”, ka thënë Selimi.

Sipas deputetit të Vetëvendosjes, kushdo që ka falsifikuar apo dëshmuar rrejshëm më qëllim të përfitimit material duhet të përgjigjet para drejtësisë, ku sipas tij dikush duhet të shkojë në burg për ketë gjë.

“Deri më tash nuk kemi parë ndonjë aktakuzë të ngritur për ketë. Kushdo që ka falsifikuar apo e ka shkelur ligjin për Veteranët duhet të përgjigjet, pavarësisht kush janë ata, qofshin politikanë të sotëm apo luftëtarë të djeshëm. Dikush ka përfituar nga kjo situatë, në ndërkohë që ajo që ka humbur është UÇK-ja dhe historia e saj. E për ketë ka njerëz përgjegjës” ka thënë për “Bota sot” deputeti në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi.

Prokuroria nuk ka pavarësi

E profesori i së drejtës dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka thënë se vonesa e prokurorisë se Kosovës ka të bëjë më atë se ky mekanizëm nuk ka pavarësi, prej nga mund të priten rezultatet.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështja se listat janë të fryra qëndron dhe natyrisht se ka ndikuar dukshëm në humbjen e rëndësisë se madhe që ka veterani. Nuk qëndron e dhëna se nuk ka mbi 11 mijë veteranë, unë kam mendim tjetër për këtë. Çështja është se në vitin 1998/99 kemi një kryengritje të përgjithshme dhe si e tillë edhe shumë pjesëmarrës. Ato raste duhet shoshitur dhe më siguri se numri do të jetë shumë më i madh i veteraneve. E terë kjo do të varet nga politika. Nëse done ky mekanizëm zgjidhen rastet  e dyshimta” ka shtuar Kelmendi.

Ndërsa Ish-udhëheqësi i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të UÇK-së Agim Çeku, tani zëvendësministër i FSK-së, ka deklaruar se nuk është mirë që një pjesë e veteranëve të luftës kanë vepruar duke u larguar nga puna me vetë dëshirë vetëm e vetëm për t’i marrë 170 euro pension të veteranëve.

“Kjo që ka ndodhur nuk është e mirë, edhe mua nuk më vjen mirë që kanë vepruar kështu, kjo bie ndesh me kodin e ushtarakut. Këtu është problemi. Ne duhet të kërkojmë që të pastrojmë listat e veteranëve të luftës”, tha Çeku në një intervistë ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat