Pesëshja e BE-së, pengesë kryesore për Kosovën në integrimin evropian

Politika

Pesëshja e BE-së, pengesë kryesore për Kosovën në integrimin evropian

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 mars 2018 Në ora: 08:02
Bashkimi Evropian

Çështja e Kosovës është e vështirë për Serbinë dhe është një nga kushtet për Serbinë, sepse BE nuk do të vendoset në pozitën e gjyqtarit, thotë ministri i jashtëm i Sllovakisë, Ivan Korçog.

Shefi i diplomacisë sllovake përsëriti se Sllovakia nuk do ta pranojë Kosovën, jo për shkak të Serbisë, por siç thotë, për shkak të parimit.

 “Ne nuk do ta pranojmë Kosovën, jo për shkak të Serbisë, por për ne kjo është çështje parimi dhe mbetet e qëndrueshme”, tha Korçog.

Sllovakia nuk është vend i vetëm që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës janë edhe katër shtete tjera evropiane, ndërkaq njohësit e integrimeve ndërkombëtare thonë se ajo do ta ketë të vështirë në proceset e integrimit evropian.

Ndikimi i vogël i Sllovakisë

Përkundër që ministri sllovak ka thënë nuk do ta pranojnë Kosovën për shkak të parimit e jo për shkak të Serbisë, zyrtari i AKR-së, dhe zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies sociale, Vesel Makolli thotë se ai ndikohet nga interesi serb.

Image
Vesel Makolli

Veseli në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ndikimi i Sllovakisë është i vogël.

“Deklarata e Ministrit  sllovak nuk mund të merret si mendim i tij personal apo shtetëror sllovak i pa ndikuar nga interesi serb. Përkundrazi dihet sheshit që Sllovakia e ka përkrah Serbinë në raport me Kosovën, dhe ka qenë kundër pavarësisë së shtetit tonë. Kosova ka mbetur e vetmja pjesë e Ballkanit, apo më mirë të themi  të Evropës mesdhetare ku ende tentohet të destabilizohet nga boshti serbo- rus, për qëllime të kundërshtimit të projektit SHBA- BE, për një Kosovë të pavarur e cila e zgjidh në masë  të madhe çështjen shqiptare dhe kontribon në stabilitetin e Ballkanit të trazuar dhe në tërë Evropën. Sllovakia dihet që ka të drejtë vetoje (pasi çdo shtet i BE e ka), mirëpo ndikimi i saj faktik është i vogël andaj në fund duhet, Serbia, Sllovakia dhe përkrahësit tjerë të saj, ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, e që është edhe për të mirën e tyre”, ka pohuar Makolli.

Makolli ka treguar se ministri Behgjet Pacolli, është duke bërë lobim të vazhdueshëm që Kosova të njihet nga 5 shtetet evropiane.

“Pa një Kosovë të pavarur dhe të pranuar në KB e BE, ku populli i shtypur me shekuj pikërisht edhe nga Serbia fitoi vetëqeverisjen dhe lirinë e pritur me shekuj, nuk do të ketë, fqinjësi të mirë, paqe dhe prosperitet, jo vetëm në Ballkan e Evropë, por edhe më gjerë. Ministria e Punëve të Jashtme gjegjësisht zv. kryeministri i parë dhe Ministri i Behgjet Pacolli janë duke e bërë një lobim të pa parë gjerë më tani duke ju kundërvënë anti- lobimit serb dhe duke sjellë njohje të reja. Spektri ynë politikë duhet të jetë unik, kur janë në pyetje çështjet jetike për shtetin, si dhe për plotësimin e obligimeve ndërkombëtare ndaj miqve tanë, për të pasur përkrahjen e tyre të plotë  në rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt anëtarësimit në BE ku dhe e kemi vendin historikisht dhe në institucionet tjera ndërkombëtare”, ka theksuar Makolli.

Lobimi te pesëshja e BE-së

Ndërsa, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj ka thënë për “Bota sot” se, perspektiva evropiane për Kosovën është e zbraztë, përderisa nuk njihet nga pesë vendet e tjera evropiane.

Image
Sami Blakaj

“Pa pasur njohje nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, Kosova nuk mund të lëvizë para në proceset e integrimit evropian. Tashmë është e qartë se perspektiva evropiane për Kosovën është e zbrazët përderisa ajo nuk njihet edhe nga pesë vendet e tjera të BE-së që akoma hezitojn të njohin shtetësinë e Kosovës. Vetë traktatet e BE-së nuk krijojnë hapësirë ligjore që Kosova të bëjë progres në anëtarësimin e saj në union, pa u njohur nga të gjitha shtetet anëtare”, ka pohuar Blakaj.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të lobojë më shumë tek pesëshja e BE-së.

“Në këtë drejtim mendoj se Kosova, por edhe institucionet e BE-së duhet ta kenë në prioritet të agjendës së tyre lobimin tek pesëshja e BE-së, prioritet i cili vlerësoj të ketë munguar deri më tani. Serbia dhe diplomatët e saj vazhdojnë të luajnë rol aktiv kundër subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe fatkeqësisht lobimi i tyre kundër Kosovës nuk përfshin vetëm vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe ato që tashmë e kanë njohur pavarësinë e saj”, ka nënvizuar Blakaj.

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka pasur synime të qarta për integrim në BE, mirëpo mos- njohjet nga pesë vendet  anëtare të këtij organizimi: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja i kanë sjellë Kosovës vështirësi.

Sllovakia përkundër që nuk e ka pranuar Kosovën, ajo tregohet e moderuar sa i përket kontakteve liberale. Ajo ka zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.

Ndërsa, Qipro nuk ka as marrëdhënie zyrtare as jozyrtare me Republikën e Kosovës. Qëndrimi i Qipros ndaj Kosovës është i prerë dhe nuk njeh as dokumentet e Kosovës.

Ndërkaq, argumentet e Greqisë për mosnjohje janë kryesisht në 3 pika, të cilat janë: Kundërshtimi i hapur i së drejtës ndërkombëtare; Keqtrajtimi i pakicave, kryesisht asaj serbe; Krijimi i parajsës së krimit të organizuar.

Por, Athina ka pranuar dokumentet e Kosovës, ka ruajtur komunikimin ndër tregtar.

Kurse, Rumania argument për mos njohje të Kosovës e ka paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Arsyet kryesore, janë politika e jashtme e Rumanisë dhe mënyra e përshtatjes së çështjes së Kosovës (në perspektivën historike dhe në kontekstin aktual), situata e brendshme politike, pasi çështja lidhjet ngushtë me interesat e brendshme dhe të jashtme të administratës aktuale.

Dhe, vendi i fundit evropian që nuk njeh Kosovën është Spanja. Ajo nuk e ka njohur Kosovën për Kosovën për arsye që zakonisht janë cituar nga ata që e kundërshtonin atë: përmendja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë në Rezolutën 1244, statusi i Kosovës si krahinë e Serbisë (dhe jo si republikë e federuar) në Jugosllavi, mungesa e marrëveshjes ndërmjet palëve ose një rezolutë e KB-së, krijimi i një shteti ‘për arsye krejtësisht etnike. Poshtu respektimi i tri parimeve: e drejta ndërkombëtare, stabiliteti rajonal dhe uniteti i veprimit i Bashkimit Europian. Për dallim nga shumica e vendeve mosnjohëse që kanë interesa në rajon, Spanja shkëputi çdo lidhje të përfytyrueshme me autoritetet e Kosovës së pavarur dhe hoqi dorë nga çdo lloj përfaqësimi në Prishtinë, qoftë në formën e zyrës së përhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat