Ramush Tahiri tregon a mund të shkarkohet Shpend Ahmeti nga pozita e kryetarit

Politika

Ramush Tahiri tregon a mund të shkarkohet Shpend Ahmeti nga pozita e kryetarit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 11 mars 2018 Në ora: 15:21
Ramush Haradinaj

Politologu i njohur Ramush Tahiri, ka komentuar largimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka  thënë se kjo që po i ndodhë kësaj Lëvizje, u ka ndodhur edhe partive të tjera.

“Kjo që po i ndodhë Vetëvendosjes, u ka ndodhë të gjitha partive të tjera në Kosovë më herët. Disa parti janë ndarë përfundimisht dhe janë krijuar grupime të reja politike, disa janë ndarë dhe janë bashkuar disa janë shuar krejt disa kanë mbijetuar një mandat e disa janë në skenë falë koalicioneve parazgjedhore dhe ma vonë edhe koalicioneve qeverisëse. Kjo u ka ndodhur më herët të gjitha partive politike në Kosovë , LDK-së me Nexhat Dacin, PDK-së me Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn, ORA-s me Veton Surroin, AAK-së me të dy kryeministrat Bajram Kosumi e Agim Çeku, mandej me ministrat Et’hem Çeku e Bujar Dugolli etj, Frymës së Re me Shpend Ahmetin etj. AKR-me Mimoza Kusarin dhe një pjesë të ish deputetëve etj. Pra, kjo është një dukuri që është bërë si rregull kur kuadrot lëvizin nga një parti në tjetrën ose që dalin të pavarur, të përmendim Melihate Tërmkollin, Haki Shatrin, Naim Malokun, Hydajet Hysenin, Ali Lajçin etj”, është shprehur Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Politologu ka thënë se Vetëvendosje do të ndahet në dy parti politike dhe do të formohet një Grup i ri Parlamentar.

“Vetëvendosje, duke i parë rrethanat, pashmangshëm do të ndahet në dy parti politike dhe do të ketë luftë politike për marrjen e vazhdimësisë e trashëgimisë së Vetëvendosjes. Kjo zgjidhet me zgjedhjet parlamentare me regjistrim në KQZ dhe me marrjen e votave nga qytetarët në zgjedhje”, ka thënë ai.

Ramush Tahiri ka komentuar edhe dorëheqjen e Shpend Ahmetit nga VV-ja, duke thënë se është e pamundur që ai të shkarkohet nga pozita e kryetarit të Prishtinës, përveç nëse ai dëshiron këtë gjë.

“Shpend Ahmeti ka të drejtë të jap dorëheqje t’i bashkohet ndonjë partie tjetër ose të deklarohet i pavarur. Sipas ligjit , pasi zgjedhet drejtëpërdrejt nga populli gati se është e pamundur të shkarkohet, përveç në rastet e vendimit të Gjykatës për shkelje ligji dhe për ndonjë vepër penale. A do të rrijë apo jo kryetar i Prishtinës varet prej tij, ashtu si do të varet a do të jetë në vijë me Vetëvendosjen apo jo”, ka shtuar politologu Ramush Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat