Befason Kurteshi: Ardhjet në Vetëvendosje janë më shumë, sesa daljet

Politika

Befason Kurteshi: Ardhjet në Vetëvendosje janë më shumë, sesa daljet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 mars 2018 Në ora: 19:45
Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka humbur edhe një deputete tjetër duke çuar kështu në 12 numrin e deputetëve të dorëhequr nga kjo parti.

Përkundër këtyre dorëheqjeve, Vetëvendosja thotë se ardhjet në partinë e tyre janë më shumë, se sa daljet.

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi, ka thënë për “Bota sot” se në partinë e tyre çdo ditë ka prurje të reja, qoftë njerëzit publikë, qoftë të thjeshtë.

Sipas tij, numri i ardhjeve në Vetëvendosje është më i lartë, sesa numri i daljeve.

“Vetëvendosja asnjë ditë nuk është si dita e mëparshme, është një subjekt shumë dinamikë, në Vetëvendosje ka edhe dalje edhe hyrje. Për çdo ditë kemi hyrje, ju gazetarët jeni koncentruar në daljet, por ne kemi edhe prurjet e reja edhe njerëzit publikë edhe njerëz të thjeshtë të cilët po inkuadrohen në Vetëvendosje dhe sjellin ndryshime të reja. Natyrisht që, çdo humbje nuk është që nuk lë ndonjë pasojë, por Vetëvendosja është shumë e vërtetë, e kemi thënë të gjithë që nuk ka ndarje, kjo është fakt sepse nëse flasim për daljet gjatë këtyre dy muajve, ata mund të numërohen me shifra jo tre shifrore, por dy shifrore, kurse ardhjet janë më shumë”, ka pohuar Kurteshi.

Ai nuk ka dashur të përmend emrat e rinj në Vetëvendosje, por ka shtuar se dorëheqjet i kanë sjellë asaj më tepër anëtarë të rinj.

“Të them të drejtën ka prurje shumë të rëndësishme, nuk do të kisha përmendur me emra sepse sigurisht se do t’i hyja hak ndonjërit prej atyre personaliteteve tjera, por së shpejti të gjitha këto prurjet do të bëhen publike dhe ju do të njoftoheni. Pas dorëheqjeve që janë bërë që i konsiderojmë të padrejta, sidomos sepse votat kryesisht i kanë marrë për shkak të përkatësisë së tyre partiake, nuk them që nuk ka vota si persona të përveçëm, por për përkatësi partiake ata i ruajnë votat qoftë si deputet, qoftë si kryetar komunash, kjo po i irritojnë njerëzit dhe votues duke i sjellë më shumë të bëhen anëtarë të Lëvizjes”, ka theksuar Kurteshi.

Dorëheqjet në Vetëvendosje nuk i kanë bërë përshtypje as kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti.

Ai në mbledhjen e mbajtur  të shtunën me kryetarë dhe sekretarë të Qendrave të kësaj partie, i quajti për keqardhje dhe të gabueshme dorëheqjet nga Vetëvendosja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat