Dajës iu hoq viza, qytetarët vazhdojnë qëndrimin në burg

Politika

Dajës iu hoq viza, qytetarët vazhdojnë qëndrimin në burg

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 12 mars 2018 Në ora: 21:17
Azem Syla

Mes zhurmave të shumta rreth miratimit dhe kundërshtimit të marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, qytetarët e Kosovës u zgjuan të hënën me një lajm befasues.

Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri deri në epilogun e procesit gjyqësor për rastin “Toka”.

Gjersa në Kosovë flitet e përflitet që të mos i falet tokë Malit të Zi, për një tokë tjetër në Prishtinë, dyshohet se janë keqpërdorur mjete të mëdha.

Vetëm disa ditë pasi rasti “Toka” kaloi në duar të organeve të drejtësisë vendore, kjo e fundit vendosi që të lirojë tre të akuzuarit kryesorë të këtij rasti, duke përfshirë Azem Sylën. 

Të pandehurit, me në krye ish Deputetin Syla, akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Pa paragjykuar rastin në fjalë, ajo çfarë na u kujtua menjëherë pas vendimit të Gjykatës, janë raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, ku Kosova radhitet në mesin e vendeve me nivel të lartë korrupsioni dhe ndërhyrje të politikës në drejtësi.

Lënia në liri e Sylës, marrë parasysh rastin për të cilin akuzohet, vë në dyshim funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë në vend, pavarësisht arsyetimit të gjyqtarit të rastit për këtë vendim. 

Për më tepër, ndër kushtet që duhet të plotësojnë autoritetet e Kosovës, për liberalizimin e vizave është edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Çdo zyrtarë që vjen për vizitë në Kosovë, ka në qendër të fjalimeve të tij, thirrjen për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ata kanë bërë të ditur vazhdimisht, se liberalizim të vizave do të ketë vetëm atëherë kur Kosova të tregoj fakte konkrete në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë qenë pikat më të zeza për Kosovën e pas luftës, ndërsa arrestime të personave të dyshuar ka pasur pak. Edhe ato raste që janë hetuar, janë zvarritur me vite apo kanë përfunduar me lirimin e të dyshuarve.

Kjo na bën të kuptojmë, se miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk e garanton lirinë e lëvizjes për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova nuk po arrin të luftojë dukurinë e korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Mbase, kjo javë mund të jetë vendimtarja për miratimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por qytetarët nuk duhet të ushqehen me shpresën se pas zgjidhjes së këtij problemi do të lëvizin lirshëm në Evropë.

Lirimi i dajës (Azem Sylës), dhe zvarritja e procesit gjyqësorë ndaj tij dhe të tjerëve mund të bëhen shkak që lëvizja e lirë të mbetet vetëm ëndërr e parealizuar e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat