Ndarja me pasoja të rënda për Lëvizjen Vetëvendosje

Politika

Ndarja me pasoja të rënda për Lëvizjen Vetëvendosje

Nga: Naile Ejupi Më: 14 mars 2018 Në ora: 09:42
Vetëvendosje

Dorëheqjet e vazhdueshme në partinë në të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, do të reflektojnë në dobësimin e tyre si faktorin opozitar, mirëpo ato nuk e dëmtojnë partinë në koncept esencial.

Në zgjedhjet nacionale të mbajtura në qershor të vitit 2017, Lëvizja Vetëvendosje doli fituesja më e madhe.

Si parti e vetme, pa koalicione, Vetëvendosja u rendit subjekt politik më i votuar në vend, duke arritur të marrë kështu 32 ulëse në Kuvend.

Rreth 200 mijë votues kanë votuar për Vetëvendosjen, duke e renditur kandidatin për Kryeministër, Albin Kurtin, si lider më i votuar.

Edhe zgjedhjet komunale arritën t’i sjellin Vetëvendosjes votues më shumë se zgjedhjet paraprake, përveç kryeqytetit, ajo arriti ta fitojë edhe Prizrenin dhe Kamenicën,  duke zgjeruar qeverisjen e saj komunale.

Mirëpo, me rezultatet e suksesit të kësaj partie kishin filluar edhe dorëheqjet, të cilat vazhdojnë edhe në ditët e sotme.

Të shtunën e javës së kaluar, dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë deputetja Besa Baftiu, duke çuar në 12 numrin e deputetëve të dorëhequr.

Dorëheqjet në këtë Lëvizje, kishin filluar që nga korriku i vitit 2017, ndërsa me kandidaturën e Albin Kurtit për Kryetar të kësaj partie dhe fitoren e tij,  ato janë intesifikuar.

Dorëheqjet

Fillmisht ka qenë Dardan Molliqaj, i cili pas zgjedhje si deputet ka dorëzuar postin e sekretarit organizativ në VV, mirëpo më vonë në dhjetor të 2017 dhe janar të këtij viti, ai ka arritur të marrë pas vetes edhe shumë anëtarë tjerë, duke ndarë kështu Vetëvendosjen në “Krahu Molliqaj” dhe “Krahu Kurti”.

“Përçarja” publike e Lëvizjes filloi me ofendimin e liderit Albin Kurti nga deputetja Aida Dërguti dhe kjo rezultoi me dorëheqjen e kësaj të fundit.

Të rreshtuar në “Krahun Molliqaj” së bashku me Aida Dërgutin, u bë edhe ish-kryetari i VV-së Visar Ymeri, deputetët Dardan Sejdiu, Donika Kadaj – Bujupi, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Faton Topalli, Frashër Krasniqi dhe Shqipe Pantina, duke thënë se arsyet e dorëheqjes së tyre është udhëheqja partiake.

Lëvizjes Vetëvendosje, i janë larguar edhe dy kryetarë komunash si dhe dhjetra asamblistë e aktivistë.

Para Shpend Ahmetit dorëheqje kishte dhënë kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati, duke e lënë kështu Lëvizjen Vetëvendosje të udhëheq vetëm me Prizrenin dhe Mytaher Haskukën.

Prishtina dhe Kamenica kanë qeverisje “individuale” ndërsa që shumicën e asamblistëve në kuvendet komunale i kanë të Lëvizjes Vetëvendosje. Anjëri prej të larguarve të VV-së, nuk kanë dhënë dorëheqje nga postet që i kanë fituar në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, që të gjithë mbajnë postet e deputetëve dhe të kryetarëve të komunave, largimin e kanë bërë vetëm nga partia e Kurtit.

Kurteshi: Presim anëtarësime të reja

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi, dorëheqjet i konsideron të padrejta, duke shtuar se postet që ata i mbajnë janë kryesisht nga votat e përkatësisë partiake.

“Pas dorëheqjeve që janë bërë i konsiderojmë të padrejta sidomos sepse votat kryesisht i kanë marrë për shkak të përkatësisë së tyre partiake, nuk them që nuk ka vota si persona të përveçëm dhe për përkatësi partiake ata i ruajnë votat qoftë si deputet, qoftë si kryetar komunash, po kjo i irritojnë njerëzit dhe votues duke i sjellë më shumë të bëhen anëtarë të Lëvizjes”, ka pohuar Kurteshi.

Image
Ismail Kurteshi

Ndërkaq, kryetarit të VV-së nuk i bëjnë përshtypje dorëheqjet.

Ai në mbledhjen e fundit të mbajtur të shtunën me kryetarë dhe sekretarë të Qendrave të kësaj partie, i quajti për keqardhje dhe të gabueshme dorëheqjet nga Vetëvendosja.

“Nga Lëvizja Vetëvendosje ka disa dorëheqje dhe dalje, që janë për keqardhje dhe të gabueshme, por në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka as ndarje dhe as ndalje”, tha Kurti.

Edhe sipas Sekretarit Organizativ të Vetëvendosjes, nuk ka ndarje partiake.

Kurteshi ka pohuar për “Bota sot” se çdo humbje nuk është që lë pa ndonjë pasojë, por VV-ja ka më shumë ardhje, sesa dalje.

“Vetëvendosja asnjë ditë nuk është si dita e mëparshme, është një subjekt shumë dinamikë, në Vetëvendosje ka edhe dalje edhe hyrje. Për çdo ditë kemi hyrje, ju gazetarët jeni koncentruar në daljet, por ne kemi edhe prurjet e reja edhe njerëzit publikë edhe njerëz të thjeshtë të cilët po inkuadrohen në Vetëvendosje dhe sjellin ndryshime të reja. Natyrisht që, çdo humbje nuk është që nuk lë ndonjë pasojë, por Vetëvendosja është shumë e vërtetë, e kemi thënë të gjithë që nuk ka ndarje, kjo është fakt sepse nëse flasim për daljet gjatë këtyre dy muajve, ata mund të numrohen me shifra jo tre shifrore, por dy shifrore, kurse ardhjet janë më shumë”, ka theksuar Kurteshi.

Sipas tij, këto dorëheqje nuk do të kenë ndikim partiak, mirëpo si grup parlamentar mund të dëmtohen.

“Ka dalje që nuk është dashur të ndodhin, por kanë ndodhur. Por, Vetëvendosja vepron si subjekt i funksionuar mirë, po ecë përpara mirë dhe jam i sigurt që nuk do të ketë ndonjëherë ndonjë ndikim partiak këto daljet, pasi që njerëzit mund edhe të dalin edhe të vijnë kështu është jeta. Natyrisht që si grup parlamentar kjo mund të dëmton, sepse nuk është njësoj të jetë për shembull një deputet ose 20 deputetë, por mendoj se kjo është e përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që sipas të gjitha gjasave nuk do të jenë edhe shumë larg”, ka shtuar Kurteshi.

Haziri: Ndarjet goditën Vetëvendosjen

Ndërkaq, analistët politikë pohojnë se Vetëvendosja mund të dëmtohet në vota, por jo në koncept esencial.

Sipas tyre,  çdo parti në rast ndarje e humbë peshën në skenën politike.

Përkundër, mohimit të Vetëvendosjes se ata dëmtohen nga dorëheqjet, analistët politikë pohojnë të kundërtën.

Sipas tyre, Vetëvendosja mund të dëmtohet në vota, por jo në koncept esencial.

Analisti politik, Nexhat Haziri në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se dorëheqjet në VV i kanë sjellë goditje të rëndë dhe mbase edhe të pariparueshme.

Image
Nexhat Haziri

“Natyrisht se e dëmtojnë bukur shumë dhe është normal te secila parti politike në rast të ndarjes apo fraksionizimit, ajo humbë peshën e vet në skenën politike dhe në proceset vendimmarrëse. Pra, LV-ja me këto dorëheqje ka pësuar një goditje të rëndë, mbase të pariparueshme dhe kjo do të shfaqet apo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kur do që do të bëhen ato”, ka pohuar Haziri.

Sipas analistit Nexhat Haziri, këto “ngjarje” brenda Vetëvendosjes janë goditje e rëndë në kampin opozitar në Kosovë.

“Këto ngjarje në LV, natyrisht se janë edhe një goditje e rëndë në kampin opozitar në Kosovë, pasi të dorëhequrit nga LV-ja e që janë deputetë në Kuvendin e Kosovës, së 12, akoma nuk e kanë qartësuar pozicionin e tyre politik. Në rast se ata do vendosin për ta mbështetur koalicionin aktual, atëherë do të jetë shumë vështirë për opozitën që të ngre nocion mos besimi ndaj kësaj qeverie, por edhe vendit do t’i shkaktonin një vazhdimësi të keqqeverisjes dhe skandaleve të koalicionit aktual qeverisës”, ka shtuar Haziri.

Dugolli: Në Kosovë është bërë normale të ketë fraksione partiake

Ndërkaq, analisti politik Ilir Dugolli, është shprehur se dorëheqje mund ta dëmtojnë në aspekt të votave, por në koncept esencial, nuk mund ta prekin.

“Dorëheqjet në Lëvizjen Vetëvendosje po ndodhin në mënyre sporadike. Kjo dukuri të krijon një përshtypje qe këto dorëheqje sporadike, të jenë të orkestruara, nga një mendësi e caktuar, tani më e instaluar në një pjesë të LVV, e cila mendon të ketë të drejtë, duke aluduar në atë se brenda partisë po cenohet e drejta demokratike. Pa dyshim se këto dorëheqje e dëmtojnë LVV-në, në përgjithësi, (sa i përket, totalit të votave), mirëpo konceptin esencial të saj, nuk mund ta prekin. Të dorëhequrit, ose të pakënaqurit me politikën e brendshme të kësaj partie, mund të krijojnë një identitet të ri politik, por në asnjë mënyrë nuk mendoj se do të identifikohen me konceptin, të cilin tani më e kanë braktisur. Në këtë situatë të të dorëhequrve do të vinte natyrshëm një rigrupim i ri, apo identitet i ri politik, i cili do të ishte krejtësisht normal, duke u bazuar në dy aspekte. E para se njerëzit kanë të drejtë të grupohen e rigrupohen politikisht dhe e dyta deri  më tani në Kosovë është bërë normale të ketë fraksione partiake”, ka pohuar Dugolli.

Image
Ilir Dugolli

Dugolli, thotë se deklarimi i Kurtit që nuk kanë ndarje partiake është deklarim filozofik, pasi që sipas tij, dorëheqjet në të ardhmen nënkuptojnë ndarjen.

“ Lidhur me deklarimin e kryetarit të LVV-së, z.Albin Kurti, se në parti nuk ka ndarje, mendoj se është një deklarim filozofik i tij. Është e vërtetë, se realisht nuk ka ndarje, të paktën deri me tani. Mirëpo, për në të ardhmen, këto dorëheqje, do të nënkuptonin ndarjen. Ndarjet do të konsideroheshin, kur nga partia do të kishte pakënaqësi të cilat kishin me kulmuar me krijimin e një subjekti të ri, i cili do të derivuonte pikërisht nga ato pakënaqësi. Prandaj deri më tani, nuk ka një hap të tillë konkret edhe pse rrjedhimisht nuk përjashtohet kjo mundësi. Tani pas këtyre lëkundjeve, në LVV, do të vërehet se kush e ka pas rolin në parti falsitet. Në rast se do të ketë shpërputhje të qëndrimeve nga “trungu”, atëherë kjo i bie se, të dorëhequrit nuk e kanë pasur qëllimin e tyre njëmend, sipas deklarimeve para se të dorëhiqeshin ata. Këto qëndrime dhe kauza i kanë pasur të përbashkëta. Në tërë këtë lëkundje të kësaj partie, pa dyshim se do të ketë edhe dobësim të faktorit opozitar. Pra do të ketë interferim negative në opozitë. E me këtë do të thotë se edhe LVV nuk do të jetë më ajo parti, me atë potencial të fortë opozitar që ka pasur më pare”, ka pohuar  Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat