Krimi dhe korrupsioni pamundësojnë liberalizimin, njohësi i integrimeve evropiane tregon si të veprohet

Politika

Krimi dhe korrupsioni pamundësojnë liberalizimin, njohësi i integrimeve evropiane tregon si të veprohet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 mars 2018 Në ora: 21:15
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës duket se do të presin ende për të lëvizur të lirë, pa viza, derisa të përmbushen kushtet që janë paraparë nga BE.

E kushtet kryesore janë ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.

E sa i përket kësaj të fundit, njohësi i çështjeve të integrimeve evropiane, Sami Blakaj, thotë se kur mungon drejtësia, lulëzon krimi dhe korrupsioni.

Ai thotë se vërejtjet kryesore janë tek mungesa e reformave në gjyqësorin e Kosovës.

Image
Sami Blakaj

“Kur drejtësia mungon, është e natyrshme që krimi dhe korrupsioni lulëzon. E gjithë kjo vjen si rezultat i një shteti të dobët ligjor. Vërejtjet kryesore kanë të bëjnë me mungesën e reformave në gjyqësorin e Kosovës, përkatësisht me sfidat në procedurën hetimore e gjyqësore, me mungesën e profesionalizimit të prokurorëve e gjyqtarëve, mungesën e kapaciteteve e deri te mungesa e pavarësisë së këtij sistemi si tërësi”, është shprehur Blakaj për “Bota sot”.

Sipas tij, derisa sistemi i drejtësisë nuk funksionon si i pavarur nga politika, luftimi i krimit dhe korrupsionit është i pamundur.

“Përderisa sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk funksionon si pushtet i pavarur dhe i pa ndikuar politikisht, është e pamundur që të luftohet krimi dhe korrupsioni dhe kësisoj vendit i pamundësohet të ecë përpara, jo vetëm në procesin e liberalizimit të vizave por edhe në çdo ecje tjetër drejt BE-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtar”, ka deklaruar Sami Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat