Dështimet që sollën koalicionin PAN buzë greminës

Politika

Dështimet që sollën koalicionin PAN buzë greminës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 mars 2018 Në ora: 08:26
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

“Haradinaj duhet të shkarkohet jo vetëm për EQAR-in, por për shumë vendime të gabuara, të cilat i ka bërë. Ekonomia është në rënie, përjashtimet e Kosovës nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare, pastaj, shpenzimet enorme të rezervave të shtetit, moskalimi i temave të mëdha, të gjitha këto tregojnë se ky kryeministër e ka humbur legjitimitetin e vet dhe duhet të shkohet në zgjedhje të reja demokratike dhe të formohet një shumicë e re”, është shprehur deputeti Avdyli.

Përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), ka nxitur akuzat ndaj kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj, me të marrë postin e kryeministrit, kishte kërkuar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqri Bytyçi, që të shkarkojë bordin e AKA-së.

E ky veprim, sipas partive opozitare në vend dhe shoqërisë civile, ishte shkak i përjashtimit të Kosovës nga EQAR.

Sipas opozitës, Haradinaj ka ndërhyrë në sistemin e pavarur të arsimit. Si rrjedhojë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, kanë kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e Haradinajt.

Image
Haxhi Avdyli

LDK: Haradinaj të shkarkohet për veprimet e dëmshme

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, ka thënë e Haradinaj duhet të shkarkohet jo vetëm për dështimin në EQAR, por edhe për vendime të tjera, të dëmshme për Kosovën.

Ai ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Haradinaj duhet të shkarkohet jo vetëm për EQAR-in, por për shumë vendime të gabuara, të cilat i ka bërë. Ekonomia është në rënie, përjashtimet e Kosovës nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare, pastaj, shpenzimet enorme të rezervave të shtetit, moskalimi i temave të mëdha, të gjitha këto tregojnë se ky kryeministër e ka humbur legjitimitetin e vet dhe duhet të shkohet në zgjedhje të reja demokratike dhe të formohet një shumicë e re”, është shprehur deputeti Avdyli.

Sipas deputetit të LDK-së, Qeveria aktuale ka dështuar me kalimin e shumë temave të mëdha, duke përmendur këtu Demarkacionin me Malin e Zi dhe ushtrinë.

Por, ai ka theksuar se edhe tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ka treguar se Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj.

“Tani për tani, kjo qeveri e ashtuquajtur qeveri, kinse për “vendime të mëdha”, jo vetëm ato vendime “të mëdha”, por edhe vendimet e kaluara është duke i kthyer prapa, ndërsa ato “të mëdha”kanë mbetur ende pa u zgjidhur, siç është Demarkacioni, FSK-ja e shumë veprime tjera, por edhe veprimi për Gjykatën Speciale i dëmtoi shumë reputacionin Kosovës në botë dhe bën që kjo qeveri ta humb legjitimitetin e vet demokratik dhe për shkak të numrave të cilët nuk i ka, shumica gjithmonë është me 61 vota, ndërsa këta po shihet se nuk i kanë as 50 vota dhe mendoj që Kosova duhet të lirohet nga kjo qeveri e pakicës, sepse ashtu kjo është qeveri e pakicës shqiptare, nuk përfaqëson shumicën shqiptare”, ka thënë Haxhi Avdyli.

Ai ka pohuar se LDK-ja është e gatshme që brenda ditëve të ardhshme të marrë udhëheqjen e shtetit të Kosovës.

“Mendoj se sa më shpejt që Kosova të ndahet nga kjo qeveri, është në të mirë të zhvillimeve të reja të Kosovës. LDK-ja është e gatshme dhe e përgatitur në çdo kohë për zgjedhje dhe besoj se do ta udhëheq shtetin në ditët e ardhshme”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Kriza në arsim do të thellohet

Edhe sipas njohësit të zhvillimeve politike Faton Mehmeti, Qeveria PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista serbe, i ka shkaktuar vetëm dëme vendit që nga ardhja në pushtet. Ai ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se ka larguar profesionistët nga bordi i AKA-së, duke sjellë aty militantë të partisë së tij, AAK.

“Kjo qeveri, që nga ardhja e saj i ka shkaktuar vetëm dëme të mëdha vendit. Ndërhyrja e Qeverisë për të shkarkuar bordin e AKA-së, ishte e qëllimshme dhe e motivuar politikisht. Duke larguar profesionistët, Ramushi solli aty militant të AAK-së. Duke parë këto zhvillime, Kosova u përjashtua nga EQAR-i, duke bërë hapa prapa në synimet që duhet t’i ketë vendi për të futur arsimin në rrugën e duhur”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka paralajmëruar se do të thellohet kriza në arsim, nëse Qeveria nuk reflekton.

“Ramushi nuk di të bëj shtet, nuk di si bëhet shteti dhe rrjedhimisht nuk mund të kemi iluzione se diçka e mirë do të bëhet për vendin me këtë Qeveri. Përjashtimi i Kosovës nga EQAR, duhet të jetë këmbanë alarmi për shtetin dhe shoqërinë. Nëse nuk reflekton Qeveria, besoj se thellimi i krizës në arsim vetëm sa do të thellohet. Gjithsesi kjo qeveri sa më parë duhet të ikë, aq më pak dëme do t’i sjellë vendit”, ka shtuar për gazetën “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Të mbyllen universitetet dhe kolegjet private

Ndërsa, publicisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, mendon se kryeministri Haradinaj, nuk do të shkarkohet, pasi një gjë të tillë nuk e kanë bërë as drejtuesit e qeverive të kaluara.

“Në Kosovë asnjë Qeveri deri më tani nuk është shkarkuar ose vetëdorëhequr për shkak të gabimeve që kanë bërë. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë as ish-kryeministrat e mëhershëm si Thaçi, Mustafa, Kosumi, Çeku etj, edhe pse kanë bërë veprime me pasoja të mëdha, një gjë të tillë nuk e do ta bëjë as kryeministri i tanishëm Haradinaj”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, Bordi i AKA-së është dashur të shkarkohet. Mirëpo, ai ka thënë se mënyra e shkarkimit ishte e gabuar.

“Bordi i mëhershëm i Agjencisë së Akreditimit e ka merituar dhe është dashur të shkarkohet. Mënyra e shkarkimit ka qenë tepër e gabuar, por ky bord ka bërë dëme të mëdha dhe masakër në arsim, në njërën anë duke mbyllur programe të vlefshme në Universitete Publike, dhe në anën tjetër për shkak të interesave të grupeve të interesit duke hapur programe në Universitete private, sidomos në ato të ashtuquajtura fantome”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se përjashtimi i Kosovës nga EQAR, do të ketë edhe pasoja për qytetarët e Kosovës.

“Falë këtij bordi niveli i cilësisë në arsim ka qenë tmerrësisht i ulët. Do të ketë pasoja nga përjashtimi, sepse mund të shkaktojë vështirësi të konsiderueshme për qytetarët e Kosovës që kërkojnë t'u njihen diplomat në ndonjë shtet evropian, qoftë për shkak të punësimit ose vazhdimit të studimeve. Por duhet të ndalet kjo katrahurë në arsimin e lartë”, ka pohuar Faik Krasniqi.

E si zgjidhje për krizën në arsimin e Kosovës, ai ka propozuar mbylljen e Universiteteve dhe kolegjeve private.

“Si mund të ndalet kjo katrahurë në arsimin e lartë dhe në arsimin në përgjithësi?Duhet të mbyllen të gjitha Universitetet dhe kolegjet private, dhe t'u jepet rëndësi Universiteteve private. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të mbetet fabrikë gjigante për prodhimin e analfabetëve me diploma”, ka shtuar ai.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj kërkesën për shkarkimin e bordit të AKA-së, e kishte bërë duke e arsyetuar se procesi i akreditimit në arsimin e lartë është përcjellë me parregullsi serioze, ndërsa ka kërkuar nga Ministri që procesi i ri të rezultojë me përzgjedhjen e njerëzve me ekspertizë të duhur në sektorin e arsimit, etike dhe profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat