Asociacioni i Komunave serbe vë në rrezik Kushtetutën e Kosovës

Politika

Asociacioni i Komunave serbe vë në rrezik Kushtetutën e Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 15 mars 2018 Në ora: 10:28
Foto ilustrim

“Asociacioni i komunave si koncept në tërësi është paraparë , tashmë është dorëzuar në qeveri, ndërsa sa i përket vendimeve Kosova nuk mundet të shkel mbi vendimet e Gjykatës Kushtetues, ku nënkuptohet që kjo gjykatë  është gjykata në nivelin më të lartë të vendimmarrjes në rast të kontesteve të tilla, që do të thotë së në çfarëdo forme që fillon diskutimi ose procesi i  trajtimit në qeverinë e Kosovës  për formimin e asociacionit, ajo duhet ndodhë konform vendimit të gjykatës kushtetues  për shkak se është një vendim i qartë i cili ka sqaruar formën  e organizimit të komunave të tilla”, ka thënë Deputetja Mimoza Kusari Lila për Gazetën “Bota sot”.

Pas demarkacionit dhe dramës së shkaktuar nga Gjykata Speciale, duket se Asociacioni do të jetë njëra nga temat e cila do të marrë vëmendjen e qarqeve politike.

Madje sipas presidenti serb Aleksander Vuçiq, kjo pritet të shkaktojë  përshkallëzim dhe destabilizim të mëtejshëm të marrëdhënieve” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në qoftë se Prishtina vazhdon të kundërshtojë formimin e Asociacionit të komunave Serbe.

Do të ketë “shumë muhabete rreth Kosovës” është shprehur Presidenti serb Aleksandar Vuçiq  në Bukuresht.

Mirëpo a do të jetë ” Zajednica” në vargun e problemeve që pritet ta godas shtetin tonë, flasin deputetë dhe analistë.

Image
Mimoza Kusari Lila

Konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Lidhur me këtë çështje deputetja e Alternatives në parlamentin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se në Kosovë nuk mund të eksitojnë dy sisteme të organizimit organizativ.

“Të gjitha çështjet në mes Kosovës dhe Serbisë, së pari duhet të ketë konsensus politik brenda Kosovës. Problemet me të cilat është ballafaquar Kosova kanë ardhur gjithmonë si rrjedhojë e vendimeve të një anshëm të qeverisë pa opozitën, ose të disa liderëve pa u përfshirë më gjerë spektri politik. Kjo nuk bënë dhe nuk kemi mundemi të ja lejojmë vetës të kemi vonim dhe trajtim të një teme tjetër, në këtë rast asociacionit të komunave  pa pasur konsensus të mirëfilltë brenda nesh në Kosovë.  Asociacioni i komunave si koncept në tërësi është paraparë , tashmë është dorëzuar në qeveri, ndërsa sa i përket vendimeve Kosova nuk mundet të shkel mbi vendimet e Gjykatës Kushtetues, ku nënkuptohet që kjo gjykatë  është gjykata në nivelin më të lartë të vendimmarrjes në rast të kontesteve të tilla, që do të thotë së në çfarëdo forme që fillon diskutimi ose procesi i  trajtimit në qeverinë e Kosovës  për formimin e asociacionit, ajo duhet ndodhë konform vendimit të gjykatës kushtetues  për shkak se është një vendim i qartë i cili ka sqaruar formën  e organizimit të komunave të tilla. Por, në Kosovë nuk mund të ekzistojnë më tepër se dy sisteme të organizmit organizativ, ai lokal si dhe ai qendror, përderisa nuk mundemi të synojmë, të krijojnë një sistem të ndërmjetëm midis atij lokal dhe qendror qoftë për komunat serbe qofte për ato shqiptarë sepse do të ishte shkelje kushtetues”, ka theksuar ajo.

Tutje, Kusari-Lila shtoi se deri sa është qeveria Haradinaj në pushtet nuk mund të ketë epilog pozitiv.

“Përderisa për demarkacion ka qenë dhe mbetet  në dorë te vendimmarrësve kosovare edhe pse fillimi apo trajtimi i demarkacionit nuk është bëre në mënyrën e duhur, ngase është dashur të bëhet një konsensus në mënyrë që të mos vijmë deri në piken ku jemi sot. Mirëpo derisa është kjo qeveri, me qeverinë aktuale Haradinaj, nuk mundemi me pas një epilog pozitiv, mendojë fuqishëm se kjo qeveri duhet të bije, këta nuk janë në gjendje  të realizojnë vendimet më të thjeshta, bazike për qeverinë  dhe vendin prandaj çfarëdo vendimi tyre do të jetë humbje kohe dhe humbje  e kredibilitetit të Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë” ka përfunduar Kusari-Lila.

Image
Avdullah Hoti

Pa Listën Serbe

Lidhur me këtë çështje shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se pritet që koalicioni qeverisës të i sigurojë votat.

“Ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Ëess Mitchell, konfirmoi edhe një herë qëndrimin e palëkundur të SHBA-së për Kosovën. LDK-ja e vlerëson lartë këtë qëndrim dhe rolin vendimtar të SHBA-së në momentet më të rëndësishme të çlirimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës. LDK-ja mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një Kosove demokratike, që është në fqinjësi të mirë me shtetet në rajon, e integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-në. Ne presim që koalicioni qeverisës të sigurojë votat e nevojshme për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit, që i hap rrugë liberalizimit të vizave. Ne paralajmërojë koalicionin qeverisës se nuk do të pranojmë asnjë lloj koncesioni që mund të arrijnë me partnerin e tyre qeverisës Lista Serbe për të siguruar mbështetjen për votimin e demarkacionit. Nuk pranojmë asnjë koncesion që shkon në dëm të interesave të vendit” ka përfunduar Hoti.

Ndërsa i shkurtë në prononcimin e tij ka qenë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Xhelili ku për “Bota sot” ka thënë se përkrahë vetëm vendimet e Qeverisë

“Unë nuk i komentoj deklarata e presidentin Vuçiq, ajo çfarë mund të them është vetëm se përkrahë çdo vendim të Qeverisë” ka përfunduar Xhelili.

Image
Haki Abazi

Qëllimi- Ndarja e Kosovës

Njohësi i zhvillimi politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Lista Serbe po mban peng progresin e vendit.

Sipas Abazit, i gjithë dialogu Prishtinë - Beograd ka qenë i konceptuar dhe i kërkuar nga Rusia nëpërmjet kombeve të bashkuar pikërisht në momentin  kur gjykata ndërkombëtare e drejtësisë kishte konfirmuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës në linjë me ligjin ndërkombëtar.

“Padituria dhe panjohurit e lidershipit Kosovar Thaçi, Veseli, Tahiri, Hoxhaj, Kuqi dhe të tjerë kanë pranuar dialogun që ka prodhuar gjitha efektet negative dhe ka rivendosur Serbinë si faktorë vendimmarrës në Kosovë. Të gjitha marrëveshjet por sidomos ajo për asociacionin është marrëveshje për ta ndarë Kosovën në vija etnike dhe për ta sabotuar përgjithmonë funksionin kushtetues si një vend i unifikuar. Siç edhe po shihet tani me Lista Srpska Serbia ka arritur të bllokojë çdo proces përfshirë edhe krijimin e ushtrisë. Paradoxale është që një strukturë që gjatë të 90-ta për 10 vite e me shumë ka terrorizuar Shqiptarët shumicë me sistemin e dhunshëm të Serbisë, dhe gjatë luftës kanë vrarë 13 mijë shqiptar , sot janë sabotuesit legal dhe shantazhojnë me shtetësinë e Kosovës dhe mbajnë peng progresin e vendit. Kosova duhet të mbrojë të drejtat  e minoriteteve me ligj dhe në mënyrë strikte por në asnjë mënyre nuk duhet lejuar që shumica të jetë viktimë e mungesës së vullnetit politik të një 4% të popullatës dhe sidomos jo përfaqësuesve të tyre të përcaktuar nga Beogradi për të kontrolluar agjendën Kosovare. Kosova duhet liruar nga Lista Srpska dhe politikanët e vetë të korruptuar për të mos u ballafaquar më me kërkesat të tipit të asociacionit”, është shprehur Abazi.

Image
Imer Mushkolaj

Shkelje e Kushtetutës

Ndërkaq, për analistin politik Imer Mushkolaj, çdo kompromis me Listën Serbe cenon integritetin e Kosovës.

“Çdo kompromis rreth Asociacionit, ndryshe prej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është i dëmshëm dhe nuk duhet të lejohet. Nëse kjo ndodh jo vetëm që është shkelje e kushtetutës, por edhe cenim i integritetit dhe sovranitetit te Kosovës” ka përfunduar Mushkolaj.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013, ajo ne atë kohe u nënshkrua  nga të dyja shtetet, Republika e Kosovës dhe e Serbisë dhe Bashkimi Evropian, përkatësisht nga Kryeministrat e të dy shteteve dhe Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ende  mbetet e paqartë mënyra se si do të formohet ky Asociacion pasi që Lista Serbe kërkon që Asociacioni të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, derisa nga Kosova sipas vendimit të Kushtetueses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat