“Qeveria Haradinaj, problemi më i madh i Kosovës”

Politika

“Qeveria Haradinaj, problemi më i madh i Kosovës”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 mars 2018 Në ora: 14:51
Pika kufitare

“Një Qeveri e cila rritë pagat për vete qind për qind e arsimtarët i shtynë të bëjnë grevë, e cila fal borxhe kompanive pa respektuar procedurat ligjore e qytetarët futen në borxhe çdo ditë e më shumë, shkarkon borde pa ngarkuar veten se duhet të përgatitur ligje, abuzon me paranë publike duke emëruar pa hesap mbi 70 zëvendësministra, ajo si e tillë jo vetëm që nuk do, po as nuk di të punoj ndershëm dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ka kaluar koha që të pritet se çfarë dhe si do të veproj kjo Qeveri. Koha është që si të ndalet kjo Qeveri të mos veproj më, sepse të gjitha veprimet e saja janë në dëm të Kosovës dhe të kualitetit të jetës së qytetarëve”, ka thënë publicisti Faton Abdullahu.

Image
Drita Millaku

Zvarritja e votimit të marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, po i lë nën hije çështjen jetike për qytetarët e Kosovës.

Mos-votimi i Demarkacionit, po konsiderohet si lojë politike e stërzgjatur dhe si mundësi e mirë për arsyetime në dështimet e njëpasnjëshme të Qeverisë.

Analistë politik dhe përfaqësues të subjekteve politike, vlerësojnë se kjo heshtje e pashembullt qeveritare, por edhe qytetare, e cila ka ardhur si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike.

Duke folur rreth asaj se si komentohet numri i vogël i ligjeve që janë miratuar përgjatë qeverisjes aktuale, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së Drita Millaku, ka thënë për “ Bota sot” se kjo qeveri është formuar pa plan në të gjitha aspektet.

“Jemi dëshmitar se në të gjitha sferat e jetës janë të bllokuara duke u nisur nga shëndetësia, arsimi, gjyqësori e shumë institucione. Korrupsioni është evident dhe prezent në të gjitha institucionet dhe nuk ka gjasa që kjo qeveri të luftojë këtë dukuri për shkak se janë vetë të përfshirë “, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Tomë Gashi

Më shumë seanca të jashtëzakonshme se të rregullta

Sipas saj, parlamenti është bërë për të ardhur keq për shkak se nuk janë në gjendje as të aprovohen ligjet.

“E keqja është së për shkak të situatave të krijuara më shumë kemi mbajtur seanca të jashtëzakonshme se seanca të rregullta. Pra, për shkak të pa aftësisë së qeverisë edhe parlamenti po ngecë. Dhe për ti hutuar popullin nga këto gjëra këta janë në gjendje të sajojnë tema si demarkacionin por edhe tema tjera të cilat i bëjnë me qellim”, ka thënë deputetja Millaku.

Avokati Tomë Gashi, ka thënë, se ata që janë në pozitë janë duke e përdorur dhe keqpërdorur temën e demarkacionit me Malin e Zi, dhe në kuadër të kësaj agjende kanë mbetur shumë punë shtetërore pa u kryer.

“Pra, të ashtuquajturat temat e mëdha janë duke i dëmtuar qytetarët e Kosovës pasi që e kanë pasivizuar punën e deputetëve të Kosovës në nxjerrjen e ligjeve të domosdoshme për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë avokati Gashi.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Të gjitha janë në dëm të Kosovës

Ndërsa, publicisti Faton Abdullahu, ka thënë se problemi më madhor i Kosovës është bërë Qeveria Haradinaj, kurse problemet reale madhore jo vetëm që nuk janë zgjidhur, por janë koklavitur e stërkequr për tu bërë barrë jo vetëm e Kosovës por me tendencë që të eksportohen edhe në rajon, sidomos në Mal të Zi.

“Një Qeveri e cila rritë pagat për vete qind për qind e arsimtarët i shtynë të bëjnë grevë, e cila fal borxhe kompanive pa respektuar procedurat ligjore e qytetarët futen në borxhe çdo ditë e më shumë, shkarkon borde pa ngarkuar veten se duhet të përgatitur ligje, abuzon me paranë publike duke emëruar pa hesap mbi 70 zëvendësministra, ajo si e tillë jo vetëm që nuk do, po as nuk di të punoj ndershëm dhe në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Ka kaluar koha që të pritet se çfarë dhe si do të veproj kjo Qeveri. Koha është që si të ndalet kjo Qeveri të mos veproj më, sepse të gjitha veprimet e saja janë në dëm të Kosovës dhe të kualitetit të jetës së qytetarëve”, ka thënë publicisti Abdullahu.

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërkaq, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se mbajtja peng e çështjeve socio-ekonomike, papunësia, varfëria me një fjalë deficiti i vizionit për mirëqenia qytetare është si pasojë e temave të mëdha të cilat po mbahen pezull që tri vite rresht.

Sipas tij, kjo lojë politike e stërzgjatur është mundësi e mirë  për arsyetime në dështimet e njëpasnjëshme megalomane të qeverive .

 “Përveç numrit të vogël të ligjeve edhe ato pak ligje që janë miratuar potencialisht janë për të dështuar. Hartimi i ligjeve duhet të jetë në harmoni me gjendjen socio-ekonomike, nivelin e vetëdijes qytetare, aspektin kulturor e historik, e jo ligjet të kopjohen nga shtet e BE-së të cilat kanë konfiguracion të ndryshëm socio-ekonomik, nivel të ndryshëm të vetëdijes qytetare dhe ndërtim historik e kulturor tjetër”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka thënë se zvarritja e çështjeve të mëdha tashmë sikur janë bërë arenë e gladiatorëve politike ku e japin mundësinë që të jenë lojë e kontukturave politike përtej Kosovës, ku në veçanti po faktorizojnë politiken serbe duke rritur kështu edhe pazare politike.

Haziri: Demarkacioni është banalizuar

Image
Ismet Haziri

Sipas tij, kjo gjendje vjen si pasojë e një niveli të ulët të kulturës politike të të zgjedhurve, të cilët në vend të konsensusit për çështje me rëndësi nacionale, po ngrehin kokën e djallit që eventualisht të promovohen mbi kurrizin e Kosovës dhe të popullit.

“Të tillët po getoizojnë pa asnjë arsye dhe pa gjasa që diçka të ndryshojnë në agjendat dhe në marrëveshjet të cilat janë të nivelit ndërkombëtar. Demarkacioni përveç që është bërë kauzë politike, në të njëjtën kohë është banalizuar aq shume, saqë secili qytetar është i neveritur dhe i indinjuar nga folkloritë politike që nuk kanë të bëjnë fare me koherencën dhe të vërtetën mbi ruajtjen e territorit madje edhe nëse humbet”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se shumë nga deputet të pozitës aktuale dhe të opozite së tanishme kanë shijuar lukset e koteles së deputetit edhe në legjislacionin e kaluar.

Sipas tij, disa deputet për gjëra koti nuk po janë prezent në seanca dhe nuk  po votojnë, andaj sjelljet e tilla janë të pa përgjegjshme, të dhimbshme.

“Këto sjellje nga ana e deputeteve duhet të jenë të dënueshme nga elektorati, sepse po humbin kohën tonë, suke shpenzuar paranë publike  dhe në mungesë të efikasiteti të punës së tyre, Kosova po neglizhohet në agjenda shumë të rëndësishme zhvillimore në të gjitha fushat. Një shembull me eklatant është ai me bordet dhe zhagitja e tyre e cila ka ardhur nga mungesa e marrëveshjeve për interesa partiake, duke mos dhënë asnjë shenjë të depolitizomi të tyre. Pra kur puna e zënë kur trashen kërkesat politike për interesa qe janë ne demin qytetar nuk ka as punë, as ligje, e as zhvillim”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Haziri.

Zorra numëron problemet e qeverisjes

Image
Lirim Zorra

Kurse, Lirim Zorra, ligjërues në Kolegjin e ISPE, ka thënë se kjo qeveri dhe Parlamenti  kanë mbetur  mbrapa  në  realizimin e  hartimit dhe miratimit të shumë ligjeve dhe ekzekutimin e punëve të ndryshme për shkak të fokuseve në fusha tjera dhe probleme në komunikim midis partnerëve qeveritar.

Sipas tij,  e gjithë kjo ka ardhur për shkak të disa faktorëve një qeveri pa strategji të mirëfilltë, pa koordinim midis partnerëve për politika të veçanta.

“Përveç kësaj mendoj se kërkesat e shumta buxhetore të paplanifikuara  po krijojnë problem, mungesa e deputetëve për seanca  ka ndikuar disa herë për shtyrje të Parlamentit, pazaret për  borde të ndërmarrje të caktuara  po ashtu kanë bllokuar  punën për marrjen e disa  vendimeve me peshë për punëtorët dhe ekonominë e Kosovës, andaj  demarkacioni  ka qenë tema e cila ka marrë  kohën më të madhe për qeverinë dhe deputet për disa për ta miratuar për disa për ta refuzuar”, ka thënë ligjëruesi Zorra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat