Kosova rrezikon të humbë trenin e liberalizimit të vizave në 2018!

Politika

Kosova rrezikon të humbë trenin e liberalizimit të vizave në 2018!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 mars 2018 Në ora: 16:43
Foto ilustrim "Bota sot"

Përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se ngecja në cështjen e liberalizimit të vizave vjen si mungesë guximi për vendimmarrje sa i përket demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në vend konsiderojnë se politika labile, e cila ndryshon qëndrimin brenda natës, është rrezik edhe për vet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Liberalizimi i vizave për Kosovën edhe me tej mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit. Premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën nga liderët politikë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit kishin filluar të bëhen menjëherë pas pavarësimit të vendit.

Të njëjtën metodë e kishte aplikuar edhe Qeveria Haradinaj, e cila që në fillesat e saja kishte premtuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë në tre muajt e parë të saj, e ku me pas kishin deklaruar se kjo pritet të ndodhë në fund të këtij viti, por një gjë e tillë po vlerësohet si e pamundur, ku Kosova rrezikon të humbë trenin për liberalizimin e vizave në 2018.

Edhe ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, ditë më parë u ka bërë thirrje ligjvënëseve që ta votojnë Demarkacionin, pasi sipas saj, liberalizimi mund të shtyhet deri më 2020.

“Nëse marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk ratifikohet këto ditë, liberalizimi i vizave nuk mendohet të bëhet para 2020. Afatet janë të lidhura me agjendën e institucioneve me Brukselin”, kishte thënë ministrja Hoxha.

Lidhur me çështje të liberalizimit të vizave, nga opozita thonë se ngecja tani për tani është si mungesë guximi për vendimmarrje për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në vend konsiderojnë se politika labile, e cila ndryshon qëndrimin brenda natës, është rrezik edhe për vet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Image
Lirije Kajtazi

“Qeveria Haradinaj është kurthuar si merimanga në rrjetin e vet”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, në një prononcim për “Bota sot” thotë se liberalizimi i vizave kërkon cilësi dhe standard qeverisës.

Sipas Kajtazit, Qeveria Haradinaj është kurthuar si merimanga në rrjetën e vet.

“Natyrisht se liberalizimi kërkon cilësi dhe standard qeverisës, por ngecja tani për tani është si mungesë guximi për demarkim të kufirit me Malin e Zi. Kjo qeveri është kurthu si merimanga në rrjetin e vet, në kauzën që ka thur, si dhe si pasojë e adoleshencës së Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh deputetja e LDK-së.

E pyetur se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Kajtazi thotë se, “...deri ta kuptojmë se pa standarde të sjelljes sonë nuk mund të dalim as edhe jashtë oborrit”.

“Deri ta kuptojmë se pa standarde të sjelljes sonë nuk mund të dalim jashtë oborrit si dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit”, ka përfunduar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, për gazetën “Bota sot”.

Image
Adlum Ramadani

Politika labile

Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se politika labile sikurse në rastin e Kosovës, e cila ndryshon qëndrimin brenda natës, është rrezik edhe për vet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai thotë se në momentin që Kosova futet në BE, do bartë pas vete përgjegjësi, të cilat pastaj do duhet t'i zbatojë me përpikshmëri.

“Zhvillimet politike në vend padyshim që ndikojnë në raport me Bashkësinë Ndërkombëtare, karshi iniciativës për integrim në familjen evropiane, por edhe në vet aspiratat euro-atlantike të Kosovës. Politika labile sikurse në rastin e Kosovës, e cila ndryshon qëndrimin brenda natës është rrezik edhe për vet politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, pasi që në momentin që Kosova futet në BE ajo do bartë pas vete përgjegjësi, të cilat pastaj do duhet t'i zbatojë me përpikmëri dhe brenda afateve kohore”, tha ai.

Ramadani thekson se përkundër vullnetit, Kosova fatkeqësisht ende është peng i politikës vendore, ku sipas tij kjo edhe po i pamundëson arritjen e qëllimeve afat-gjate.

“Përkundër vullnetit të madh të qeveritarëve dhe qytetarëve për liberalizim të vizave, Kosova fatkeqësisht ende është peng i politikës vendore, gjë që po i pamundëson arritjen e qëllimeve afat-gjate të partneritetit me Bashkësinë Ndërkombëtare. Deri në këtë fazë, Kosova lirshëm mund të themi që ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimin, madje pjesërisht iu është bërë e padrejtë me kritere shtesë, të cilat sadopak kanë vonuar këtë proces të rëndësishëm për qytetarët e vendit”, përfundon njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Liberalizimi në 2018 i pamundur

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, për gazetën “Bota sot”, thotë se politikanët janë fajtorët kryesorë për mungesën e vizave.

Ai thotë se duke parë mosgatishmërinë e politikës për një gjë e tillë, liberalizimin e vizave për vitin 2018 është një çështje e pamundur që të ndodh.

“Pikërisht politikanët janë fajtorë për mungesën e vizave, të cilëve edhe nuk iu duhen vizat pasi i kanë. Ndërkohë që disa politikanë janë të lidhur me shitje të vizave, andaj nuk janë të interesuar për liberalizim të vizave. Duke parë mosgatishmërinë që të ndodh një gjë e tillë, e shoh të pamundur që liberalizimi i vizave të ndodh këtë vit”, tha Mehmeti.

Sipas tij, edhe nëse kalon demarkacioni këtë muaj, liberalizimi mund të ndodh në shtator të vitit të ardhshëm ose në pranverë të 2020-tës.

“Edhe nëse kalon demarkacioni këtë muaj, liberalizimi mund të ndodh në shtator të vitit të ardhshëm ose në pranverë të 2020. Në këtë sens janë qytetarët ata që po pësojnë nga një klase kriminale, e cila nuk mendon asgjë pos interesave të veta. Përfundimisht, as këtë vit qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza”, ka përfunduar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Kërkesa e BE-së

Kujtojmë se edhe zyrtarët e BE-së kishin kërkuar së fundi që politika e Kosovës t’i qaset punës rreth plotësimit të kritereve të fundit, në mënyrë që Bashkimi Evropian më pastaj të marrë hapin tjetër, drejt heqjes së vizave, pasi që dihet se janë qytetarët e Kosovë, të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ballafaqohen me kufizimin e lëvizjes së lirë në shtetet e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat