Haki Abazi zbulon arsyen pse e ndanë Vetëvendosjen

Politika

Haki Abazi zbulon arsyen pse e ndanë Vetëvendosjen

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 mars 2018 Në ora: 22:09
Haki Abazi

Lëvizja Vetëvendosje ishte partia më e madhe parlamentare, me 32 deputetë, por tani ka mbetur partia e tretë më e madhe, me 19 deputetë, pas LDK-së e cila është e para dhe PDK-së që është e dyta.

Kjo, pasi 13 deputetë të Vetëvendosjes u larguan nga kjo parti, prej tyre Donika Kadaj Bujupi u rikthye në AAK, ndërsa 12 të tjerë formuan Grup Parlamentar të veçantë, të quajtur Grupi i Deputetëve të Pavarur, i udhëhequr nga Dardan Sejdiu.

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi, thotë se tani Kuvendi po i ngjanë një piano të prishur, ku shumica përfaqësojnë interesa personale e klanore.

“Përbërja e tanishme e Parlamentit i ngjason një piano e çakorduar e të prishur. Shumica e parlamentarëve janë përfaqësues të interesave personale e të klaneve, se sa përfaqësues të interesit qytetar. PDK është e përçarë, votuesit e AAK janë të tradhtuar nga koalicion me PDK-në, Ndërsa kulmin e hipokrizisë dhe manipulimit e bartin GDP ose siç unë preferoj t’i quaj CC zero. Ata as nuk përfaqësojnë koncept politik e as organizatë politike”, është shprehur ai për “Bota sot”

Ai thotë se tani nuk kanë pasur qëndrim të tyre dhe se tani mundohen të orkestrojnë diskutime publike e interpelanca për të tërhequr vëmendje, ashtu siç orkestruan dorëheqjet.

“Ata më së paku janë të pavarur dhe si grup apo edhe individët asnjëherë. Nuk kanë pasur qëndrim për asnjë gjë të vetme. Tani po shihet qartë që po mundohen të parashutohen në agjenda dhe platforma të krijuara më herët siç është ajo për energjinë dhe termocentrali e ri. Ashtu siç kishin orkestruar dorëheqjet tani duan që të orkestrojnë diskutime publike e interpelanca në parlament për të tërhequr vëmendjen”, vlerëson Abazi.

Sipas tij, LDK dhe VV do të bëjnë opozitë të fuqishme, derisa shton se frika për një bashkëqeverisje në mes të këtyre dy partive, i ka shtyrë forcat regresive që të shkatërrojnë VV-në duke e ndarë.

“VV është force reale në politikën e Kosovës dhe e qëndrueshme dhe besoj shumë në konsistencën e qëndrimeve dhe së bashku me LDK-në si forca e parë në opozitë do të munden të bëjnë opozitë shumë të fuqishme një qeverie dhe pozitë që i ka humbur rruga. LDK dhe VV mund të përplasen gjithashtu për punën e demarkacionit por në nivelin e interesave nacionale ma merr mendja këto dy parti do ta ruajnë një kohezion të angazhimit politik. Besoj frika nga një kohezion politik dhe një bashkë qeverisje e LDK-së dhe VV-së i ka shtyrë forcat regresive që të tentojnë ta shkatërrojnë VV-në duke e ndarë dhe duke rekrutuar klanin e CC-zero”, ka deklaruar Haki për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat