Zëvendësministri i Nismës tregon a do të kalojë Demarkacioni të martën

Politika

Zëvendësministri i Nismës tregon a do të kalojë Demarkacioni të martën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 15 mars 2018 Në ora: 23:03
Kosovë

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në në mbledhje të mbajtur sot në orët e pasdites, ka vendosur që vazhdimi i seancës plenare për shqyrtimin e Projektligjit nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet të martën, më 20 mars 2018, në orën 16:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur besimin se përfundimisht çështja e demarkacionit do të marrë fund më 20 mars.

“Si koalicion kemi një koncesion për të votuar dhe po ashtu edhe me LDK-në kemi biseduar. Jemi në kontakte edhe me deputetë të tjerë”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka thënë se shpreson se kjo çështje më në fund do të zgjidhet.

I të njëjtit mendim ështe edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e Nismës Socialdemokrate Isa Xhemajlaj.

Image
Isa Xhemajlaj

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Xhemajlaj ka thënë se Demarkacioni do të kalojë të martën.

“Në bazë të deklaratave të kryetarve të partive, po besoj që të martën kalon Demarkacioni”, është shprehur ai.

Ai ka pohuar se Kosova po rrezikon vonimin me integrimet evropiane, për shkak të kësaj zvarritjes së kalimit të kësaj Marrëveshjeje.

“Shteti në përgjithësi nuk rrezikohet, por rrezikojmë që të vonohemi me integrimet evropiane, sepse politikat e BE-së i zhvillojnë agjendat e tyre dhe ne mbetemi mbrapa me kërkesat tona për integrime nëse nuk i përmbushim kushtet dhe obligimet që BE i ka vënë Kosovës”, ka thënë zëvendësministri i MPB-së, Isa Xhemajlaj.

Ndryshe, e marta do të jetë tentimi i katërt i Qeverisë për të kaluar Demarkacionin me Malin e Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat