Kuvendi duhet të miratojë urgjentisht projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta

Politika

Kuvendi duhet të miratojë urgjentisht projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 15 mars 2018 Në ora: 23:08
Kuvendi i Kosovës

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë dhjetëra arsye për të miratuar sa më parë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta, që po e kërkon Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SHBASHK).

Kjo pasi që gjatë viteve të okupimit, ishin mësimdhënësit ata që nuk iu nënshtruan presionit të okupatorit serb pas mbylljes së shkollave publike dhe ndaljes së pagave, por në kushte të vështira nëpër shtëpi private, mësuesit tanë vazhduan edukimin e mijëra nxënësve shqiptarë.

Pra, përkundër kushteve të rënda të infrastrukturës shkollore, punës pa pagesë për më shumë se dy vite, rrezikut nga policët serbë, të cilët herë pas herë i ndalonin arsimtarët rrugës ose ua ndërpritnin mësimin nëpër shtëpitë private, i rrihnin me arsyetimin se po bojkotonin plan programin e Republikës së Serbisë, ata vazhduan t’i mësonin nxënësit shqiptarë dhe në të njëjtën kohë, ia ngulitën në mendje dhe zemër ndjenjën e atdhedashurisë për çlirim nga serbo sllavët.

Mbi 70 për qind të dëshmorëve të luftës së Kosovës, ishin nxënës që u edukuan në vitet 90-ta nga këta mësimdhënës që sot shteti i jonë po heziton t’ua njoh zyrtarisht kontributin atyre.

Po ashtu, mbajtja e mësimit gjatë viteve 90-ta çoi në krijimin e institucionit të parë paralel me atë të pushtetit serb. Për faktin se krahas shkollave publike ku po mësonin fëmijët serb, në ato private vijonin mësimin nxënësit shqiptarë.

Sa do të ishte numri i analfabetëve në Kosovë, sikur këta mësimdhënës do të refuzonin mbajtjen e mësimit për shkak të rreziqeve nga okupatori serb dhe punës pa pagë për shumë se dy vite. Më vonë, punonjësit e arsimit filluan të paguhen me nga 20 euro, një shumë simbolike që nuk u mjaftonte për t’i përmbushur nevojat bazike për mbijetesë.

Sot shteti i jonë për kundër së është vonuar shumë, ende po e zvarrit miratimin e Projektligjin për Punëtorët e Arsimit të viteve të 90-ta, me arsyetimin se nuk ka buxhet.

Përgjigja e ministrisë së financave të Qeverisë Haradinaj nuk qëndron për faktin se shteti i Kosovës po arrin t’ua sigurojë pensionin e rregullt prej 170 euro, mbi 40 mijë veteranëve të UÇK-së.

Një numër i konsiderueshëm i veteranëve konsiderohet se janë të rrejshëm, sepse ekzistojnë dyshime të bazuar për fryrje të listave.

Poashtu Qeveria e Kosovës siguroi 55 milionë euro për t’i kompensuar ish të dënuarit politik pas miratimit të projektligjit. Sipas këtij ligji, të drejtë në kompensim kanë 4 mijë e 197 ish të dënuar nga vitit 1913 e këtej. Andaj, institucionet e shtetit të Kosovës pa humbur kohë duhet të miratojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta, që janë kontribuuesit më të mëdhenj që ne sot jetojmë të lirë. Kurse, paratë për këtë duhet t’i sigurojë duke i hequr nga lista e pensionit veteranët e rrejshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat