Më afër se kurrë, ditët në vijim aktakuzat e para të Speciales

Politika

Më afër se kurrë, ditët në vijim aktakuzat e para të Speciales

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 15 mars 2018 Në ora: 23:06
Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit. Sipas juristëve, pas publikimit të listës se avokateve të akredituar, po fillon të nënkuptohet edhe fillimi i punës funksionale të gjykatës dhe ngritjes së shpejt të aktakuzave të para. Tani më nuk ka asnjë pengesë ligjore për ngritjen e aktakuzave.

Pas publikimit të Listës së avokatëve mbrojtës për përfaqësimin e të dyshuarve nga Gjykata Speciale, pritet që kjo e fundit shumë shpejt të ngritë edhe aktakuzat e para, pasi që për këtë janë gati të gjitha procedurat ligjore që parashihen. Përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk kanë dashur të komentojnë më shumë në lidhje me këtë, duke mos treguar se kur saktësisht do të kemi ngritjen e ndonjë aktakuze dhe ndaj kujt.

Por, në një përgjigje me shkrim ata kanë thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e komenton statusin e hetimeve ose kohën e aktakuzave.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e komenton statusin e hetimeve ose kohën e aktakuzave.” thuhet në përgjigjen që gazeta ka marrë nga Gjykata speciale.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.

Gashi: Ngritja e aktakuzave u vonua

Listat përmbajnë emrat e 40 juristëve që janë pranuar në Listat e Mbrojtësve dhe tashmë mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara.

Image
Tomë Gashi

Në lidhje me Gjykatën Speciale dhe ngritjen e ndonjë aktakuze të mundshme në ditët në vazhdim, avokati Tomë Gashi ka thënë se ai personalisht nuk ka aplikuar për akreditim si avokat në gjykatën speciale pasi që Gashi punon me dy avokatë në Prishtinë dhe në Hagë Gregor Guy Smith dhe Colleen Rogan.

“Ne presim që të kemi klient i cili është në gjendje që të paguaj shërbimet tona juridike, dhe po ashtu se paku unë nuk jam i interesuar që të jem avokat i caktuar zyrtarisht për të mbrojtur dike të akuzuar në gjykatën speciale, thënë më thjesht ne jemi të interesuar të mbrojmë vetëm klient i cili na angazhon personalisht, por nuk duam që të humbim vite të tera në Hagë për klient të cilët nuk mund ti përballojnë shpenzimet e mbrojtjes se tyre”.

Gashi ka thënë se që nga korriku i vitit të kaluar, Gjykata speciale ka qenë e gatshme të pranojë akuza dhe të filloj me gjykime.

“Që nga korriku i vitit 2017 Gjykata speciale është e gatshme të pranoj akuza dhe të filloj më gjykime por kjo nuk ka ndodhur ende ngase zyra e prokurorit special nuk ka akuzuar ende askënd. Mos ngritja e akuzave dhe më këto vonesa për fillim të gjykimeve në gjykatë speciale ka bërë që të humbet edhe besueshmëria e qytetarëve të Kosovës në kredibilitetin e kësaj gjykate dhe kjo çështje është komplikuar edhe më shumë më rastin e dorëheqjes se pa pritur të kryeprokurorit amerikan David Shëendiman, i cili në fund të këtij muaji do të largohet nga ai post dhe mbetet në sferën e spekulimeve se a është shkarkuar nga administrata amerikane bash për këto vonesa në mos ngritjen e asnjë aktakuzë deri më tani. Ka mbetë e paqartë për opinionin publik se a u shkarkua ai për mos punë / mos ngritje të akuzave apo është pensionuar më herët edhe pse çuditërisht atë edhe si i pensionuar është emëruar në at post më mandat deri më 2020 por rrugëtimi si prokuror ju ndërpre nga ata që e emëruan në mes të rrugës”, ka thënë Gashi.

Miftaraj: Tanimë nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për ngritjen e aktakuzave

Pas publikimit të listës se avokateve të akredituar, po fillon të nënkuptohet edhe fillimi i punës funksionale të gjykatës dhe ngritjes së shpejt të aktakuzave të para. Tani më nuk ka asnjë pengesë ligjore për ngritjen e aktakuzave.

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për “Bota sot” se Akreditimi i avokatëve mbrojtës nga Gjykata Speciale, nënkupton se tanimë është përmbushur kriteri ligjor për të ofruar të drejtën për avokat mbrojtës për personat që potencialisht mund të akuzohen nga Prokuroria, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi në Kosovë.

“Rrjedhimisht tanimë nuk ka asnjë pengesë ligjore apo procedurale për ngritjen e aktakuzave, arrestimin dhe dërgimin e personave në Hagë për të u ballafaquar më procese gjyqësore. Sigurisht se ngritja e aktakuzave dhe arrestimeve varet nga ajo se sa prokurorët janë afër kompletimit dhe përfundimit të tyre, gjithmonë duke marrë për bazë kompleksitetin e rasteve që ata trajtojnë” ka thënë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Kurse, Avokati Adrian Gjoshi, ka thënë për “Bota sot” se licencimi i avokatëve pranë Gjykatës Speciale është fazë përfundimtare e funksionalizimit të tërësishëm të gjykatës. Pas licencimit te grupit te pare te avokateve, mund të ngritën aktakuzat e para.

Nuk ka arsye për neglizhimin e procesit

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Dashnim Ismajli, ka thënë se Gjykata speciale me emërimin e kryeprokurorit të ri dhe akreditimin e avokatëve po jep sinjale se është në fazën finale të konsolidimit, dhe sigurisht se nuk mund të jetë as data e largët kur do kemi edhe aktakuzat e para nga kjo Gjykatë.

Image
Dashnim Ismajli

“Mendoj se tashmë Gjykata Speciale duhet të vihet në veprim për arsye se sa më shumë që zgjatet aq më të rëndë e bënë procesin dhe sfidat që e presin vendin. Andaj, meqë kjo Gjykatë tashmë është krijuar edhe nga vullneti i brendshëm politik i Kosovës, nuk shoh ndonjë arsye që procesi të neglizhohet, sepse ky proces pos që nuk mund të anashkalohet një ashtu nuk do jetë i shkurtër, mirëpo të zgjas me vite, andaj Kosova duhet ta kaloj edhe këtë sfidë, si sfidat e tjera, për arsye se Kosovën  nuk e presin sfida të pakta dhe të lehta, andaj sa më shpejt që i kalohen aq më të shkurtër Republika e Kosovës e bënë rrugën e saj në ndërtimin, forcimin e shtetit dhe avancimin e perspektives së saj në integrimet e mekanizmave ndërkombëtare” ka thënë Ismajli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat