Pritjet astronomike dhe dështimi i EULEX-it në luftën kundër korrupsionit

Politika

Pritjet astronomike dhe dështimi i EULEX-it në luftën kundër korrupsionit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 mars 2018 Në ora: 08:13
EULEX

“Pritjet nga EULEX-i kanë qenë astronomike, dhe si rrjedhojë, mund të themi se EULEX nuk ka dhënë rezultatet që qytetarët e Kosovës kanë pritur, pra që të eliminojnë korrupsionin, të përmirësojnë sistemin tonë të drejtësisë, e besa, edhe t`ua heqin qafe qytetarëve edhe disa politikanë që kanë uzurpuar shtetin.  Dhe si shihet, kjo nuk ka ndodhë.  Por, edhe pse pritjet nuk janë përmbushur, besoj se EULEX ka dhënë një kontribut, qoftë edhe në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes në sistemin tonë të drejtësisë”, u shpreh deputeti i pavarur Korab Sejdiu.

Është rrumbullakuar një dekadë që kur misioni evropian për sundimin e ligjit-EULEX ka filluar të veprojë në Kosovë, me qëllim për të ndihmuar autoritetet gjyqësore në zbatimin e ligjit.

Edhe pse kaluan 10 vite, ende nuk dihet ndonjë rast  që ky mision ka zgjidhur. Përkundrazi, kohëve të fundit, puna e bërë për kaq vite është zbehur edhe më shumë, shkak i disa deklaratave nga ish-gjyqtarët e saj, se ky mision është i korruptuar.

Në një linjë është deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab dhe njohësi i çështjeve juridike në vend. Sipas tyre, përkundër pritjeve astronomike, misioni EULEX nuk ka dhënë rezultatet që qytetarët e Kosovës kanë pritur.

Image
Donika Berisha-Rizaj

EULEX: Vendimi për të ardhmen i takon shteteve anëtareve të BE-së

Ndërsa, në lidhje me mandatin e tyre në Kosovë, nga EULEX-i thonë se drejtimi i përgjithshëm i misionit të tyre do të jetë deri ka mesi i qershorit të 2018-tës.

Ekskluzivisht për “Bota sot”, zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, përmes postës elektronike dha sqarime për mandatin e këtij misioni.

Nga Zyra për Informim e EULEX, thonë se deri në fund të mandatit, drejtimi i përgjithshëm i misionit të EULEX do të jetë drejt tranzicionit progresiv të funksioneve dhe përgjegjësive.

“Deri në fund të mandatit në mes të qershorit 2018, drejtimi i përgjithshëm i misionit të EULEX do të jetë drejt tranzicionit progresiv të funksioneve dhe përgjegjësive në Monitorim, Mentorim dhe Këshillim tek instrumentet asistuese të BE-së, si dhe largimi gradual i mandatit ekzekutiv ashtu siç të konsiderohet e duhur”, thuhet në përgjigjen e nga Zyra për Informim e EULEX-it.

Ndërsa, sipas Zyrës për Informim, vendimi për të ardhmen e mandatit të EULEX-it i takon shteteve anëtare të BE-së që të vendosin.

“Vendimi për të ardhmen e mandatit të EULEX pas qershorit të këtij viti i takon shteteve anëtare të BE-së, gjithmonë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me autoritetet vendore”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për gazetën “Bota sot”.

Image
Korab Sejdiu

“EULEX pa rezultate”

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se EULEX-i nuk ka dhënë rezultatet që qytetarët e Kosovës kanë pritur.

Ai thotë, se edhe pse pritjet nuk janë përmbushur. Sipas Sejdiut, EULEX-i ka dhënë një kontribut, në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes në sistemin tonë të drejtësisë.

“Kur flasim për EULEX, duhet fillimisht të adresojmë çështjen kyçe në shoqërinë tonë, ku presim që të palarat tona t’i pastrojë dikush tjetër.  Pra, ne në vazhdimësi po presim që të tjerët të na e rregullojnë drejtësinë, por kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur ne vet merremi me problemet tona, përfshirë edhe drejtësinë.  Thënë këtë, pritjet nga EULEX kanë qenë astronomike, dhe si rrjedhojë, mund të themi se EULEX nuk ka dhënë rezultatet që qytetarët e Kosovës kanë pritur, pra që të eliminojnë korrupsionin, të përmirësojnë sistemin tonë të drejtësisë, e besa, edhe t`ua heqin qafe qytetarëve edhe disa politikanë që kanë uzurpuar shtetin.  Dhe si shihet, kjo nuk ka ndodhë.  Por, edhe pse pritjet nuk janë përmbushur, besoj se EULEX ka dhënë një kontribut, qoftë edhe në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes në sistemin tonë të drejtësisë”, u shpreh deputeti i pavarur. 

Sejdiu thotë, se EULEX nuk i ka merituar shpenzimet marramendëse që janë bërë nga taksapaguesit evropianë për këtë mision.

“Detyrimisht që nuk kanë merituar shpenzimet marramendëse që janë bërë nga taksapaguesit evropianë për këtë mision, por nuk duhet mohuar në  tërësi të arriturat e tyre modeste.  Është fatkeqe që këto merita, sa do modeste, tani janë dëmtuar tutje nga skandalet e vonshme që dolën në pah lidhur me EULEX, që në fakt, është një fatkeqësi e madhe pasur parasysh se pikërisht ky mision ka ardhë në Kosovë ti adresojë dhe përmirësojë çështjet për të cilat tash vet pjesëtarët e EULEX po akuzohen”, tha Sejdiu. 

Sipas tij, nëse vendoset të vazhdohet mandati i EULEX, duhet të mendohet mirë për kompetencat që do t’i ketë.

“Rrjedhimisht, nëse veç vendoset të vazhdohet mandati i EULEX, duhet të mendohet mirë për kompetencat që do t’i ketë, mandati të specifikohet shumë qartë, të jetë numerikisht më i vogël, dhe të filtrohet nga “mollat e këqija”, para se të fillojë zbatimin e mandatit të ri, nëse veç i zgjatet”, ka përfunduar, Korab Sejdiu.  

Image
Lirim Zorra

“EULEX, të jetë deri në anëtarësimin e Kosovës në BE”

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra, duke vlerësuar punën e EULEX-it në Kosovë, thotë se ky mision nuk e ka plotësuar në maksimum punën e saj në ndihmë të institucioneve të Kosovës.

“Besoj që EULEX-i nuk e ka plotësuar në maksimum punën e saj në ndihmë të institucioneve të Kosovës, kjo për disa faktorë; si politik, po ashtu për shkak të sindromit të frikës për dëshmi apo edhe korruptimit të dëshmitarëve të ndryshëm”, u shpreh ai.

Zorra thotë se EULEX duhet të vazhdojë të jetë deri në anëtarësimin e Kosovës në BE, që kjo të jetë edhe një ndihmesë në rrugën drejtë anëtarësimit në BE.

“Në anën tjetër shtrohet pyetja me largimin e EULEX-it, a do të rritet korrupsioni te gjyqësori në Kosovë dhe po ashtu a do të jenë të pavarur dhe pa ndikim nga politika gjyqtarët dhe prokurorët në vend.  Dyshoj se mund të kemi  gjyqësor të pavarur dhe pa ndikim politik, andaj qëndrimi i EULEX duhet të jetë deri në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe po ashtu kjo mund të jetë një ndihmesë edhe në rrugën drejtë anëtarësimit në BE, kur faji nuk i mbetët vetëm Kosovës, mirëpo edhe BE sepse edhe ata nuk kanë kontribuar në masë të madhe në sektorin e gjyqësisë për pavarësinë e saj dhe mos ndikimin politik”, ka përfunduar ligjëruesi i Kolegjit “ISPE”, Lirim Zorra për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se EULEX-i e ka arritur funksionalitetin e plotë në prill të vitit 2009. Në bashkëpunim të plotë me Programet e Asistencës të Bashkimit Evropian zbaton mandatin e tij përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ndërsa i ruan disa përgjegjësi të caktuara ekzekutive. Në mënyrë që të mundësohet progresi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm nga ana e autoriteteve vendase, duke i përfshirë autoritetet gjyqësore dhe shërbimet policore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat