Flasin nga EULEX, ja kush vendos për të ardhmen e këtij misioni

Politika

Flasin nga EULEX, ja kush vendos për të ardhmen e këtij misioni

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 mars 2018 Në ora: 08:20
Zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj

Është rrumbullakuar një dekadë që kur misioni evropian për sundimin e ligjit-EULEX ka filluar të veprojë në Kosovë, me qëllim për të ndihmuar autoritetet gjyqësore në zbatimin e ligjit.

Lidhur me mandatin e tyre në Kosovë, nga EULEX-i thonë se drejtimi i përgjithshëm i misionit të tyre do të jetë deri ka mesi i qershorit të 2018-tës.

Ekskluzivisht për “Bota sot”, zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha-Rizaj, përmes postës elektronike dha sqarime për mandatin e këtij misioni.

Nga Zyra për Informim e EULEX, thonë se deri në fund të mandatit, drejtimi i përgjithshëm i misionit të EULEX do të jetë drejt tranzicionit progresiv të funksioneve dhe përgjegjësive.

“Deri në fund të mandatit në mes të qershorit 2018, drejtimi i përgjithshëm i misionit të EULEX do të jetë drejt tranzicionit progresiv të funksioneve dhe përgjegjësive në Monitorim, Mentorim dhe Këshillim tek instrumentet asistuese të BE-së, si dhe largimi gradual i mandatit ekzekutiv ashtu siç të konsiderohet e duhur”, thuhet në përgjigjen e nga Zyra për Informim e EULEX-it.

Ndërsa, sipas Zyrës për Informim, vendimi për të ardhmen e mandatit të EULEX-it i takon shteteve anëtare të BE-së që të vendosin.

“Vendimi për të ardhmen e mandatit të EULEX pas qershorit të këtij viti i takon shteteve anëtare të BE-së, gjithmonë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me autoritetet vendore”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat