Mos luftimi i korrupsionit, mban peng liberalizmin

Politika

Mos luftimi i korrupsionit, mban peng liberalizmin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 mars 2018 Në ora: 13:31
Foto ilustrim

Demarkacioni dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit janë dy çështje që përsëriten vazhdimisht, që duhet të përmbushen, në mënyrë që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Por, derisa këto kushte nuk plotësohen, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar. Mirëpo, ky izolim mund të vazhdojë edhe më gjatë. 

Andrew Russell, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së dhe njëherësh koordinator zhvillimor i OKB-së në Kosovë, ditë më parë ka thënë se nëse nuk luftohet krimi dhe korrupsioni në Kosovë, liberalizimi i vizave mund të shtyhet edhe për 3 vite.

Ai ka thënë se autoritet e Kosovës duhet të dërgojnë mesazhe shkelësve të ligjit që nuk mund të shkojnë larg me korrupsionin.

“Nëse nuk ndodh luftimi i korrupsionit në Kosovë, atëherë edhe pas dy apo tre vjetëve do të flasim për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (BE). Autoritetet e Kosovës duhet t’u dërgojnë mesazhe shkelësve të ligjit se nuk mund të shkoni larg me korrupsion pasi në fillim jo vetëm se të gjithë do ta marrin vesh atë se çfarë po ndodh, por do të fillojmë ta godasim edhe “xhepin” tuaj”, është shprehur ai.

Por sa ka bërë Kosova që të luftojë këto dukuri që po pengojnë të ardhmen e Kosovës? Lidhur me këtë, njohësit kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Image
Avni Mazrreku

Bllokimi nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën

Lidhur me këtë profesori dhe njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Avni Mazrreku, thotë se përveç këtyre dy kritereve, Kosova ka një problem tjetër e që është njohja e pesë shteteve që ende se kanë njohur atë.

“Kosova përveç dy kritereve që ende nuk i ka përfunduar e që janë ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe lufta efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kosova ka edhe një problem tjetër e që është njohja e pesë shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Sepse vendimi final merret nga Këshilli evropian dhe kjo bëhet sipas shumicës së kualifikuar, që nënkupton që 55 për qind e shteteve të BE-së të votojnë pro një vendimi eventualisht pozitiv, në këtë rast pro liberalizimit të vizave me Kosovën dhe këto 55 për qind të shteteve anëtare duhet të përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së”, është shprehur ai.

Sipas tij, mund të përdoret edhe minoranca bllokuese nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Por ky sistem i votimit, i shumicës së kualifikuar e mundëson edhe përdorimin e minorancës bllokuese e cila përdoret edhe nëse arrihet ky 55 për qindëshi i shteteve. Por, e mira është që kjo nuk është e drejta e një shteti, por kompozohet nga katër shtete anëtare, e që këto shtete duhet të përfaqësojnë 35 për qind të popullatës së BE-së. Në këtë rast, pritjet janë që pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën mund ta përdorin minorancën bllokuese, por fatmirësisht këto shtete nuk e përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së BE-së”, ka deklaruar Mazrreku për “Bota sot”.

Profesori vlerëson se mungesa e atyre njohjeve përbën rrezik edhe pse sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit është bërë pak.

“Rrjedhimisht, edhe nëse Kosova i plotëson kushtet që janë kërkuar, rreziku i vendimit final vjen nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është aq efektive, pavarësisht sa është bërë në këtë aspekt, të dhënat tregojnë se nuk ka rezultate”, është shprehur Avni Mazrreku.

Image
Selim Daku

EULEX, zhgënjimi kryesor

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vlerëson se nuk ka luftë kundër këtyre dukurive, por vetëm aksione për të kamufluar idenë e luftimit të saj.

“Në Kosovë nuk ka luftë speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo që ne shohim janë disa aksione simbolike të cilat bëhen për të kamufluar idenë e luftimit të kësaj dukurie. Qytetarët e Kosovës nuk kanë pritur që ky sistem i drejtësisë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsion, pasi që dyshohet se ata si fenomene veç janë të varur nga njëri tjetri. Qytetarët kanë pasur pritje nga drejtësia ndërkombëtare që është prezente në Kosovë siç është EULEXI. Zhgënjimi kryesor i qytetarëve të Kosovës është për misionin e EULEXIT i cili po dyshohet të jetë më politik dhe më i korruptuar sesa drejtësia vendore”, është shprehur ai.

Daku jep një mënyrë se si mund të bëhet luftimi i krimit dhe korrupsionit.

“Prandaj luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mund të bënin mekanizma të pavarur dhe special të cilat nuk do të përfshinin asnjë zyrtar të deritashëm në sistemin e drejtësisë vendore apo ndërkombëtare”, vlerëson ai për “Bota sot”.

Ndërsa, në lidhje me mundësinë e shtyrjes së liberalizimit të vizave për shkak të këtyre kushteve, Daku vlerëson se kjo mund të ndodhë, por do të ishte turp për Kosovën dhe BE-në që të mos ketë liberalizim për shkak të këtyre kushteve.

“Në Kosovë dhe për Kosovën gjithçka është e mundur! Është e palogjikshme që procesi i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të jetë shkaktari tjetër që mund të stopojë për një kohë lëvizjen pa viza. Do të ishte turp për institucionet vendore dhe Bashkimin Evropian sikur të neglizhohej liberalizimi i vizave për shkak të procesit të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Thjeshtë një gjë e tillë do të argumentonte standardet e shumëfishta që BE-ja përdorë për rastin e Kosovës. Unë konsideroj që liberalizimi i vizave do të ndikojë edhe në uljen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci.

E sa i përket mënyrës se si duhet të veprojë sistemi i drejtësisë që të luftojë krimin dhe korrupsionin, Daku thotë se ai e ka të thjeshtë, vetëm të respektojë normat juridike që janë në fuqi.

“Sistemi i drejtësisë e ka punën shumë të thjeshtë, vetëm duhet të respektojë normat juridike që janë në fuqi. Me respektimin e tyre luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit do të ishte proces tejet i suksesshëm dhe si i tillë do të çlironte vendin nga grupet kriminale të organizuar brenda dhe jashtë institucioneve”, ka përfunduar Selim Daku për “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Sistemi i drejtësisë pa rezultate

Në anën tjetër, avokati Adrian Gjoshi thotë se për dallim nga Demarkacioni që mund të plotësohet brenda ditës, luftimi i krimit dhe korrupsionit kërkon punë intensive dhe serioze.

“Përveç ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, kusht tjetër i veçantë që Kosova duhet të plotësojë për t'u hequr vizat, është sundimi i ligjit. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është kusht më kompleks për t’u përmbushur. Përderisa demarkacioni mund të përmbushet brenda ditës me ngritje duarsh nga ana e deputetëve, sundimi i ligjit kërkon punë intensive, konsistente e serioze të policisë, prokurorisë dhe gjykatave”, është shprehur ai.

Sipas Gjoshit, sistemi i drejtësisë sistemi i drejtësisë në vend nuk ka arritur të tregojë rezultatet për këtë çështje, por që sipas tij Kosova është diskriminuar duke qenë i izoluar.

“Fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë në vend, duke mos qenë i pavarur dhe i paanshëm nga politika e grupe tjera të interesit, nuk ka arritur të tregojë punë dhe rezultate konkrete në luftimin e kriminalitetit. Megjithatë, vlerësoj se Kosova është diskriminuar duke qenë i vetmi vend në rajon i izoluar, edhe pse shumë shtete fqinje kanë probleme të njëjta apo të ngjashme me ato të Kosovës”, ka vlerësuar avokati Adrian Gjoshi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat