“Tregtia me deputetë”, Kelmendi tregon kush mund t’i sigurojë votat për Demarkacionin

Politika

“Tregtia me deputetë”, Kelmendi tregon kush mund t’i sigurojë votat për Demarkacionin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 mars 2018 Në ora: 16:44
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Ishte në rendin e ditës në tre seanca, por marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi u hoq për një kohë, derisa tani është caktuar që të martën në ora 16 kjo marrëveshje të sillet në Kuvend.

Për këtë marrëveshje që duhen 80 vota, ende nuk dihet nëse janë siguruar ato.

Se a ka mundësi të ratifikohet marrëveshja e Demarkacionit të martën, profesori dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi, thotë se po bëhet tregti me qenie të gjalla, duke u blerë deputetë.

“Mendoj se ajo që po shohim kohëve të fundit sidomos në skenën politike të Kosovës, është një tregti me qenie të gjalla, pra blihen për fat të keq deputetët, blihen shiten, bëhet tregti nga më të ulëtat dhe kjo e ka gjunjëzuar deri tani por tani është kulmi i turpit me qytetarin dhe kalimi i një deputetes, herë andej, herë andej, është një tregti e ulët me qenie të gjalla”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Kelmendit, ka mundësi që të jenë siguruar votat nga deputetët e ndarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Jeton Kelmendi

“Sigurisht ky lloj guximi që shprehet tani nga binomi Haradinaj-Veseli sigurisht edhe mund të ja kenë dalë t’i sigurojnë votat, sidomos tani me të pakënaqurit që e kanë hapur rrugën, duke u ndarë nga Vetëvendosje. Grupi i tyre prej 12/13 deputetë është i madh dhe sigurisht që edhe disa nga ta mund ta votojnë marrëveshjen. Të humburit e Vetëvendosjes, disa nga ta të cilët janë pjesë e SHIK-ut, për ta çarë VV-në mund ta votojnë”, vlerëson Kelmendi.

Ai dyshon se marrëveshja mund të ratifikohet të martën, derisa thotë se është e dëmshme për Kosovën por që në Kosovë tregtia me qenie të gjalla, sipas tij mundëson gjithçka.

“Dyshoj se do të mundet të kalojë marrëveshja të martën, sigurisht që është e keqe, e dëmshme kjo marrëveshje është totalisht antishqiptare dhe është arritur falë presioneve të brendshme dhe të jashtme, kur arriti ta dorëzojë njeriun më militant të kësaj çështje, Ramush Haradinajn, i cili e ka krijuar këtë kauzë , po del se kjo çështje edhe mund të kalojë. Pra në Kosovë tregtia me qenie të gjalla e mundëson çfarëdo lloj mundësie të kjo të kalojë, andaj nuk mund të themi se asgjë nuk mund të ndodhë në Kosovë”, ka përfunduar profesori Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Kujtojmë që marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi është votuar në gusht të vitit 2015 dhe ende nuk është ratifikuar.

Mbetet të shihet nëse kjo do të bëhet të martën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat