Javë më parë ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla është liruar nga masa e paraburgimit, vetëm disa ditë pasi rastin e tij e morën gjykatësit vendorë.
Për këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj ka kritikuar gjyqësorin në vend, ku ka thënë se në këtë rast më shumë ka faj gjyqësori sesa Azem Syla.
“E myten atë Azem Sylen o burrë, që 5 vjet sillet nëpër gjyqe. Ki edhe njerëz të tu nëpër gjykatë. Ma n’faj është gjyqësori se sa Azem Syla”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Lidhur më këtë, avokati Adrian Gjoshi ka thënë se përmendja e rasteve penale konkrete nga ana deputeteve dhe funksionareve të shtetit në parlament nuk i kontribuon parimit të ndarjes së pushteteve.
“Në kuadër të lirisë së shprehjes dhe detyrave që kanë politikanët; ata mund të përmendin e kritikojnë sistemin e drejtësisë në përgjithësi, por jo të ngrisin mocione për raste specifike penale e që janë në proces. Përmendja e rasteve penale konkrete nga ana deputetëve dhe funksionareve të shtetit në parlament nuk i kontribuon parimit të ndarjes së pushteteve”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Po ashtu, Gjoshi ka potencuar se ndërhyrjet politike nuk janë të pranueshme në vendet ku sundon ligji, pasi që cenojnë pavarësinë sistemit të drejtësisë.
“Fatkeqësisht, deri tani, ka pasur raste të shumta kur parlamenti është shndërruar në gjykatore, e gjykatorja në forum politik. Ndërhyrjet e tilla politike nuk janë të pranueshme për një vend ku sundon ligji, sepse cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Gjoshi për “Bota sot”.