Java vendimtare për fatin e Qeverisë Haradinaj

Politika

Java vendimtare për fatin e Qeverisë Haradinaj

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 mars 2018 Në ora: 20:53
Qeveria PANA-Lista serbe

Me shumë pika në rend të ditës, por që nuk përfundojnë dhe seancat vazhdimisht shtyhen për një ditë tjetër. Në seancat e Kuvendit të Kosovës, në legjislaturën e gjashtë, ku vërehet edhe numri i vogël i deputetëve pjesëmarrës, duke pamundësuar kështu miratimin e ligjeve.

E në një nga seancat e fundit, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi që Kuvendi të shpërbëhej, ndërsa shefi i GP të VV-së, Glauk Konjufca, tha se derisa mazhoranca nuk voton atë që propozon opozita, as opozita nuk i voton ato që ata duan dhe kështu pamundësohet funksionimi i Kuvendit.

"Sa i përket kësaj metodologjisë së pushtetit dhe mazhorancës, këtu po vërehet qartë që po udhëhiqet nga një princip. Principi është ky: Ju duhet të jeni të dëgjueshëm si opozitë për gjithçka që ne kërkojmë të na e votoni por ne nuk votojmë asgjë që ju propozoni. Dhe jo vetëm që votojmë kundër, por nuk votojmë fare duke pamundësuar vazhdimin e seancës. Atëherë, nuk kemi zgjidhje tjetër përpos t’ua kthejmë me monedhën e njëjtë, me metodën e njëjtë. Ama, mos harroni një gjë. Nëse hyn Kuvendi në këtë cikël, që ne t’ua kthejmë në të njëjtën mënyrë, mos harroni që ju asnjë ligj nuk e kaloni dhe pamundësohet funksionimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Atëherë, nëse po e kërkoni këtë gjë patjetër që kjo do të ndodhë", u shpreh Glauk Konjufca në Kuvend.

Java e ardhshme vendimtarja për qëndrueshmërinë apo jo të Qeverisë

Image
Ramush Tahiri

Se sa mund të bllokohet puna e Kuvendit, politologu i njohur, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Qeveria që nga fillimi është varur nga një apo dy vota dhe kjo e vështirëson miratimin e ligjeve.

“Qeveria Haradinaj, që nga krijimi i saj varet nga votat e një apo dy votave te deputetëve duke përfshirë këtu edhe votat e grupit parlamentar të Listës Serbe, gjë që e vështirëson punën në miratimin e ligjeve apo në kalimin e nismave të tjera, nëse paraprakisht nuk arrihet pajtueshmëri apo konsensus me LDK ose me VV”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, tani situata ka ndryshuar kur nga VV është krijuar një GP i ri dhe nuk dihet si do të votojnë për çështje të caktuara dhe javën e ardhshme vërtetohet qëndrueshmëria e koalicionit.

“Tash situata ka ndryshuar me krijimin e grupit të ri parlamentar nga fraksioni i Lëvizjes Vetëvendosje pasi nuk dihet se çfarë drejtimi ideopolitik do te marrë dhe si do të votojë për çështjet e caktuara. Java e ardhshme do të jetë vendimtarja për qëndrueshmërinë apo jo të Qeverisë dhe të koalicionit, pasi vendoset për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin i Zi”, ka deklaruar politologu Tahiri për “Bota sot”

Abdullahu: Më e mira të shpërbëhet Kuvendi

Image
Faton Abdullahu

Ndërsa, publicisti Faton Abdullahu vlerëson se në Kuvend po shfrytëzohet foltorja për promovime personale, madje edhe nga opozita.

“Është krijuar një përshtypje se në Kuvendin e Kosovës po bëhen punë të mira bile krijohet bindja se është mirë që të vazhdohet kështu. Kësaj i kontribuojnë edhe disa deputetë opozitarë që me rrahagjoks flasin për të mirat që po arrihen në këtë Kuvend dhe e shfrytëzojnë këtë foltore për promovime personale duke dëmtuar kauzën bazë mbi të cilën duhet të rreshtohen të gjithë opozitarët”, është shprehur Abdullahu për “Bota sot”.

Ai mendon, se më e mira është që të shpërbëhet Kuvendi, pasi me këtë përbërje e ka dëshmuar se nuk mund të punojë për të mirën e vendit.

“E mira më përmbajtësore që mund ta bëjnë kuvendarët në Kuvend është shpërbërja e tij. Për këtë kërkohet strategji unike opozitare e jo taktizime personale e klanore që vetëm se mund t’ia zgjasin jetën këtij Kuvendi i cili me këtë përbërje e ka dëshmuar tashmë disa herë se s’mund të punojë për të mirën e Kosovës”, ka vlerësuar Faton Abdullahu.

Në anën tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, vlerëson se nëse Kuvendi nuk është në gjendje të miratojë ligje, duhet të shpërbëhet.

Image
Faton Mehmeti

“Në raste kur Kuvendi nuk është në gjendje të mbajë seanca, e rrjedhimisht të miratojë ligjet atëherë qeveria të cilën e ka zgjedhur Kuvendi duhet të shpërbëhet. Në këtë situatë kjo është zgjidhja, ndryshe vazhdojmë të futemi në një rreth vicioz pa dalje. Kjo qeveri fragjile, nuk është në gjendje që të shtyjë përpara proceset, as ato në emër të së cilave ka ardhur në pushtet. Prandaj, s’ka sens që një qeveri e tillë të vazhdojë të qeveris vendin, derisa po dështon vazhdimisht”, është shprehur ai.

Mehmeti: Qeveria po i nënshtrohet Listës serbe

Sipas Mehmetit, qeveria po nënshtrohet ndaj Listës Serbe  dhe si e tillë, ajo dhe Kuvendi duhet të shpërbëhen dhe të shkohet në zgjedhje.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që opozita të jetë më e fortë se pozita, e cila është zënë peng i lojërave të veta me Demarkacionin. Kjo i ka shtyrë dhe i shtyn t'i nënshtrohen Listës Srpska, e cila për momentin është partia kryesore në vend për nga fuqia. Është e papranueshme që kjo qeveri ka arritur të zbehë forcën e partive shqiptare, e ka favorizuar Listën Srpska dhe asnjë proces nuk ka shtyrë përpara vetëm sa e ka bllokuar. Kjo qeveri bashkë me Kuvendin aktual, duhet të shpërbëhet dhe të shkohet në zgjedhje, ndryshe vendi rrezikon të mbetet pezull i kësaj qeverie të dështuar”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të martën të procedohet në seancë plenare marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat