“Pse u shfry Liburn Aliu ndaj Memli Krasniqit gjatë tensionit në Kuvend”

Politika

“Pse u shfry Liburn Aliu ndaj Memli Krasniqit gjatë tensionit në Kuvend”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 mars 2018 Në ora: 22:46
Pamje nga përplasja në Kuvendin e Kosovës

Interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj e thirrur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për rastin e vdekjes së Astrit Dehari, është shndërruar në arenë akuzash mes kësaj partie dhe PDK-së.

Deputetët e VV-së, me të marrë fjalën ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, (ish-ministre e Drejtësisë), kanë nisur të bëjnë zhurmë e brohoritje, duke rrahur tavolinat e duke e quajtur Hoxhën “kriminele”.

E gjithë kjo gati ka pasuar me përleshje fizike mes deputetëve.

E këto skena të seancës së sotme të Kuvendit, sipas analistit politik Faton Mehmeti, zanafillën e kanë në inflirtimin e SHIK-ut në VV.

Ai madje ka thënë se SHIK-u ndau në dy pjesë VV-në, dhe këtë sipas tij, e ka kuptuar edhe deputeti Liburn Aliu, i cili “u shfry tek ata që e kanë planifikuar”.

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, sipas tij, deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, po mundohet të faktorizohet në partinë e tij me arrogancë.

“Besoj se përleshja fizike, ka zanafillën në inflirtimin e SHIK-ut në VV, me ç’rast arriti ta ndajë në dysh këtë parti. Pikërisht Liburni, që është me Albinin, e kuptoi dobësimin nga ndarja, andaj u shfry tek ata që e kanë planifikuar. Memli Krasniqi është pinjoll i Kadrisë dhe Hashimit, i cili po mundohet të faktorizohet me arrogancë. Kjo është mënyra për t’u ngritur dhe faktorizuar në një parti si PDK, kjo është sa lemeritëse, aq edhe neveritëse”, është shprehur Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Analisti më tej ka theksuar se tensioni në Kuvend erdhi si pasojë e asaj që VV-ja konsideron se rastin Dehari e ka kurdisur kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai ka paralajmëruar rritje të tensioneve mes VV-së dhe PDK-së.

Rasti i Deharit, që po diskutohej për këtë, për VV-në është i dhimshëm pasi po iu djeg zemra se Kadriu e ka kurdisur. Andaj, edhe tensioni ishte i kuptueshëm. Por arroganca e Memlit është e papranueshme, duke shpërfaqur mendësinë e klanit "Pronto", ku dhuna dhe shamata janë mjete të tyre të diskutimit. Besoj se fërkimet mes VV dhe PDK do të rriten, pasi rivaliteti mes tyre për dominim, kalon përmasat e garës demokratike. PDK do të shtojë arrogancën, pasi kështu janë të ndërtuar”, ka shtuar për “Bota sot” Faton Mehmeti.

Ndryshe, Kuvendi nuk ka miratuar rezolutën e kërkuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit, pasi në sallë kanë qenë vetëm 53 deputetë, 23 kanë votuar për, 27 kundër dhe 3 abstenime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat