Si po heshtën akuzat tronditëse të Shkumbin Mehmetit?

Politika

Si po heshtën akuzat tronditëse të Shkumbin Mehmetit?

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 17 mars 2018 Në ora: 07:55
Shkumbin Mehmeti

Muaj me parë, Shkumbin Mehmeti në një rrëfim, ka akuzuar vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi për organizim të shumë vrasjeve të pasluftës në Kosovë. Ai, gjithashtu ka treguar edhe për veprimtarinë e një grupi të njerëzve, duke thënë se kanë kryer disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës duke përfshirë vrasjet politike. Mehmeti në deklaratën e tij publike, ka përmendur emra ndërsa pretendon se e dinë se kush janë urdhërdhënësit e vrasjeve të Tahir Zemajt, Isuf Haklajt Sebahate Tolajt e disa figurave politike të gjithë njerëz të afërt të Presidentit Rugova.

Shkumbin Mehmeti, është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale i dënuar me 30 vjet burg për vrasjen e  dy policëve të UNMIK-ut në vitin 2004.

Muaj me parë, Shkumbin Mehmeti në një rrëfim, ka akuzuar vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi për organizim të shumë vrasjeve të pasluftës në Kosovë.

Ai, gjithashtu ka treguar edhe për veprimtarinë e një grupi të njerëzve, duke thënë se kanë kryer disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës duke përfshirë vrasjet politike.

Mehmeti në deklaratën e tij publike, ka përmendur emra ndërsa pretendon se e dinë se kush janë urdhërdhënësit e vrasjeve të Tahir Zemajt, Isuf Haklajt Sebahate Tolajt e disa figurave politike të gjithë njerëz të afërt të Presidentit Rugova.

Mehmeti, po ashtu, përmes një letre kishte drejtuar akuza të tronditëse ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, për të cilin kishte thënë se vendimet e Gjykatës Supreme janë ndikuar direkt nga bandat e Ramush Haradinajt.

“E them me përgjegjësi penale dhe morale se vendimet e Gjykatës Supreme janë ndikuar direkt nga bandat e Ramush Haradinajt, është fakt se dy ditë pasi është zgjedhur kryeministër Haradinaj, Gjykata Supreme e Kosovës me vendim të jashtëligjshëm e ka liruar nga burgu Faik Shaqirin, i cili ka një aktakuzë të ngritur për vrasjen e policëve, për të cilët unë jam dënuar dhe është njëri nga vrasësit e Sebahate Tolajt dhe Tahir Zemajt”, kishte deklaruar në letrën e tij, Shkumbin Mehmeti.

Kurse, reagimi i Haradinajt ishte shumë i shkurtër lidhur me atë se pretendimet se në zonën e Dukagjinit ekzistonte një grup i strukturuar, i cili është përgjegjës për vrasjet e pasluftës.

“Një person nga burgu me dhanë intervistë është e çuditshme. Të gjitha deklaratat ishin dashur me qenë materie e prokurorëve dhe gjyqtarëve jo me u ba spektakël medial. Unë se kam parë intervistën, por dëgjova komente e reagime dhe jam habit” kishte thënë shkurt kryeministri Haradinaj.

Megjithëse, kanë kaluar disa muaj nga rrëfimi i Shkumbin Mehmetit në publik dhe letra e tij, ende nuk ka ndonjë reagim nga Prokuroria ani pse do të duhej që të fillonin hetimet menjëherë. Gazeta “Bota sot”, ka provuar që të kontaktojë me Prokurorinë, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Image
Tomë Gashi

Heshtja e Prokurorisë

Kurse, në lidhje me këtë çështje, avokati Tomë Gashi thekson se vetë fakti që Mehmeti ka përmendur emra, atëherë në një shtet me sistem juridik që funksionon në mënyrë të duhur, me këto akuza do të duhej të merrej menjëherë prokuroria.

“Në një vend normal dhe me sistem juridik normal me akuzat e z . Mehmeti do të duhej të merrej prokuroria , posaçërisht kur ai me emra e mbiemra i ka akuzuar shumë personalitete publike kinse, sipas tij, të implikuar në raste të vrasjeve të pasluftës, duke filluar nga vrasjet politike e deri tek ato të krimit ordiner”, ka thënë Gashi.

Avokati Tomë Gashi, vlerëson se pretendimet e Shkumbin Mehmetit kanë lënë një hije të rëndë tek të gjithë personat që i ka përmendur në deklaratën e tij.

“Këto deklarata nuk duhet të lihen mënjanë. Nuk është në favor të drejtësisë dhe as të Ramush Haradinaj që pretendimet e Mehmeti të mos hetohen dhe që në heshtje të tejkalohen sepse janë akuza tepër të rënda të cilat pa u hetuar lënë një hije të rëndë tek të gjithë të apostrofuarit në deklaratën e tij”, përfundon për gazetën ‘’Bota sot’’, avokati Tomë Gashi.

Image
Blerim Burjani

Politika “fut” duart në gjyqësor

Kurse, analisti politik Blerim Burjani, thotë se sistemi gjyqësor nuk është i pavarur dhe si i tillë është i kapur dhe kontrollohet nga politika.

“Kjo drejtësi është e kapur nga politika dhe kontrollohet nga politika, e krejt çka kanë të bëjë me drejtësinë kanë të bëjnë me sistemin e kapur, pra të kontrollueshëm. Gjyqësori nuk është i pavarur , andaj në këtë mes nuk mund të flitet për gjyqësor funksional dhe efikas, S’ka efikasitet dhe asnjëherë s’ka rezultat meritor as asnjë gjykim normal me një procedurë normale. Gjyqësori i tillë është, i paaftë sepse nuk është i pavarur nuk është neutral ndaj politikës dhe nuk korrespodon me mbrojtjen e rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët që duhet të jenë të barabartë para ligjit”, përfundon Blerim Burjani.

Rastin “Mehmeti” do ta kapë “pluhuri” i arkivave

Edhe sipas analistit, Faton Mehmeti, rastin e Shkumbin Mehmetit do ta kapë “pluhuri” i arkivave pasi, që sipas tij, shteti është i kapur nga mafia e cila ka ndikim edhe në drejtësi.

Image
Faton Mehmeti

Ai nuk ka lënë pa e përmendur edhe mundësinë që dalja publike e dëshmitarit mund t’i kushtojë këtij të fundit me jetë dhe kështu të mbyllet rasti.

‘’Rasti Shkumbin Mehmetit do të tretet në heshtje, si metodë e klanit “Pronto” për t'i zhdukur rastet e ndjeshme dhe që prekin direkt ata. Sikur rasti “Pronto” edhe kjo “Mehmeti” do të treten në harresë. Një shtet i kapur nga bandat, mafia dhe të tjerat nuk mund të prodhojë drejtësi. Prandaj, nuk mund të pritet që ky rast të zbardhet pasi i prek direkt njerëzit e pushtetshëm. Ekziston rreziku që pas një kohe, Shkumbin Mehmeti edhe të vritet dhe kështu kjo çështje të zhduket përfundimisht. Një shtet mafioz, është i rrezikshëm për të tashmen dhe të ardhmen e çdo populli. Kosova rrezikon të tretet në agoni dhe të dështojë. Rasti “Mehmeti” s’do të zbulohet asnjëherë, rrjedhimisht kriminelët s’do e marrin asnjëherë dënimin e merituar”, përfundon analisti Faton Mehmeti.

Kujtojmë se Shkumbin Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burg për vrasjen e dy pjesëtarëve të UNMIK-ut.

Ai në daljen e tij publike kishte pranuar se ishte pjesëtar i një grupi kriminal i cili kishte kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasje politike për qëllime të themeluesve të tij. Ai kishte thënë se një grup i rrezikshëm kriminal ishte formuar në fund të vitit 2001 në Kosovë ku sipas tij, anëtarë të grupit ishin dy vëllezër të njohur për veprimtari të mëhershme në Perëndim, por edhe në Kosovë. Ky grup u shkatërrua në fund të vitit 2004. Shkumbin Mehmeti aktualisht mbahet i izoluar në burgun e sigurisë së lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat