Bytyçi tregon pse të dorëhequrit e VV-së mund të votojnë pro Demarkacionit

Politika

Bytyçi tregon pse të dorëhequrit e VV-së mund të votojnë pro Demarkacionit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 mars 2018 Në ora: 15:43
Grupi i Deputetëve të Pavarur

Të martën pritet të sillet në Kuvend marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar qysh para më shumë se dy vjet.

Derisa për miratimin e kësaj çështje nevojiten 80 vota, me kalimin e deputetes së VV-së në AAK, Donika Kadaj Bujupi, janë 79 vota, e se nga kush do të jetë vota e fundit që do ta bëjë të mundshëm ratifikimin e kësaj marrëveshje, ende nuk dihet.

Raportime të ndryshme thonë se ajo votë mund të jetë nga Grupi i deputetëve të Pavarur që është ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje ose nga Lista Serbe.

Por, edhe GP edhe Lista Serbe janë shprehur se do të votojnë kundër Demarkacionit.

Ndërsa, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se ka shanse që marrëveshja të ratifikohet të martën.

“Marrëveshja për Demarkacionin me shumë gjasa do të kalojë ditën e martë dhe kjo do të shënojë edhe fundin e një procesi aq të diskutueshëm me debate kontraverse, debate që për mendimin tim kanë ardhur nga nevoja për korrigjimin e marrëveshjes si dhe nga mungesa e transparencës pa folur për spekulimet politike.  Fakti që deputetja Bujupi është shprehur pro marrëveshjes e ka çuar në 79 numrin e deputetëve, të cilët janë të gatshëm ta votojnë këtë marrëveshje. Duke qenë se do të duhen 80 deputetë, atëherë mbetet që të gjendet edhe një ose më shumë vota për këtë marrëveshje”, është shprehur ai.

Sipas tij, VV është kundër marrëveshjes por janë edhe 12 deputetë të ndarë.

“Deputetët e Vetëvendosjes të krahut të Kurtit janë kategorikisht kundër votimit të marrëveshjes së demarkacionit. Por Vetëvendosja ka edhe 12 deputetë të tjerë, të cilët po strukturojnë një Grup Parlamentar më vete. Është e drejta e këtij grupi më pas të vendosë për pozicionin politik që do të mbajë. Jam i sigurt se çarja e Vetëvendosjes nuk ka ardhur thjesht për arsye personale. Një proces divorcimi nuk ndodh brenda natës. Ai shoqërohet me debate, mospajtime, konfrontim konceptesh dhe pikëpamjesh veçmas gjatë vendimmarrjes. Për këtë arsye duhet besuar se VV është përçarë për shkak të mospajtimeve në hartimin e politikave dhe të forcës imponuese të njërës palë”, ka deklaruar profesori Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai vlerëson se deputetët e ndarë ka gjasa të votojnë pro marrëveshjes, derisa tregon arsyet pse do ta bënin këtë.

“Zakonisht ata që imponojnë pjesën tjetër mbajnë në dorë çelësat e magazinës, e cila në këtë rast e ka emrin Parti. Por ata që ndahen fitojnë lirinë, sidomos lirinë në vendimmarrje. Në këtë kuptim 12 deputetët e VV të ndarë nga Grupi Parlamentar i saj kanë të drejtën pa i dhënë askujt llogari të vendosin vetë për qëndrimin që duhet ose do të mbajnë në rastin e demarkacionit. Këta deputetë do të donin të shprehnin qëndrim në bllok kundër qëndrimit të Kurtit, por kanë frikë se ky i fundit do ta përdorë këtë për t’i linçuar ata në opinionin publik. Megjithatë një ose dy deputetë të grupit “renegat” të VV ka shumë gjasa të votojnë për demarkacionin. Jo se ata joshen nga mazhoranca, por se qëndrimi i tyre besoj se nuk vijon në të njëjtën melodi të pjesës tjetër të deputetëve të VV”, vlerëson profesori.

Ai thotë se nuk sheh arsye që deputetët serbë të votojnë demarkacionin, derisa thotë se Qeveria do të duhej të punonte me minoritet tjera përpos serbëve.

“Nuk shoh arsye që një pjesë e deputetëve të minoriteteve të votojnë demarkacionin. Në parlament janë disa deputetë të pakicave tjera veç asaj serbe. Ata nuk kanë asnjë arsye të mos votojnë marrëveshjen për demarkacionin. Nëse pjesa serbe e parlamentit është kundër për arsye se kërkon destabilizimin e Kosovës ose se më e pakte kërkon koncensione në Trepça ose Brezovicë, deputetët e minoriteteve të tjera nuk i kanë këto synime. Prandaj dhe qeveria duhej të punonte me deputetë përfaqësues të pakicës kroate, turke, rome, ashkali e boshnjake. Këta do të duhej të ishin pjesë e investimit të autoriteteve të Prishtinës dhe jo deputetët serbë, të cilët vijnë në vendimmarrje vetëm atëherë kur shohin se procesi është i përfunduar dhe i përmbyllur”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Kujtojmë që marrëveshja për Demarkacionin do të sillet në Kuvend, pas tre seancave ku u soll por që nuk u votua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat