“Dështimi” i Demarkacionit dhe rreziku për Kosovën

Politika

“Dështimi” i Demarkacionit dhe rreziku për Kosovën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 mars 2018 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Zvarritja e zgjidhjes së çështjes së Demarkimit të Kufirit me Malin e Zi, tash e tri vjet, po rrezikon shtetësinë e Kosovës.

Këtë e ka pohuar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, e cila ka paralajmëruar se nëse Demarkacioni nuk kryhet, mund të ketë pasoja të rënda për vendin.

“Çfarëdo shtyrje e mëtutjeshme e procesit të votimit përtej javës së ardhshme, është një rrezik i përhershëm i Kosovës në kuadrin e të cilin po ballafaqohen qytetarët e saj me mos liberalizim të vizave”, ka thënë ajo.

Sipas Kusari-Lilës, janë disa procese të cilat pastaj nuk do të varen nga Kosova qoftë edhe nëse bëhet ratifikimi i marrëveshjes pas këtij afati kohor.

“Nëse as në pjesën  e dytë të muajit mars nuk aprovohet, atëherë pasojat janë të rënda. Pasi raportimi për këtë çështje duhet të kryhet para komisionit dhe atëherë nuk do të ketë më asnjë kuptim edhe votimi i demarkacionit”, ka shpjeguar ajo.

Por, ende nuk është bërë e ditur nëse koalicioni qeverisës i ka siguruar votat e nevojshme për kalimin e marrëveshjes, ose jo.

Koalicioni ende pa numra?

Image
Milaim Zeka

Deputeti i Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk e din se a i ka siguruar votat e nevojshme koalicioni qeverisës.

“Bash kurgjë nuk di. Edhe nuk mund të përgjigjem”, është shprehur ai. Mirëpo, ka pohuar se zvarritja e kësaj çështje, po rrezikon shtetësinë e Kosovës.

“Normal që po”, ka thënë Zeka.

Ai më tej ka ironizuar, duke krahasuar Kosovën me Korenë Veriore.

“Sikur ne, vetëm Koreja Veriore është. Për dallim që ajo ka shumë armatim, ndërsa ne as helikopter për ndihmë të shpejtë”, ka theksuar deputeti i Nismës për “Bota sot”.

Makolli: Shtetësia e Kosovës në pikëpyetje

Image
Vesel Makolli

E sekretari i Aleancës Kosova e Re Vesel Makolli, ka thënë se Kosova duhet të përmbush obligimet e marra nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas tij, nëse Kosova nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, vihet në pikëpyetje të qenit shtet serioz.

“Liria dhe shtetësia e pritur me shekuj dhe e arritur me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, është në fund të finalizimit. Kosova si çdo shtet tjetër, duhet t’u përmbahet obligimeve të marra nga marrëveshjet me karakter ndërkombëtar. Nëse një shtet nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, e vë në pikëpyetje të qenit shtet serioz, e në rastin tonë, kjo është edhe më e theksuar. Kur është çështja e vendimeve jetike për shtet dhe e obligimeve ndaj faktorit ndërkombëtar, klasa politike shqiptare e Kosovës, duhet të jetë super unike, e jo siç e kemi tani që kemi një larmoni qëndrimesh”, është shprehur Makolli.

Ai ka apeluar tek klasa politike për unitet politik dhe lënie anash të patriotizmit folklorik.

“Kam një apel për të gjithë klasën politike shqiptare si opozitë dhe pozitë: Lëni anash patriotizmin folklorik se na keni sjellë buzë greminës. Patriotizmi folklorik a ka sjellë në këtë deregje. Asgjë nuk e plagos inteligjencën më shumë se sa patriotizmi. Është koha që të kthjellemi e të rezonojmë e të logjikojmë me kuti të racionalizmit racional, ku në rend të parë është interesi i shtetit dhe i popullit (shtetit mbi të gjitha). Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, e që është kuti ndërkombëtar, do të thotë në mënyrë indirekte edhe pranimin e Kosovës si shtet të pavarur edhe nga 5 shtetet e BE-së, që nuk e kanë pranuar ende zyrtarisht shtetësinë e Kosovës”, ka thënë ai më tej.

Sipas sekretarit të AKR-së, mendimet e ekspertëve për humbje toke, e kanë burimin te patriotizmi folklorik i odave tona

“Kosova kurrë nuk ka pasur kufi të njohur ndërkombëtarisht, andaj mendimet e disa “ekspertëve” të ashtuquajtur për humbje toke, janë plasime në publik për interesa personale dhe që e kanë burimin te patriotizmi folklorik i odave tona, që gjithmonë ua kemi parë sherrin. Të dalësh kundër mendimit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, komisionit miks ndërkombëtar, NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së, është një çmenduri dhe një non-sens që vetëm shqiptarët e bëjnë në këtë rruzull tokësor (Enver Hoxha ka qenë prionir i kësaj çmendurie)”, është shprehur ai.

Makolli ka thënë se pozita dhe opozita duhet të votojnë Demarkacionin, në mënyrën që të ecet përpara në realizimin e synimeve të shtetit tonë.

“Është momenti i fundit që e gjithë klasa politike pozitë dhe opozitë ta votojnë Demarkacionin dhe të ecim para në realizimin e synimeve tona. Duhet ditur se boshti i së keqes për Kosovën (serbo-rus) e mirëpret mos votimin e Demarkacionit dhe mos përmbushjen e obligimeve tona ndaj faktorit ndërkombëtar për qëllime të interesit sero-rus, për destabilizim të regjionit dhe për pengimin e projektit amerikano-evropian për shtet të pavarur të Kosovës dhe për stabilitet në Ballkanin e trazuar dhe më gjerë. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjitha partitë politike dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kur duhet të ngrihet dora e votimit”, ka shtuar Vesel Makolli për “Bota sot”.

Izolimi total i Kosovës

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, sipas analistit politik Leon Duhanaj, në Kosovë ekzistojnë dy plane gjeopolitike, njëri i SHBA-ve dhe tjetri plani ruso-serb.

Ai ka thënë se plani Rusi-Serbi, synon dobësimin e faktorit shqiptar dhe ftohjen e marrëdhënieve me perëndimi.

“Në Kosovë, ka dy rryma dhe dy plane gjeopolitike. Njëri është ai i SHBA- UE, i cili ka sponsorizuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe, i cili synon konsolidimin e faktorit shqiptarë në regjion, sipas kufijve ekzistues, duke i integruar në Unionin Europian dhe NATO. Përderisa plani tjetër, është plani pansllavist, i cili udhëhiqet nga Rusia, Serbia dhe Aleatet e sajë në ketë plan tani më është integruar 100% edhe Turqia. Ky plan synon, dobësimin e faktorit shqiptarë dhe ftohjen e marrëdhënieve me perëndimin. Kjo arrihet mes rrymave ekstremiste dhe neotomanizmit, përderisa si epilog final do ta kemi ndarjen e Kosovës dhe realizimin e Serbisë së madhe. Krejt kjo bëhet nën parullën për "bashkim kombëtar e Shqipëri të madhe"”, ka thënë Duhanaj.

Ai ka treguar se pse është e rëndësishme për Kosovën linja kufitare me Malin e Zi. Ai ka theksuar se Kosovës po i bëhet dëm i madh nga izolimi total, që do të vazhdojë nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje.

“Linja kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, është pjesë e rëndësishme në kuadër të këtij plani. Për Kosovën dhe perëndimorët është me rëndësi që të përcaktohet kufiri dhe të regjistrohet si kufij ndërkombëtarë në kuadër të Organizatës Kombeve të Bashkuara (OKB). Ndërsa për Serbinë dhe aleatet e sajë, ky kufij nënkupton ndarjen e Serbisë dhe është i rëndësishëm për ta po sa edhe kufiri Kosovë Serbi. Serbia synon ta ndaj Kosovën dhe pretendimet e saja në një skenarë të tillë do të ishin pikërisht përgjatë linjës kufitare Kosovë Serbi dhe Mal të Zi. Në anën tjetër, tashmë dihet dëmi që po i shkaktohet Kosovës nga izolimi total. Izolim i cili do të zgjasë në pafundësi, nëse nuk ratifikohet kjo marrëveshje”, është shprehur Duhanaj.

Sipas tij, disa qarqe po e ndihmojnë zbatimin e planit pansllavist, në kurriz të interesit kombëtar.

“Është për keqardhje se si disa qarqe, në emër të patriotizmit, po e ndihmojnë zbatimin e planit pansllavist, në kurriz të interesit kombëtar. Kjo është edhe pasqyrë e shqiptarëve, se si janë gjendur të ndarë edhe përgjatë rrjedhave të historisë, duke dëmtuar rëndë interesin kombëtar dhe duke u bërë bashkëfajtorë për vuajtjet dhe ndarjet e trojeve shqiptare”, ka shtuar Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat