Institucionet t`i marrin seriozisht thirrjet Uashingtonit për çështjet ndërkombëtare

Politika

Institucionet t`i marrin seriozisht thirrjet Uashingtonit për çështjet ndërkombëtare

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 mars 2018 Në ora: 22:11
Nërtesa e Qeverisë në Kosovë dhe Kapitolli në ShBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të kënaqura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është arsye që sipas analistëve, zyrtarët e SHBA-së kanë shtuar vizitat në Kosovë dhe në shtetet e Ballkanit në përgjithësi.

Ditë më parë, Kosovën e vizitoi Ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell. Një vizitë të tillë ai e realizoi edhe në Serbi.

Në deklaratën e përbashkët për media me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, Mitchel ka mohuar lajmin se ai ka sjellur planin 4 pikësh të SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd që u spekulua në mediat të ndryshme serbe.

“Po kam lexuar për këto spekulime, por unë kam ardhur për t’i dhënë shtysë dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, deklaroi Mitchell në pyetjen e gazetarëve.

Por, ai ka shtuar se Kosova duhet të jetë shumë e angazhuar në dialogun me Serbinë.

SHBA po dëshiron të  ecë më shpejtë dialogu, Kosovë-Serbi

Ndonëse zyrtarët e Qeverisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje me shkrim për gazetën “Bota sot” lidhur me lajmin në media për planin e SHBA-së për dialogun, analistët politik thonë se plani amerikan në përgjithësi është për një paqe në Ballkan.

Image
Lirim Zorra

“Në rast se i shohim marrëdhëniet e SHBA-së me Ballkanin, qëllimi i saj është për vazhdimin e politikave për paqe në rajon, marrëdhënie nder fqinjësore, ekonomi të zhvilluare dhe integrim në BE”, thotë për “Bota sot”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lirim Zorra.

“Andaj, SHBA po dëshiron që procesi dialogues, Kosovë-Serbi të ecë më shpejtë”, thotë më tej ai.

Por sipas Zorres, institucionet e Kosovës duhet të marrin seriozisht thirrjet e zyrtarëve të Uashingtonit për çështjet ndërkombëtare.

“Poashtu, palët të mos bllokojnë njëri-tjetrin në proces politik dhe integrues. Andaj, edhe pala kosovare duhet të kryej detyrë të cilat i ka marrë si obligim ndaj SHBA-së”, shtoi Zorra.

Nga ana tjetër, institucionet e shtetit më të ri në botë nuk po i përmbushin kërkesat e SHBA-së, siç është ajo për votimin e demarkacionit.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi, në muajin gusht të vitit 2015, nënshkruan në Vjenë të Austrisë Marrëveshjen për shënjimin e kufirit në mes të dy vendeve.

Por kjo marrëveshje nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës, pas kundërshtimit të fuqishëm në atë kohë nga AAK, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën.

Image
Adlum Ramadani

 

Ndërkaq, dje është njoftuar se seanca për miratimin e demarkacionit do të mbahet të martën e ardhshme.

SHBA ka ndikim pozitiv në pajtimin e popujve

Njohësi tjetër, i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani thotë se lëvizjet e zyrtarëve të SHBA-së në Kosovë dhe deklaratat e tyre për bisedimet tregon se ato po i kushtojnë rëndësi paqes në rajon.

“Kronologjikisht, në histori të dialogjeve për paqe, SHBA ka pasur ndikim pozitiv në arritjen e gjuhës konsensual mes popujve. Adaptim i planit amerikan në tryezën e bisedimeve do ndryshonte rrjedhën e tërësishme të negociatave, duke i lënë hapësirë mundësisë së partneritetit ndërkombëtarë dhe stabilitetit fqinjësor”, thotë Ramadani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat