Mesazhi i sulmeve në veri të Kosovës, kush fshihet prapa?

Politika

Mesazhi i sulmeve në veri të Kosovës, kush fshihet prapa?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 mars 2018 Në ora: 09:33
Policia

Në përvjetorin e “Trazirave të Marsit” pas mesnatës autorë të panjohur kanë tentuar t’i vënë zjarr shtëpisë së shëndetit, QMF Kodra e Minatorëve dhe shkollës fillore në Kodrën e Minatorëve.

Policia ka treguar se nuk ka pasur të lënduar, mirëpo rasti është hapur si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe se hetimet kanë filluar për t’i gjetur autorët.

“Është dëmtuar me gurë, ambulanta ka qenë objekt i zbraztë dhe nuk ka pasur punëtorë apo njerëz brenda. Prapa është thyer xhami dhe është tentuar të ndizet me ndonjë mjet ndezës sigurisht, por nuk është djegur, janë dëmtuar disa gjëra. Është hapur rasti si shkaktim i rrezikut të përgjitshëm për faktin që është tentuar të digjet, por pjesa tjetër nuk ka të lënduar. Është më tepër dëmtim i pronës për vetë faktin që është përdorur mjet ndezës, nuk e di me çfarë materiali është përdorur dhe mbi atë bazë është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, nuk ka pasur sulm ndaj njerëzve apo ndaj çfarëdo lloj forme. Rasti është iniciuar, është hapur është nën hetime, tani punohet në atë drejtim dhe shikohet a mund të hetohet kush fshihet prapa, është kërkuar prej policisë, prej sektorëve, prej hetueseve policor që të punohet intensivisht në këtë drejtim dhe të identifikohen kryesitë e veprës”, ka thënë zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Përkundër që hetimet janë duke vazhduar, ekspertët e sigurisë thonë se prapa këtyre sulmeve qëndrojnë grupet e interesit të komunitetit serb, që kanë për qëllim të përçojnë mesazh të ashpër politik.

Agjenda e Beogradit

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, sulmet në pjesën veriore të Kosovës i interpreton në dy mënyra.

Image
Drizan Shala

“Prapa atyre sulmeve ende s’kemi ndonjë  informacion  zyrtar se cilët janë autorët e sulmit. Por, konfrom kohës së sulmit dhe gjendjes në përgjithësi politike-sigurisë ky sulm mund të intepretohet në dy mënyra: 1. Sulm ndaj institucioneve të Kosovës nga grupet kriminale të motivuar nga strukturat paralele të Serbisë.  Apo, 2. Grupet e interesit të komunitetit serb të pakënaqur nga përfaqësuesit e tyre politik dhe si shenjë revolte ndaj politikave që janë duke i zhvilluar ata ndaj komunitetit të tyre”, ka deklaruar Shala për “Bota sot”.

I pyetur nëse përmes këtyre sulmeve, janë serbët ata të cilët dëshirojnë spastrim etnik të shqiptarëve në atë pjesë, sipas Shalës, kjo gjë nuk është në agjendën politike të Beogradit.

“Në lidhje me atë se a dëshirojnë serbët të bëjnë spastrimin e shqiptarëve, nuk e shoh që tani për tani kjo është në agjendë të politikës së Beogradit që të fillojë spastrim etnik në atë pjese duke pasur parasysh që ajo pjesë udhëhiqet nga komuniteti serb dhe i kanë gjitha institucionet e tyre. Komunitetet tjera në atë pjesë ku bëjnë  pjesë edhe shqiptarët mendoj që janë të rrezikuar sa gjithë qytetaret në tërë Republikën e Kosovës ndaj grupeve të caktuara kriminale”, ka theksuar tutje Shala.

Sulmet si mesazh politik

Ndërkaq, profesori i sigurisë Avni Islami, thotë se sulmet në veri të Kosovës janë të sinkrotizuara dhe kësisoj kanë qëllim të përçojnë mesazh të ashpër politikë.

Por, sipas Islamit, këto sulme kanë humbur intensitetin e fuqisë në krahasim me vitet e kaluara.

“Sulmet në veri të Kosovës janë sulme të sinkrotizuara dhe të tilla më tepër e kanë qëllimin që të përçojnë mesazh të ashpër politik dhe se këto me një far mënyre e kanë humbur intenzitetin e fuqisë së tyre, në krahasim me vitet e kaluara për shkak se përveç vrasjes së Oliver Ivanoviqit, sulmet e tjera kanë qenë pa pasoja me njerëz dhe kryesisht janë fokusuar në transmetimin e mesazheve  kërcënuese të bandave kriminale në veri të Kosovës të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me institucionet e qeverisë së Serbisë. Edhe këto sulme në një lloj mënyre janë një paralajmërim i qeverisë së Serbisë, se në një moment të caktuar mund ta destabilizojë atë pjesë të Kosovës dhe se institucionet e sigurisë së Kosovës nuk e kanë nën kontroll atë pjesë”, është shprehur Islami.

Image
Avni Islami

Sulme të atilla, Islami nuk i konsideron të rrezikshme, duke shtuar se aso sulme të intensitetit të lartë që mund ta destabilizojnë vendin nuk mund të ketë.

“Sa i përket rrezikshmërisë unë besoj se sulmet e intensitetit të lartë, të cilat mund ta destabilizojnë vendin nuk mund të ketë për shkak se nuk kanë përkrahjen e vet komunitetit serb të cilët janë lodhur nga frustimet e njerëzve dhe individëve të caktuar të cilët janë të lidhur me krimin e organizuar dhe të cilët janë të dirigjuara nga strukturat e larta të shtetit të Serbisë”, ka pohuar Islami.

Tentime për zjarrvënie nga autorë të ndryshëm në institucionet e vetme shtetërore që i shërbejnë shqiptarëve në pjesën veriore të Kosovës, ka pasur edhe më herët. Por, institucionet e Kosovës kishin dështuar në zbardhjen e këtyre rasteve.

Kërkesa e Sveçlës

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga institucionet që të zbardhin autorët e krimeve në pjesën veriore të Kosovës, duke shtuar se me këtë pushteti do të dëshmonte se nuk ka hequr dorë nga ajo pjesë.

Image
Xhelal Sveçla

“ ‘Atorë të panjohur’ tentuan t'i vëjnë zjarrin shtëpisë së shëndetit, QMF Kodra e Minatorëve dhe shkollës fillore në Kodrën e Minatorëve në veri të Mitrovicës. Kjo është hera e tretë që struktura të organizuara i vëjnë zjarrin këtyre objekteve, institucionet e vetme shtetërore atje që i shërbejnë shqiptarëve në atë zonë, e jo vetëm atyre. Duke marrë parasysh se kjo ndodhi natën e pas 17 marsit, ky është mesazh i qartë që këto struktura, që herë janë paralele e herë shfaqen si zyrtare duan që etnikisht të spastrojnë këtë zonë nga shqiptarët e mbetur. Është momenti i fundit që institucionet qendrore të angazhohen seriozisht e në mënyrë të vendosur që banorëve atje t'iu ofrojnë sigurinë e nevojshme dhe që t'iu sigurojnë kushte për jetë të qetë e prosperuese atje. Fundi i fundit këtë e kanë obligim edhe kushtetues meqense edhe atje është Kosovë, shtet i pavarur e sovran, e jo që të mjaftohen me shërbimet që komuna e Mitrovicës i ofron. Është koha që të gjithë autorët e krimeve atje të zbulohen dhe të përndiqen nga ligji, përndryshe ky pushtet veç sa dëshmon se ka heq dorë nga ajo pjesë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Mirëpo, sipas ekspertëve të sigurisë  pushteti nuk ka dhënë dorëheqje nga ajo pjesë.

Serbia pengesë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se mos gjetja e autorëve të krimit në pjesën veriore të Kosovës, dëshmon barrën e rëndë të Policisë në atë pjesë.

Por, sipas Shalës pushteti nuk ka hequr dorë nga toka e Kosovës.

“Mos gjetja e autorëve të krimit qofshin të këtij sulmi apo edhe krimeve të tjera në atë pjesë,  e vë në pah që organet e rendit të RKS në atë pjesë kanë një barë jashtëzakonishit të rëndë  në krahasim me pjesëen tjetër e territorit. Sepse, dihet që deri të marrëveshja për "shkrirje" të strukturave paralele në kuadër të PK-së ajo pjesë është kontrolluar dhe monitoruar nga: PK, Strukturave Paralele, Eulexi, KFOR, UNMIK dhe kjo ka lënë që harka e informacionit të mos mund të këtë suksesin e duhur për të gjetur kryesitë e krimit. Instuticionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga as një centimetër tokë të Republikës”, ka theksuar  Shala.

Ndërkaq, profesori Avni Islami,  thotë se institucionet e Kosovës bëjnë përpjekje, mirëpo Serbia paraqet pengesë.

“Absolutisht se institucionet e Kosovës nuk kanë hequr dorë nga pjesa veriore e Kosovës dhe me aq sa kanë mundësi dhe kanë shtrirje përpiqen që ta kenë në kontroll. Por për fat të keq  institucionet e Serbisë dhe veçanërisht të sigurisë e kanë nën kontroll situatën dhe se ata edhe po të donin institucionet e Kosovës në një lloj mënyre paraqesin pengesë për parandalimin dhe zbulimin, qoftë për vjedhje, qoftë për vrasje”, ka deklaruar Islami.

Kësi sulme në pjesën veriore të Kosovës i ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke i kërkuar qytetarëve ta ruajnë qetësinë, ndërkaq organeve gjegjëse që sa më shpejt t’i identifikojnë dhe dënojnë kryesitë e këtyre veprave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat