Pas miratimit të Demarkacionit, Haradinaj ballafaqohet me mocionin e votëbesimit

Politika

Pas miratimit të Demarkacionit, Haradinaj ballafaqohet me mocionin e votëbesimit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 mars 2018 Në ora: 08:30
Ramush Haradinaj në gjumë gjatë seancës të së Martës

“Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e ritheksojë se është tepër e dëmshme për vendin. Ne definitivisht po t’i kishim numrat nuk do të flisnim aspak, pra do të thotë se tani është çështje numrash. Përndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është tepër e gatshme për të shkuar me një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Haradinaj”, u shpreh deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami për gazetën “Bota sot”.

Kriza e vazhdueshme politike dhe gabimet e njëpasnjëshme të cilat i përmendë opozita, janë disa nga sinjalet se qeveria Haradinaj nuk e ka edhe gjatë qeverisjen me vendin, shkruan gazeta “Bota sot”.

Si shkak i kësaj, janë shtuar edhe zërat se shumë shpejt Qeveria Haradinaj mund të ballafaqohet me një mocion mosbesimi.

I pari që dha një paralajmërim të tillë ishte pikërisht nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Ai kishte deklaruar se është çështje ditësh  kur kjo gjë do të ndodh.

Veç Hazirit, i këtij mendimi, ditë më parë ishte shprehur edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Sipas këtij të fundit, është në interes të vendit që koalicioni dhe kryeministri të japin vetë dorëheqje, e të mos presin.

Për një mocion mosbesimi për qeverinë e Kosovës njëzëri janë deklaruar LDK, Vetëvendosje dhe së fundi “Grupi i Pavarur i Deputetëve”.

Se opozita është pro një iniciative të tillë, e tregojnë edhe deklarimet ekskluzive të dhënë për gazetën “Bota sot” nga tri grupet parlamentare opozitare. Të tri këto grupe (LDK, VV dhe GDP) janë që të rrëzojnë qeverinë Haradinaj.

Por, përkundër vullnetit, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve, ku fillimisht i duhet 40 nënshkrime, të cilat ende nuk janë siguruar. Këtë e thotë edhe deputetja e këtij subjekti, Hykmete Bajrami. Ajo thotë se po t’i kishim numrat nuk do të flisnim aspak.

Image
Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: LDK tepër e gatshme për rrëzimin e qeverisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, duke folur për gazetën “Bota sot” thotë se qeveria aktuale është e dëmshme për vendin.

Bajrami thotë, se subjekti i tyre është duke punuar për të shkuar me një mocion mosbesimi për Qeverinë Haradinaj.

“Te themi të drejtën tash është çështje numrash. Normalisht se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke punuar në këtë drejtim, për shkak se besojmë se qeveria aktuale është e dëmshme”, tha deputetja e LDK-së.

Deputetja Bajrami thekson se subjekti i saj është më së i gatshëm për të shkuar me një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e ritheksojë se është tepër e dëmshme për vendin. Ne definitivisht po t’i kishim numrat nuk do të flisnim aspak, pra do të thotë se tani është çështje numrash. Përndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është tepër e gatshme për të shkuar me një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Haradinaj”, u shpreh deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami për gazetën “Bota sot”

Image
Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu: Kemi shumë arsye për të dhënë votën pro rrëzimit të qeverisë

Në një linjë me Lidhjen Demokratike të Kosovës është edhe subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas këtij subjekti, nuk ka asnjë arsye për të mos e përkrahur një iniciativë të tillë.

Është deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, që ka konfirmuar për gazetën “Bota sot”, se subjekti i saj përkrahë iniciativën për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Haxhiu thotë, se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin.

“Po ne besojmë që qeveria aktuale është jashtëzakonisht e dëmshme, realisht edhe vazhdimësi e qeverisje së kaluar”, u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për të mos e përkrahur një iniciativë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

“Nuk kemi asnjë arsye për të mos e përkrahur mocionin e mosbesimit. Në fakt kemi shumë arsye për të dhënë votën pro. Për detaje, flasim kur të kemi iniciativa të tilla”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për gazetën “Bota sot”.

Image
Salih Salihu

“GDP” përkrahë iniciativën për rrëzimin e qeverisë

Ndërsa, përkundër se u raportua se “Grupi i Pavarur i Deputetëve” mund të mos e përkrahë ndonjë mocion eventual për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, këtë e ka demantuar deputeti Salih Salihu.

Salihu në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se nuk ka informacione se është marrë ndonjë vendim për të mos përkrahur një mocion për rrëzimin qeverisë aktuale.

Ai thotë se grupi i tyre çdo herë vendimet i marrin në formë të përbashkët.

“Nuk e di se çfarë vendimi kanë marrë. Ne i marrim vendimet të gjithë të përbashkëta, nuk mundemi me marrë vendime krye në vete”, u shpreh deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu, për gazetën “Bota sot”.

Edhe shefi i deputetëve të këtij grupi, Dardan Sejdiu, ka thënë për media se do e përkrahin çdo nismë serioze për rrëzimin e qeverise. Por, ai ka shtuar se ende nuk ka pasur diçka zyrtare  rreth kësaj çështje.

Sejdiu, ndër të tjera, ka thënë se çdo nismë serioze dhe mirë e menduar do të ketë përkrahjen e “Grupit të Pavarur të Deputetëve”.

Kujtojmë se për rrezmin e qeverisë duhet siguruar plotë 61 votat e deputetëve të parlamentit të Kosovës. Ndërsa, paraprakisht, për inicimin kësaj procedure duhen nënshkrimet e 40 deputetëve ose (1/3) e pastaj të merret mocioni i mosbesimit për kryeministrin. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për qeverinë në tersi, qeveria konsiderohet në dorëheqje.

E, se a do t’i mbijetojë një iniciative të tillë qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, mbetët të shihet në ditët në vazhdim.

Ndryshe, me 80 vota për, Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka votuar pro miratimit të maeeëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat