Partitë politike shqiptare e nxorën nga loja Listën Serbe

Politika

Partitë politike shqiptare e nxorën nga loja Listën Serbe

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 mars 2018 Në ora: 20:10
Kuvendi i Kosovës, 21 mars 2018

Mbrëmë u votua me 80 vota pro dhe 11 kundër ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi. Kjo marrëveshje u nënshkrua në gusht të vitit 2015 dhe seanca e mbajtur dje, e pesta për këtë çështje, u ndërpre katër herë, për shkak të gazit lotsjellës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, 7 prej të cilëve u arrestuan për shkak të hedhjes së gazit.

E për votimin e kësaj marrëveshje, analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se kjo ndodhi në sekondën e fundit të nisjes së trenit, derisa pati tre vjet përplasje të egra dhe se u votua me gaz, duke rrezikuar jetën e deputetëve, diplomatëve dhe gazetarëve.

“Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi ndodhi në sekondën e fundit të nisjes se trenit të fundit, duke na e shprushur thellësinë e krizës së rëndë politike, shtetërore por edhe morale në të cilën ndodhet Kosova dhe populli i mjerë shqiptar i Kosovës, që ka shumë faje të pafalshme, sepse me dorën e vet e ka nënshkruar gjendjen që po e vuan. Tre vjet përplasjesh të egra dhe luftë të ndytë politike rreth demarkacionit, e në fund prapë, me gaz lotsjellës dhe rrezikim të jetës së deputetëve, diplomatëve dhe gazetarëve, nga aventurierë të çmendur partiakë, sadistë të sojit të kmerëve. Kjo nuk ka guxuar të ndodhte por ndodhi dhe na tregoi se jemi askushi që nuk meritojmë asgjë!”, është shprehur ai.

Image
Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, e mira që ndodhi ishte se partitë shqiptare i treguan Listës Serbe se nuk mund të luajë me fatin e shqiptarëve, por që tani sovrani duhet të ndërgjegjësohet për të ndryshuar situatën.

“Por, një e mirë e madhe ndodhi: partitë politike shqiptare e nxorën nga loja Listën Serbe, duke i treguar se, ata nuk do të lejohen që të luajnë me fatin e shqiptarëve. Demarkacioni përfundoi dhe, të shpresojmë se sovrani ka parë dhe do të ndërgjegjësohet për ta ndryshuar gjendjen, sepse armiqtë shekullor nuk kanë hequr dorë nga orekset e vjetra”, vlerëson Zogaj për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se deputetët e VV-së e kishin problem BE-në dhe Amerikën që donin të përbuznin ofertën e tyre dhe derisa ata hidhnin gaz, pjesëtarë të organizatës ruse “Ujqit e natës” janë futur edhe në Kosovë, tek Lista Serbe, të cilët e bojkotuan seancën.

“Derisa aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosja po luanin vallen e vdekjes në Parlamentin e Kosovës, dhjeta pjesëtarë të organizatës ruse "Ujqit e natës" po bëjnë turneun e tyre tradicional nëpër tokat e shenjta sllave të Ballkanit, Serbi, Republikën Serbe të BeH-s, Maqedoni e Mal të Zi, me misionin e deklaruar, për të joshur frymën sllavo-kristiane në "Ballkanin rus". Turneu i "Ujqve të natës" nga Rusia nuk ka fije dyshimi se ka arritur edhe në Kosovë, tek "kumbarët" dhe vëllezërit e Listës Serbe, që bojkotuan Parlamentin në çastin më të rëndësishëm! Pra, lojëra të rënda po luhen, prandaj, dhe duhet hapur sytë mirë dhe kuptuar njëherë e përgjithmonë se - Zoti dhe Amerika janë shpëtimi ynë. Vetëvendosja sot nuk e kishte hallin te Demarkacioni, po te BE-ja dhe Amerika, që u munduan t'i përbuzin bashkë me ofertën e tyre properëndimore”, ka deklaruar analsiti Skënder Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat