Kushti i dytë për vizat, Lepaja: Do të ketë improvizim të luftës kundër krimit dhe korrupsionit

Politika

Kushti i dytë për vizat, Lepaja: Do të ketë improvizim të luftës kundër krimit dhe korrupsionit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 mars 2018 Në ora: 14:59
Ilustrim

Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto ishin dy kushtet nga Bashkimi Evropian për Kosovën, për të fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

E tani, pas ratifikimi të Demarkacionit, Kosova duhet të plotësojë kushtin tjetër, atë të luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Kështu kanë deklaruar zyrtarë të BE-së. Sot pas takimit në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, ky i fundit ka thënë se luftimi i krimit të organizuar është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për liberalizimin e vizave, pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi demarkacionin.

“Presidenti Thaçi ka konfirmuar vazhdimin e përpjekjeve në luftimin e krimit të organizuar. Kjo është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Hahn në Twitter.

Se sa po bëhet për të plotësuar këtë kusht në Kosovë dhe sa mund të marrë kohë plotësimi i këtij kushti, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti politik, Fadil Lepaja.

Image
Fadil Lepaja

Sipas tij, do të jetë e vështirë që të plotësohet ky kusht, pasi prek oligarkinë financiare dhe politike.

“Kjo ishte diçka e pritshme, pasi që ka ende rezerva nga disa vende në BE, rreth Kosovës dhe kriteret pritej të jenë të tilla që do të bllokonin këtë proces deri kur të jetë klima politike. Sidoqoftë, do të jetë e vështirë të arrihen rezultate të mëdha në kushtin tjetër, sepse kjo prek drejtpërdrejtë oligarkinë financiare, politike dhe grupet joformale rreth tyre”, vlerëson ai.

Sipas Lepajës, ka deklarata se do të punohet, por kur dihet gjendja në sistemin e drejtësisë, mund të ketë vetëm improvizim për nevoja politike.

“Sidoqoftë, kemi deklarata të fuqishme, se do të punohet edhe në këtë drejtim, çka nënkupton të ketë goditje në pjesët jovitale të këtyre strukturave dhe në grupe dytësore. Të shohim se a do të jetë kjo e mjaftueshme. Kur kihet parasysh gjendja në sistemin e drejtësisë, vështirë se mund të pritet më shumë se improvizim, për nevoja politike”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Ndryshe, kushti i parë, ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit u bë me 21 mars (e mërkurë), gati tre vjet pasi kjo është nënshkruar në Bruksel./BS/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat