Paaftësia politike dhe juridike shkak për humbjen e territorit

Politika

Paaftësia politike dhe juridike shkak për humbjen e territorit

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 23 mars 2018 Në ora: 21:50
Demarkacioni me Malin e Zi

Negociatat në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për ta caktuar kufirin nisën në vitin 2012.

Ndërsa përfundimisht me 26 gusht 2015, zëvendëskryeministri i atëhershëm i Kosovës, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, bashkë me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministrin e Brendshëm, Rashko Konjevic nënshkruan Marrëveshjen në Vjenë   për përcaktimin e kufinjëve mes dy vendeve.

Megjithëse pa pëlqimin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës ka arritur të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Me 80  vota për,  11 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit i dhanë dritën e gjelbër kësaj marrëveshje.

Ani pse u tha se pas miratimit të kësaj marrëveshje, Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave, më vonë doli lajmi se Republika e Kosovës duhet ta përmbush edhe një kusht e që është luftimi I  krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Juristi Getoar Mjeku në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’,  thotë se Republika e Kosovës nuk ka pasë rrugë tjetër, pëpos që ta ratifikojë atë. Madje, sipas tij kjo gjendje ka ardhë pasiqë institucionet kompetente nuk kanë qenë të afta në negociim me Malin e Zi.

Image
Getoar Mjeku

''Institucionet e Kosovës nuk kanë pasë rrugë tjetër pos me e ratifiku marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Prej se është nënshkru marrëveshja më 2015, shoqëria jonë nuk ka qenë në gjendje që në dy faqe A4 me i përmbledhë argumentet kundër ratifikimit — pra me na bindë: (1) se kufiri i vërtetë është në Çakorr; (2) se kemi fuqinë politike ose mundësinë juridike me e detyru Malin e Zi me e pranu kufirin në Çakorr. Ne kemi shprehë disa shqetësime me vend. Institucionet tona nuk po dijnë me negociu marrëveshje ndërkombëtare. Ato nuk kanë qenë transparente sa duhet gjatë punimeve para se me u nënshkru marrëveshja. Disa juristë thonë se marrëveshja nuk e ka shënu kufirin ekzistues, por e ka caktu një të ri. Pastaj, kufiri është vendosë sipas të dhënave të kadastrit, por vetëm Kosova i ka paraqitë të dhënat e kadastrit, e Mali i Zi jo. Veç nuk kemi arritë me e gjetë zgjidhjen për me iu shmangë ratifikimit. Kuvendi tashmë ka marrë një vendim të zorshëm. Se a do të jetë i dobishëm a i dëmshëm varet nga ne — si do ta shfrytëzojmë?

Ka pak gjasa që ne ta bartim kufirin në Çakorr ndonjëherë, edhe nëse zbulojmë dëshmi të reja se kufiri i saporatifikuar është gabim. Së pari, a është e vlefshme marrëveshja shtesë e presidentëve? Së dyti, kush do të vendosë se dëshmitë e reja janë të mjaftueshme me korrigju kufirin? Kjo pasiguri kish me qenë dëm për ne. Por në çdo aspekt tjetër, duhet të kemi dobi, nëse punojmë drejt. Në shtëpi, tani mund të merremi me çështje tjera. Kuvendi ka pashqyrtu një varg projektligjesh të rëndësishme. Na mbetet gjithashtu me intensifiku luftën ndaj korrupsionit, me forcu demokracinë, dhe me nxitë zhvillimin ekonomik. Njëkohësisht, mund ta përmirësojmë pozitën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. T'i forcojmë lidhjet me Malin e Zi, me Amerikën, dhe me Evropën. T'i shtyjmë para integrimet euroatlantike, dhe të punojmë për njohje të reja nga vende si Spanja e Greqia. Ta paraqesim vendin tonë si shtet që garanton paqe dhe stabilitet në rajon. Dhe së fundi, ta pengojmë ndikimin rus në Evropën juglindore'', përfundon Mjeku për gazetën ''Bota sot''.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat