Aliu: Demarkacioni në dëm të qytetarëve, Kosova u kushtëzua nga ndërkombëtarët

Politika

Aliu: Demarkacioni në dëm të qytetarëve, Kosova u kushtëzua nga ndërkombëtarët

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 24 mars 2018 Në ora: 15:18
Murat Aliu

Negociatat në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për ta caktuar kufirin nisën në vitin 2012.

Ndërsa përfundimisht me 26 gusht 2015, zëvendëskryeministri i atëhershëm i Kosovës, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, bashkë me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministrin e Brendshëm, Rashko Konjevic nënshkruan Marrëveshjen në Vjenë  për përcaktimin e kufinjëve mes dy vendeve.

Megjithëse pa pëlqimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe GDP-së, Kuvendi i Kosovës ka arritur të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ani pse u tha se pas miratimit të kësaj marrëveshje, Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave, më vonë doli lajmi se Republika e Kosovës duhet ta përmbush edhe një kusht e që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Analisti politik, Murat Aliu thekson se kjo marrëveshje është në dëm të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas Aliut Kosova ka qenë e kushtëzuar nga ndërkombëtarët me qëllim të hapjes së rrugës drejt integrimeve euro-atlantike, konkretisht liberalizimin e vizave.

‘’Shikuar nga këndvështrimi nacionalist kjo marrëveshje padyshim që është në dëm të Republikës së Kosovës, pasi që Kosova realisht dhuroj një pjesë të territorit të saj Malit të Zi dhe fatkeqësisht ky fenomen ogurzezë, pra humbja e teritorëve gjatë gjithë historisë i ka ndjekur shqiptarët. Por shikuar nga aspekti i teorive supranacionale Kosovës disi iu imponua ky vullnet, për faktin se u kushtëzua nga faktori ndërkombëtar me qëllim të hapjes së rrugës drejt integrimeve euro-atlantike, konkretisht liberalizimin e vizave. Këtu duhet theksuar se interesi i faktorit ndërkombëtar, përkatësisht SHBA-ve dhe BE-së është ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimorë dhe asesi interesat nacionale të shteteve ballkanike. Pra ata që duhet mbrojtur interesat e Kosovës janë vetë elitat politike dhe popullii i Kosovës dhe jo dikush tjetër’’, përfundon Murat Aliu për gazetën ''Bota sot''.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat