AKI të hetojë mënyrën se si u fut gazi lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës

Politika

AKI të hetojë mënyrën se si u fut gazi lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 mars 2018 Në ora: 16:27
Hedhja e gazit

 Votimi i Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, riktheu në Kuvendin e Kosovës gazin lotsjellës. Lëvizja Vetëvendosje, sikurse më parë hodhi gaz lotsjellës për të ndaluar miratimin e kësaj marrëveshjeje. Skenari i njëjtë sikurse i vitit 2016. Mirëpo, ajo që mbetet enigmë, është mënyra se si Vetëvendosje arriti ta fus në Kuvend gazin lotsjellës.

Policia është duke e hetuar rastin

Në një komunikatë për medie, Policia e Kosovës, lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës (RKS), ka thënë se ka bërë planifikimet policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore si dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Në këtë drejtim, Policia e Kosovës thotë se me zyrtarët e saj policorë ka aplikuar masën e rëndomtë të kontrollit policor në hyrjet e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka hasur në ndonjë mjet të dyshuar gjatë hyrjes së personaliteteve në Kuvend. Referuar pamjeve publike dhe informacioneve të siguruara është kuptuar se disa minuta pas fillimit të seancës parlamentare deputetë të caktuar kanë hedhur mjete të dyshuara gaz lotsjellës. Pas hedhjes së gazit lotsjellës seanca është anuluar dhe referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në ambientet e Kuvendit të RKS-së ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara. Një situatë e tillë e hedhjes së gazit lotsjellës është përsëritur edhe gjatë vazhdimit të pjesës së dytë të seancës parlamentare, nga deputetë të caktuar”, thuhet në njoftim.

Policia ka siguruar qytetarët dhe opinionin e gjerë se veprimet individuale të deputetëve nuk kanë asnjë lidhshmëri me zyrtarët policorë që janë në kryerje të detyrës.

“Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo gjë tjetër rreth hedhjes së gazit lotsjellës”, vazhdon tutje njoftimi policor.

Kajtazi: Zbulimi detyrë e AKI-së

Image
Fadil Kajtazi

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë për “ Bota sot” se Kuvendi i Republikës së Kosovës, është objekt i rëndësisë së veçantë, prandaj ruajtja e tij nuk fillon te portat hyrëse.

“Ruajtja e objekteve të rëndësisë së veçantë nuk është ruajtje fizike, është veprim inteligjent, prandaj kjo detyrë i përket në radhë të parë AKI-së, e cila me ligj ka për detyre të zbulojë, dokumentojë dhe parandalojë veprimtarin subversive kundër institucioneve të Kosovës. AKI, do të duhej që të kishte një informacion të detajuar për rrugën e hyrjes së gazit luftarak në Kosovë, për personat që e bëjnë këtë aktivitet, për personat që e furnizojnë Lëvizjen Vetëvendosje me këtë armatim, për vend shkëmbimin dhe personin nga Lëvizja Vetëvendosje i cili merret me armatosjen e deputetëve të kësaj Lëvizje me këtë armë dhe për mënyrën se si kjo armë në mënyrë masive futet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është shprehur Kajtazi.

Shala: Prapa kësaj nuk ka justifikim politik

Image
Drizan Shala

Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se gazi lotsjellës i cili është përdorur në seancën e fundit dhe seancat e tjera ka një përparësi në raport me masat e sigurisë të cilat përdoren në kuvend apo edhe institucioneve tjera.

Sipas tij, boca e gazit ka një mbështjellës plastik dhe nuk mund të diktohet nga skanerët që përdoren tani në kuvend dhe futja ishte tani një gjë e lehtë.

 “Përdorimi i gazit është i sanksionuar nga ana e ligjeve të aplikuara në Kosovë dhe konsiderohet përdorimi i pa autorizuar dhe përdoruesit e gazit kanë përdorur armë kundër rendit dhe qetësisë publike pavarësisht që janë deputetë të kuvendit dhe mendojnë që kanë imunitet për të përdorur një armë të shkallës së dytë që konsiderohet gazi. Dhe, prapa kësaj nuk ka justifikim politik. Policia e Kosovës ( njësia për mbrojtjen e objekteve të kategorisë se veçantë) nuk mendoj që duhet të hetohen sepse përcaktimi i masave të sigurisë nuk është në kompetencë të tyre”, ka thënë Shala.

Ai ka theksuar, se e gjithë kjo varet kryesisht nga kryetari i kuvendit i cili mund të kërkojë që çdo person që futet në objekt apo edhe në sallë duhet të kontrollohet në mënyrë të detajuar dhe atëherë nëse ndodh që të futet një mjet si gazi apo ndonjë mjet tjetër duhet të hetohet policia njësia përkatëse.

Halimi: Gazi e keqja më e vogël

Image
Armend Halimi

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Armend Halimi, ka thënë se me vetë faktin se gazi lotsjellës ishte prezent edhe pas gjithë atij kontrolli teknik dhe fizik, le të dyshohet se ai vetëm ka qenë në brendësi të objektit paraprakisht.

“Për më tepër nuk besoj se u lejua apo mundësua përdorimi i gazit në fjalë ku veç kemi pasur rastin të dëgjojmë shprehjet dhe fyerjet banale të krye parlamentarit si reagim ndaj mjetit të tillë në adresë të deputetëve që e hidhnin atë. Ndryshe, duhet sqaruar, se një seancë çfarë ishte e jashtëzakonshme me një temë, po ashtu të jashtëzakonshme mund të ‘arsyetojë’ mjetet e tilla të jashtëzakonshme, përderisa ishte mjeti i fundit dhe i vetmi për të parandaluar një të keqe që quhej për humbje të territorit shtetëror. Mos të harrojmë në vende të tjera, një situatë e tillë do të kishte prodhuar edhe konflikte apo lufte civile, siç edhe kemi rastet e kontestit territorial në vendet e lindjes se mesme. Fatmirësisht kjo fatkeqësi nuk doli jashtë mureve të parlamentit", ka thënë Halimi.

Tërnava: Gazi mund të jetë futur më herët

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka thënë se futja e gazit në Kuvend tani nuk është më risi, sepse kjo që moti që nga fillimi i VV-së si  parti parlamentare.

Image
Hajrullah Tërnava

“Përpos deputetëve të Parlamentit, të gjithë ata punëtorë janë potencialë, që më parë i kanë kryer punët e futjes së gazrave aty ku është dashtë. Policia i ka përfunduar punët e saja me kontrolle të deputetëve, vetëm kur deputetët kanë pasur tubimet e tyre parlamentare, por gazrat janë futur shumë më herët në ato vende të përshtatshme. Pra, përpos punëtorëve që punojnë aty, edhe ata policë që punojnë aty, dikush nga ta janë në lidhje farefisnore apo familjare madje edhe me deputetët e VV-së”, ka thënë Tërnava.

Sipas tij, është krejt, e thjeshtë që edhe ata kanë mundur t'i kryejnë ato punë më herët dhe t'u ndihmojnë deputetëve të VV-së në fshehjen e gazrave për aktivizimin e tyre, pikërisht aty ku iu ka konvenuar atyre.

“Eprorët e policisë që punojnë permanent me policë, e që ishte dashur të jenë apolitik, më herët shumë më herët, ishte dashur që ta kenë parasysh këtë (fakt) që e shpjegova dhe kur ka ndodhur hera e parë e shpërthimit të gazrave lotsjellës të kërkojnë ndërrimin e kuadrove të policisë dhe t'i bëjnë verifikimet për policë apolitikë që do të punojnë në atë institucion. E jo, sikur në qeverisjen e mëparshme te Isa Mustafës gjatë tri viteve të qeverisjes së tij në Parlament” ka thënë Tërnava.

Imazh negativ

Ai ka thënë, se qëllimi politik i futjes së gazit lotsjellës dhe shprehjes së tij ishte vepër e VV, për t`i arritur qëllimet e saj brenda asaj ndërtese.

 “Ky rast i aktivizimit të gazrave lotsjellës në Parlamentin e Kosovës, duhet të shërbejë që në të ardhmen të ndërmerreshin veprimtari hetuese dhe verifikuese për policët që punojnë në këtë institucion sikur e shpjegova më lartë, dhe jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj shumë administratorëve tjerë që punojnë aty dhe mundësisht të bëhen ndërrime të tyre dhe në ato vende të këtij institucioni të vijnë  njerëz apolitikë që në të ardhmen mos të ndodhin veprime të tilla të turpshme. Shumë shtete tjera fqinje,  e më gjerë i përdornin praktikat e hedhjeve të gazrave nëpër Parlament, nëpër skenat televizive TV dhe u talleshin me Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat