PANA e ka shndërruar Kuvendin në një institucion të territ

Politika

PANA e ka shndërruar Kuvendin në një institucion të territ

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 24 mars 2018 Në ora: 21:38
Kuvendi i Kosovës, ditën kur u miratua demarkacioni

“Errësira është sinonim i bandave dhe klaneve kriminale. Punët e pista bëhen kryesisht në terr, pasi në errësirë mbulohet krimi më lehtë. Kjo praktikë iu është shndërruar në ves udhëheqësve të sotëm, të cilët vijnë si pasojë e " sukseseve" nga bandat kriminale”, thotë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Partitë e koalicionit qeverisës PANA dhe ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri, Ramush Haradinaj, e kanë shndërruar Kuvendin e Kosovës në një institucion të territ.

Kjo pasi që për vendime të rëndësishme të vendit, siç është miratimi i Demarkacionit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit, seancat u thirren pasdite të cilat zgjatën gati deri në mesnatë, për dallim nga ato normale që caktohen në orët e paradites.

Një seancë e tillë është thirrur edhe të martën, që si pikë e rendit të ditës ishte miratimi i Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Kjo marrëveshje nuk kaloi atë natë, sepse Qeverisë i mungonin dy vota të deputetëve, por përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe analistë politikë thonë se prapa këtij fenomeni qëndron Qeveria dhe liderët e partive politike të pushtetit.

Në Qeveri nuk i janë përgjigjur pyetjes së gazetës “Bota sot”, kur janë pyetur se si i komentojë kritikat e lartë përmendura.

Seancat e territ thirren për të marrë vendime të dëmshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, jep dy arsye pse sipas tij, partitë e koalicionit qeverisës po e praktikojnë mbrëmjen si kohën e preferuar për mbajtjen e seancave.

Image
Ismajl Kurteshi

“Tanimë është bërë një fenomen që të thirren seanca të tilla në mbrëmje, ku po merren vendime kundër interesave të qytetarëve, e që po përkrahen vetëm nga udhëheqësit e korruptuar dhe të shantazhuar. Ata po i thirrin seancat në kohë të papërshtatshme, sepse po i frikësohen reagimit qytetar. Edhe kjo seanca për demarkacionin është thirrur të martën në mbrëmje ku u morr njëri ndër vendimet më të dëmshme në Kuvendin e Kosovës”, thotë Kurteshi për “Bota sot”.

Sipas tij, logjika e atyre që kanë thirrë këtë seancë, ka qenë se pas debatit të gjatë të deputetëve për këtë çështje që ishte shumë e ndjeshme, votimi për të do të bëhej pas mesnatës.

“Nuk pati reagim të qytetarëve për faktin se ka pasur një propagandë të jashtëzakonshme, që ndodhi edhe mjetet e informimit të ndikuara nga pushtetarët. Edhe nga ambasadat, që po ndërhyjnë vazhdimisht në punët e kuvendit, që është institucioni më i lartë i vendit”, deklaroi ai.

Seanca e jashtëzakonshme e së martës për Demarkacionin, ishte thirrur për orën 16:00.

Por, ajo filloi me një orë me vonesë, kurse përfundoi rreth mesnatës pas një debati të gjatë të deputetëve duke paraqitur pro dhe kundër argumentet për miratimin e Projektligjit për shënjimin e kufirit me shtetin fqinjë.

Në fund të debatit, në mungesë të deputetëve shefat e grupeve parlamentare u dakorduan që votimi i këtij projektligji të shtyhej për të mërkurën.

Edhe të mërkurën, ky projektligj u miratua rreth orës 19, por këtë herë për fajin e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që deputetët e këtij subjekti politik hodhën katër herë gaz lotsjellës brenda në seancë.

Por, Kurteshi i Vetëvendosjes, thotë se miratimi i Demarkacionit erdhi duke u bërë favore deputetëve që kundërshtonin këtë çështje.

“Koalicioni qeverisës deri në momentin e fundit nuk i ka pasur numrat e mjaftueshëm, por në fund u siguruan këta numra nga disa deputet duke ia plotësuar atyre kushtet që ata e dinë vetë”, shtoi Kurteshi.

Image
Time Kadrijaj

Kadrijaj e AAK-së: Deputetët votuan me vullnetin e tyre të lirë

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka qëndrim të kundërt me kolegun nga Vetëvendosje sa i përket çështjes në fjalë.

“Deputetët kanë qenë të gjithë të lirë për të debatuar lidhur me demarkacionin në seancën e së martës, edhe pse ky debat është duke vazhduar gati që tri vite dhe janë shterur të gjitha argumentet”, thotë Kadrijaj për “Bota sot”.

Sipas saj, deputetët nuk janë manipuluar, sepse ata janë të vetëdijshëm se çfarë kanë votuar.

“Secili e ka shprehur mendimin e vet me votën e tij të lirë”, deklaroi më tej ajo.

Deputetja e partisë së Haradinajt, ka mendim të kundërt me Kurteshin sa i përket kritikave të tij, se seanca për demarkacionin është thirrur me qëllim në mbrëmje.

“Nuk është hera e parë, që thirret një seancë e tillë në orët e pas ditës. Por, meqenëse se është shterur debati nuk ka asgjë të keqe që është thirrur në atë kohë”, thotë Kadriaj.

Madje, ajo thotë se legjislacioni në fuqi nuk e përcakton një orar se kur duhet të mblidhet Kuvendi.

“Çdo kohë mund me u thirrë seanca dhe një gjë të tillë nuk e specifikon as rregullorja e Kuvendit, as Kushtetuta se kur duhet të thirret mbledhja”, shtoi ajo.

Kelmendi: Koalicioni i territ krijojnë vetëm afera të territ

Analisti politik, Jeton Kelmendi, thotë se nuk shprehet i befasuar për vendimet e natës nga partitë në pushtet, duke rikujtuar marrëveshjen e koalicionit para zgjedhor të AAK-së dhe NISMA-s me PDK-në, vetëm pesë minuta para përfundimit të regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Image
Jeton Kelmendi

“Koalicioni i territ sigurisht se gjatë këtij mandati do të krijojë vetëm afera të territ. Prandaj, unë mendoj se jo rastësisht koalicioni i territ ka thirrur në orët e vota seancën për miratimin e demarkacionit”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo ka është bërë prej frikës së reagimeve eventuale të qytetarëve, për shkak të pakënaqësive të mundshme nga ana e qytetarëve të vendit.

“Këto bëhen me qëllim nga koalicioni i territ që është doktrinë e këtij koalicioni dhe SHIK-ut”, shtoi Kelmendi.

Errësira sintetizon krimin me autorin, të cilët personifikojnë politikanin e sotëm

Kritik ndaj këtij fenomeni është shprehur edhe analisti tjetër, Faton Mehmeti.

“Errësira është sinonim i bandave dhe klaneve kriminale. Punët e pista bëhen kryesisht në terr, pasi në errësirë mbulohet krimi me lehtë. Kjo praktikë iu është shndërruar në ves udhëheqësve të sotëm, të cilët vijnë si pasojë e " sukseseve" nga bandat kriminale”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, të gjitha vendimet madhore po merren në mbrëmje nga politikanët e korruptuar.

“Andaj, të gjitha vendimet e mëdha bëhen në terr, siç ka ndodhur me zgjedhjen e Hashimit president, e deri tek demarkacioni. Kjo e shton në tepër ankthin e qytetarëve të vendit, për rrezikun që po paraqesin udhëheqësit politikë. Errësira sintetizon krimin me autorin, të cilët personifikojnë politikanin e sotëm në pushtet”, deklaron më tej ai.

Ai thotë se Kosova është kapluar nga klanet e rrezikshme, të cilat e kanë kapur shtetin.

Image
Faton Mehmeti

“Këto banda përveç që rrezikojnë jetën e qytetarit të sotëm, ato edhe i vrasin ëndrrat për të ardhmen. Asnjëherë as Ramushi, Hashimi apo Kadriu nuk kanë vepruar si lider, po si udhëheqës bandash. Pasi që nuk mund të shkëputen nga qenurit bandit”, shtoi Mehmeti.

Vendimet e tjera të territ

Përpos miratimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, janë marrë edhe vendime të tjera në orët e mbrëmjes.

Njëri prej tyre është ai për zgjedhjen e Qeverisë Haradinaj, në shtator të vitit të kaluar.

Seanca për zgjedhjen e kabinetit qeveritar ishte thirrur të mbahej gjatë ditës, por në mungesë të deputetëve të Listës Serbe të cilët kishin shkuar në Beograd për të marrë lejen e Vuçiqit për votim, ekzekutivi u zgjodh në orët e vona të mbrëmjes të së njëjtës ditë.

Kurse, vendimi tjetër është ai për zgjedhjen e Hashim Thaçit në pozitën e shefit të shtetit.

Edhe ai, u zgjodh në orët e mbrëmjes pas protestave që po mbaheshin në shesh kundër tij dhe gazit lotsjellës që u hodh në seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat