Dikur e akuzonte Isa Mustafën, tash Haradinaj nuk ka guxim ta vizitojë veriun

Politika

Dikur e akuzonte Isa Mustafën, tash Haradinaj nuk ka guxim ta vizitojë veriun

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 mars 2018 Në ora: 08:06
Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, ilustrim nga “Bota sot”

Më 15 dhjetor të vitit 2016, Ramush Haradinaj, kishte shkuar në Mitrovicë vetëm deri tek Ura e Ibrit. Në atë kohë si opozitar akuzonte qeverinë e atëhershme “Mustafa” se nuk po ka guxim të shkelë në veri. Ai vizitën e kishte bërë gjatë kohës së ndërtimit të murit ilegal, ku Mustafën e akuzonte si tolerant të ndërtimit të tij. “Qeveria e Kosovës nuk mund të justifikohet me asnjë gjë, sepse ishte shkaktari kryesor i ndërtimit të këtij muri, që tani po na harxhon kohë, nerva e mund që ta rikthejmë në një situatë të pranueshme”, kishte deklaruar Haradinaj. Por, kanë kaluar gati 7 muaj që nga fillimi i punës së tij si Kryeministër dhe deri më tash nuk është parë asnjë vizitë Haradinajt në pjesën veriore.

Edhe pse ka më tepër se gjysmë viti që kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë përsipër udhëheqjen e qeverisë, ai ende nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të vizitës së veriut. Ngjashëm edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte më parë në pozitën e kryeministrit, zëvendëskryeministrit e tash Presidentit, nuk e bëri një veprim të tillë.

Madje të kontaktuar nga “Bota sot” zyrtarë nga Presidenca e vendit asnjëherë nuk kanë dhënë përgjigje se kur Presidenti e ka ndërmend ta vizitoj veriun e Mitrovicës.

Përgjigja e Qeverisë

Ndërkaq, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, në një përgjigje dhënë për gazetën thonë se kryeministri Ramush Haradinaj, deri më tani i ka vizituar disa nga komunat, sipas agjendës ditore.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me të marrë detyrën në Qeveri, ka treguar gatishmërinë për të qenë më i afërt me problemet në nivel komunal, duke i vizituar Komunat e Kosovës. Deri tani ka arritur t’i vizitojë disa nga to, varësisht nga agjenda ditore”, thonë zyrtarë nga Qeveria.

Sipas tyre, ai e ka në plan t’i vizitojë edhe komunat e tjera dhe nuk ka nevojë për ftesa.

“Përzgjedhja e komunave nuk bëhet në bazë të përkatësisë etnike, dhe kryeministri i vendit nuk ka nevojë për ftesë që t’i vizitojë ato. Në plan janë edhe komunat tjera. Por, ua rikujtojmë që kjo bëhet në bazë të agjendave”, thuhet në përgjigjen për “Bota sot”.

Mirëpo, kjo bie ndesh me atë që kryeministri Haradinaj tha para gazetarëve disa ditë më parë.

Haradinaj, në një konferencë para gazetarëve, tha se tashmë disa herë e ka vizituar veriun, madje e ka bërë shpesh, por që e ka bërë pa praninë e medieve.

Haradinaj akuzonte Mustafën se nuk po ka guxim të shkelë në Veri

Ne kujtojmë se, një vizitë të tillë e kishte bërë vetëm deri tek Ura e Ibrit më 15 dhjetor të 2016-ës. Në atë kohë si opozitar akuzonte qeverinë e atëhershme “Mustafa” se nuk po ka guxim të shkelë në Veri. Ai vizitën e bëri gjatë kohës së ndërtimit të murit ilegal ku Mustafën e akuzoi si tolerant të ndërtimit të tij.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të justifikohet me asnjë gjë, sepse ishte shkaktari kryesor i ndërtimit të këtij muri, që tani po na harxhon kohë, nerva e mund që ta rikthejmë në një situatë të pranueshme”, kishte deklaruar Haradinaj.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se që nga pas lufta e deri tani pjesa veriore në Mitrovicë, asnjëherë nuk është vizituar edhe nga vetë udhëheqësit e Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

“Edhe qeverisja e asaj pjese është disi pa kontroll të plotë nga institucionet tona, sepse deri më tani gjithnjë në ato pjesë ka pasur institucione paralele të Serbisë, e që kanë shkaktuar incidente të ndryshme ndër nacionale, e që edhe tani në këto kohëra dyshohet për praninë e atyre forcave.  Në disa raste të vizitave që janë bërë nga udhëheqësit e shtetit tonë, ato vizita janë bërë duke i shfrytëzuar rrugë të ndryshme qoftë edhe ato periferike për të arritur në vendet e caktuara ku janë zhvilluar edhe ato aktivitete edhe që në ato pjesë të Mitrovicës e kemi dejure, policinë zyrtare tonë”, thekson Tërnava.

Hezitimi i liderëve

Ai thotë, më tutje se në bisedat që zhvillohen, mes përfaqësuesve të Serbisë dhe të Kosovës për shumë çështje e ndër tjera edhe për funksionimin e institucioneve legale të Kosovës në ato pjesë, edhe që janë arritur ato marrëveshje, asnjëherë këto nuk janë jetësuar në tërësi.

“Intervenimi i policisë së Kosovës para disa viteve në ato pjesë, ku mbet i vrarë polici Enver Zymberi, është dëshmia më e mirë se ato pjesë në veri, në tërësi nuk janë të kontrolluara nga institucionet tona. Edhe vrasja tjetër e pjesëtarit të KFOR-it në ato pjesë që edhe sot e asaj dite e tutje asnjëri rast nuk u zbuluan apo nuk u burgos askush nga vrasësit e këtyre dy zyrtarëve. Vrasja më e freskët e politikanit serb Oliver Ivanoviqit që deri më tani që ka mbetur enigmatike, i njohur si i akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, që hetimet e deritashme për vrasjen e tij, qojnë në drejtim të vrasësve serbë. Prandaj duke e ditur situatën e tanishme të asaj pjese, që në fakt mund të thuhet se më shumë qeveriset nga Serbia se nga Kosova, e duke e ditë këtë gjendje të asaj pjesë, qartë del konstatimi se krerët e shtetit tonë hezitojnë me e vizituar Veriun e Mitrovicës”, thekson ai.

Haradinaj pret lejen nga Beogradi

Ai thotë se përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë që po marrin pjesë në bisedimet në Bruksel e dinë më së miri gjendjen në atë pjesë të Kosovës.

“Bisedimet rreth asaj pjese të veriut janë duke u udhëhequr edhe më tutje nga përfaqësuesit tonë me ata të Serbisë, dhe ata e dinë më së miri për gjendjen reale të asaj pjese të qeverisjes së Kosovës. Në këto bisedime të deritashme,  nëse arrihet marrëveshja e njohjes së pavarësisë mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë edhe këto pengesa do të evitohen dhe në afatet e parapara së bashku do të udhëtojnë drejt BE dy shtetet në fjalë. Prandaj, po e presim efektin e këtyre bisedimeve deri në fund, dhe gjithnjë në koordinim me miqtë tonë ndërkombëtarë e sidomos të atyre që na ndihmuan me u çlirua nga Serbia”, vlerëson Tërnava.

Image
Naim Miftari

Nga ana tjetër, ish pjesëtari i UÇK-së, Naim Miftari thotë Haradinaj ndonëse ka guxim të vizitoj Veriun, ai nuk mund ta bëj atë pa lejen e Listës Serbe, pasi atje kriminelët serbë nuk e pyesin për kravata.

“Ramushi ka guxim por pa e leju Beogradi një vizitë dhe pa lejen e Listës serbe nuk e viziton veriun se i del vizita e dredhur dhe atje është front ambienti nuk është ngrohtë si ambientin e parlamentit. Dhe kriminelët serbë në veri nuk e pyesin për krevata  se sa i ka, pasi atje pyetet Serbia. Qeveria e Kosovës bashkë me Ramushin atje vetëm si turist mund del në shëtitje”, thotë Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat