Arrestimi i Gjuriqit theu tabunë e paprekshmërisë dhe mos-arrestimit të zyrtarëve serbë

Politika

Arrestimi i Gjuriqit theu tabunë e paprekshmërisë dhe mos-arrestimit të zyrtarëve serbë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 mars 2018 Në ora: 08:31
Arrestimi i Marko Gjuriq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij drejtuar serbëve pas arrestimit dhe depërtimit të Marko Gjuriqit, e quajti rrëmbim këtë arrestim.  “Banda terroriste mësyn në veri, gjuan shok-bomba, rrah gjithkënd që gjen, hyn brenda dhe ata terroristë burgosin Gjuriqin”, tha Vuçiq. E fjalën “terrorist” të përdorur nga Vuçiq drejtuar policëve të Kosovës, e kanë komentuar për “Bota sot” ekspertë të sigurisë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Ata kanë thënë se Serbia duhet të merr përgjigje zyrtare dhe t’i bëhet me dije se Kosova është shtet serioz dhe do të zbatojë me reciprocitet ndaj çdo sjellje të politikanëve serbë.

Ditën e hënë është thyer tabuja e paprekshmërisë dhe mos-arrestimit të zyrtarëve serb, të cilin hynin e dilnin në territorin e Kosovës duke mos u penguar nga askush.

Shkelja e ndalesës për hyrje në territorin e Kosovës, i ka kushtuar me arrestim dhe tërheqje zvarrë Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij drejtuar serbëve pas arrestimit dhe depërtimit të Marko Gjuriqit, e quajti rrëmbim këtë arrestim.

Vuçiq, gjatë fjalimit përmendi shpeshherë fjalën shtet terrorist për Kosovën, ndërsa forcat speciale që arrestuar Marko Gjuriqin i cilësoi bandë.

“Banda terroriste mësyn në veri, gjuan shok-bomba, rrah gjithkënd që gjen, hyn brenda dhe ata terroristë burgosin Gjuriqin”, tha Vuçiq.

E fjalën “terrorist” të përdorur nga Vuçiq drejtuar policëve të Kosovës, e kanë komentuar për “Bota sot” ekspertë të sigurisë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Lojëra të Hashim Thaçit?

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë për “Bota sot” se veprimet e institucioneve të Kosovës në raport me Serbinë, tregojnë pavendosmërinë e tyre.

Image
Drita Millaku

“Të gjitha veprimet e shtetit të Kosovës në raport me Serbinë deri me tash, tregojnë pavendosmëri edhe ky rast tregoj se shteti i Kosovës është i interesuar për spektakle më tepër, se sa për vendime të pjekura dhe të fuqishme në drejtim të ruajtjes së tërësisë territoriale dhe zbatimit te ligjit. Serbia duhet të merr përgjigje zyrtare dhe t’i bëhet me dije se Kosova është shtet serioz dhe do të zbatojë me reciprocitet ndaj çdo sjellje të politikanëve serbë dhe se nuk do të tolerojë asnjë nëpër këmbje të interesave shtetërore”-u shpreh Millaku.

Ajo mendon se të gjitha këto janë lojëra të Hashim Thaçit, dhe se aplikimi i reprocitetit me vendosmëri, do t’i ndihmonte Kosovës në mbarëvajtjen e bisedimeve me palën serbe.

“Aplikimi me vendosmëri i reciprocitetit, do t’i ndihmonte Kosovës edhe në rrafshin ndërkombëtarë dhe sidomos në mbarëvajtjen e bisedimeve me palën Serbe. Por, jam e bindur se këto janë lojëra të Hashimit sepse ai gjithmonë ka qëndruar në pushtet me skenarë të tillë, kam thënë edhe me herët se me ratifikimin e demarkacionit,  Kosova po zhytet në vendime që do të jenë shumë të dëmshme për vendin, e koha shumë shpejt do ta tregoj këtë”- tha Millaku.

Ndërkaq, profesori i sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për “Bota sot”, e quan brutal termin e përdorur nga Vuçiq drejtuar policëve të Kosovës, dhe se sipas Islamit, grupet paralele serbe në Veri, nuk e prisnin intervenimin e policisë së Kosovës, pavarësisht paralajmërimit të këtyre të fundit.

Image
Avni Islami

 “Siç duket presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas arrestimit të Marko Gjuriqit nga ana e policisë së Kosovës, ishte mjaft i frustruar dhe se etiketimi i institucioneve të Kosovës me termin terrorist, dukej se e kishte zhvendosur vëmendjen e tij dhe nuk ishte vetvetja, dhe se ky etiketim është brutal. Por, siç duket se ai nuk e kishte paramenduar se një aksion i policisë së Kosovës do të ndodhte në Veri, dhe se institucionet e grupeve paralele serbe nuk e prisnin një gjë të tillë pavarësisht paralajmërimin të tyre, dhe kjo mund të jetë shkak që irritomi i tyre është maksimal, kësisoj mendon se Vuçiq nuk i kontribon paqes në Kosovë”

Kuptimi i fjalës “terrorist”

I pyetur se cila është arsyeja që Gjuriq qëndroi vetëm dy orë në burg dhe u ekstradua në Serbi, Islami thotë se është vendim i drejtë i qeverisë, për arsyeje që kalimi i kufirit ilegalisht nga Gjuriq, nuk është ndonjë vepër penale, e kjo ndodh në shumë shtete të Botës.

“Ai realisht vetëm e ka kaluar kufirin ilegalisht, dhe duke kujtuar marrëveshjen e Brukselit, ai nuk është dashur të hynte ilegalisht në Kosovë, por duke respektuar vendimin e qeverisë së Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit gjithsesi. E sa i përket ekstradimit të tij deri në pikën e tij në Merdarë, mendoj së është një veprim i duhur nga institucionet e sigurisë së Kosovës, pasi ai nuk ka kryer ndonjë vepër penale, por vetëm ka kaluar kufirin ilegalisht, e kjo ndodh edhe në shtetet tjera që nëse dikush kapet duke kaluar kufirin ilegalisht, ai vetëm kthehet deri në pikën e parë kufitare”-përfundoi Islami për “Bota sot”.

Ndërsa, studiuesi i sigurisë, Armend Halimi, e shpjegon në mënyrë juridike termin terror dhe terrorizëm, duke thënë se këto të dyja shpesh ngatërrohen në shoqërinë tonë.

Image
Armend Halimi

“Shprehjet terrorist dhe terror kanë kuptimin e tyre shkencor, gjë që jo rrallë herë ndodh ta dëgjoj nga ata që e ndiej kompetent të flasin për çështje të tilla. Pra, këto shprehje përveç tjerash janë te inkriminuara edhe me dokumente juridike, e qe nuk duhet ngatërruar. Andaj, Serbia me autoritet e saja shtetërore, bashke me pjesën tjetër të qytetareve serb, na japin shembullin më të mirë që t’i kuptojmë njëherë e mirë termet e tilla. Kështu, shprehja terror ka kuptimin e keqpërdorimit të forcës shtetërore karshi qytetareve, pra, dhunës shtetërore në drejtim të qytetareve, sikurse bënte Serbia para vitit 1999, ndërsa, shprehja terrorizëm ka kuptimin e dhunës me adresë te kundërt, që d.m.th dhuna në drejtim të shoqërisë dhe shtetit nga ana e individëve apo grupeve që kryejnë sulme sporadike gjithherë me qëllim të shkaktimit të frikës në shoqëri, dhe imponim të politikes shtetërore për ndërrim diskursit politik”-u shpreh Halimi për “Bota sot”.

Sjellja diplomatike e Kosovës

Ai thotë se mos reagimi i njëjtë i Qeverisë së Kosovës, bëhet për arsye të ndikimit të agjendës politike nga BE-ja, dhe lirimi i menjëhershëm i  Gjuriqit, ndodh si shkak i dirigjimit që vjen nga diplomatët e huaj në rastet e tilla, e që sipas Halimit, bëhen larg syrit të opinionit.

“Sa i përket mos reagimit të njëjtë të Qeverisë së vendit tonë kur behët fjalë për arrestimet nga ana e Serbisë, sigurisht që pala kosovare zgjedh një fjalor më të but diplomatik për arsye edhe të ndikimit të agjendës politike nga bashkësia ndërkombëtare që në këtë drejtim duhet të zgjedh pala kosovare, kurse sa i përket lirimit të Gjuriqit, apo mos caktimit të ndonjë mase sigurie, padyshim që janë si pasoj e vendimeve politike, që zakonisht janë si rezultat i dirigjimit që vjen nga diplomatët e huaj në rastet e tilla, e që bëhen larg syrit të opinionit”,- potencoi Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat